Kuvendi paralajmëron kritere më të ashpra PËR SUBVENCIONET MILIONËSHE NË BUJQËSI

  • 13 February 2018 - 07:57
Kuvendi paralajmëron kritere më të ashpra PËR SUBVENCIONET MILIONËSHE NË BUJQËSI

ABUZIMI ME FONDET E MBZHR-SË, TË DEDIKUARA PËR FERMERËT

Rezultatet mungojnë, edhe pse miliona euro u dhanë

"Më pas do të kërkojmë që të debatohet edhe në Kuvendin e Kosovës për mënyrën se si po ndahen dhe nëse eventualisht janë keqpërdorur këto fonde", ka thënë për "Kosova Sot" deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani (LDK) 

Qindra miliona euro janë dhënë nga shteti pas luftës për zhvillimin e bujqësisë, por fare pak rezultatet ka pasur në këtë drejtim. Drejtues të Sindikatës së Pavarur të Bujqve të Kosovës, deputetë të opozitës dhe ekspertë të ekonomisë, shfaqin brengën e tyre të madhe, ngase askush nuk po i kontrollon subvencionet që jepen për fermerët kosovarë. Ata thonë se këto subvencione nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh, ngase edhe me to nuk është rritur prodhimi dhe punësimi në sektorin bujqësor. Analistët thonë se ka pasur edhe raste kur shumë subvencione po përfundojnë në ndërtim objektesh, kurse për serra e ferma bëhen investime të ulëta dhe simbolike në raport me shumat e mëdha që merren. Transparenca e munguar dëshmon gjithashtu se një skemë kriminale zhvatëse fshihet pas këtyre granteve dhe subvencioneve që jepen çdo vit. Me gjithë pyetjet e gazetës se çka thonë në Ministrinë e Bujqësisë, se sa subvencione dhe grante janë dhënë për 10 vjet të paspavarësisë, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Disa raste kanë rezultuar skandaloze, pasi fondet janë marrë, por asnjë investim nuk është bërë me to.

Sindikata u përjashtua nga Komisioni

Lideri i Sindikatës së Pavarur të Bujqve të Kosovës,Tahir Tahiri, tha për " Kosova Sot", se nuk ka asnjë fije dyshimi se ka keqpërdorime të mëdha të granteve dhe subvencioneve të bujqësisë nga ana e zyrtarëve të kësaj ministrie. "Ne si Sindikatë kemi qenë pjesë e komisioneve të mbikëqyrjes së ndarjes së këtyre granteve dhe subvencioneve, por që kur Sindikatës sonë më nuk i lejohet me qenë pjesë e këtyre komisioneve që nga koha kur ministër i Bujqësisë ka qenë Blerand Stavileci", u shpreh ai. "Ka qenë ministri Stavileci ai që e largoi Sindikatën tonë nga komisioni përkatës që e mbikëqyrte ndarjen e këtyre subvencioneve, kurse tani këtë punë e bën vetëm Auditori i Përgjithshëm gjatë auditimeve që i bëjnë në këtë ministri .Ndonëse duhet të jemi realë se në këtë ministri janë disa komisione të kësaj natyre, por ato janë sa për sy e faqe, se gjoja dikush po mbikëqyrka ndarjen e këtyre granteve dhe subvencioneve. Andaj ka keqpërdorime aq të mëdha me subvencionet", potencoi Tahiri. "Në dy vitet e kaluara, më 2017 dhe më 2018, nga ana e kësaj ministrie janë dhënë nga 46 milionë euro, që kanë qenë të dedikuara për grantet dhe subvencione për fermerët kosovarë", ka vijuar më tutje ai.

Fondet përfundojnë në beton

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani (LDK) tha për "Kosova Sot", se Komisioni për Buxhet dhe Financa do të kërkojë që të ashpërsohen kriteret e mbikëqyrjes së shpërndarjes së këtyre granteve dhe subvencioneve dhe do ta ftojmë Ministrinë e Bujqësisë që në detaje të raportojë në mbledhjet e komisionit. "Kurse, më pas do të kërkojmë që të debatohet edhe në Kuvendin e Kosovës për mënyrën se si po ndahen dhe nëse eventualisht janë keqpërdorur këto fonde", shtoi ai. Ndërsa, deputetja e koalicionit qeverisës, Safete Hadërgjonaj(PDK), po ashtu anëtarë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, thotë se në mbledhjet e komisionit tonë, sikurse edhe institucionet e tjera, raportojnë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, ku raportohet edhe për mënyrën e ndarjes së këtyre fondeve. "Por, kompetentë për mbikëqyrjen e mënyrës së ndarjes së këtyre granteve dhe subvencioneve janë Ministria e Bujqësisë, andaj nga ata duhet që të kërkohet llogaridhënia për keqpërdorimet eventuale", u shpreh ajo. Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (LVV) tha për " Kosova Sot ", se është për keqardhje situata me grantet dhe subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, ngase askush nuk po i kontrollon subvencionet që po jepen për fermerët në fushën e bujqësisë. "Bazuar në shumën e parave që janë ndarë dhe që janë miliona euro këto grante dhe subvencione nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh, që është pritur, sepse,për fatin e keq nuk është rritur prodhimi dhe punësimi i të rinjve krahasuar me shumën e investimeve që janë bërë në raport me subvencionet që janë dhënë", u shpreh ai. "Është për keqardhje që te ne ka shumë subvencione që përfundojnë në ndërtim objektesh, kurse për serra e ferma bëhen investime të ulëta dhe simbolike në raport me shumat e mëdha të parave që merren", ka potencuar Salihu.

Abuzime flagrante me mjetet e MBZHR-së

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për " Kosova Sot", se ka keqpërdorime të shumta lidhur me subvencionet e dhëna nga komunat dhe nga niveli qendror, siç janë raportuar në medie. "Ka të ashtuquajtur fermerë që kanë marrë grante të majme për stalla të kafshëve dhe i njëjti jeton në Prishtinë dhe nuk ka as tokë dhe as vend ku të ngritë atë stallë, pra ka keqpërdorime të hatashme, kjo jo që nuk dihet nga zyrtarët e ministrisë po u konvenon një gjë e tillë", theksoi ai. "Dështimi për të rritur prodhimin vendor dhe për të zhvilluar sektorin privat përmes investimeve të huaja është si pasojë e dështimit të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një ambient të mirë për biznes dhe për të luftuar korrupsionin, që është një ndër pengesat kryesore të të bërit biznes në Kosovës, por njëkohësisht edhe pengesë për zhvillimin ekonomik në përgjithësi", shtoi më tej ai. "Qeveria e vendit nuk ka hartuar politika të favorshme për biznese vendase, Kosova nuk ka klimë të mirë të të berit biznes. Sipas shumë raporteve ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, ka shumë barriera të të bërit biznese, një e keqe e madhe është se në biznes janë futur shumë politikanë dhe ndikimi i tyre është marramendës dhe shumë negativ për bizneset ekzistuese vendase", u shpreh Beqiri. Të varur nga importi i produkteve bujqësore Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot", se është mirë që kryeministri ka kërkuar që grantet dhe subvencionet të shkojnë në duart e atyre që merren me bujqësi e jo t'u ndahen subvencione njerëzve që nuk kanë as tokë bujqë- sore. "Me vite të tëra qeverisjet në Republikën e Kosovës e kanë anashkaluar rolin e rëndësishëm që e ka ekonomia bujqësore për vendin tonë, mbështetja financiare nga qeveritë e kaluara jo vetëm që janë keqpërdorur, por ndihma financiare ka qenë më e ulëta në rajon dhe për këtë arsye kemi ngecje në një sektor shumë të rëndësishëm të vendit. Republika e Kosovës afër 80 për qind e sipërfaqes së përgjithshme e ka zonë rurale dhe në këtë zonë jetojnë 60 për qind e popullatës së përgjithshme. Dhe, si dihet, popullata rurale si aktivitet kryesor duhet të ketë bujqësinë,mirëpo sipas të dhënave statistikore vetëm 10 për qind e të ardhurave të përgjithshme sigurohen nga ky sektor, dhe ky nivel i ulët i të ardhurave është pasojë e një prodhimtarie të ulët bujqësore, kostos së lartë të prodhimit, mungesës së investimeve të planifikuara për modernizimin dhe rritjen e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë së vendit", shpjegon ai. "Afër 40 për qind të buxhetit të vendit harxhohet për produkte bujqësore që importohen nga vendet e rajonit dhe me një pjekuri më të mirë dhe me shpërndarjen e drejtë të granteve për njerëzit që merren me këtë punë gati të gjitha produktet bujqësore do të prodhohen në vendin tonë dhe kështu do të kishte për të ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit tregtar në vendin tonë, i cili është shumë negativ me të gjitha vendet e rajonit dhe mos të flasim për vendet e Bashkimit Evropian", potencoi Neziraj. 

Kontrolli formal, mungon mbikëqyrja

Ekonomisti Dardan Grapci tha për "Kosova Sot", se askush në Kosovë nuk po i kontrollon subvencionet e bujqësisë dhe kjo shihet sepse rezultatet janë të vogla nga këto subvencione, ngase nëse shikojmë në vitin 2016 dhe 2017 do të vërejmë se prodhimi dhe punësimi është reduktuar për 5 për qind. "Investime në fushën e bujqësisë ka shumë pak krahasuar me nevojat, dhe mendoj se Ministria e Bujqësisë duhet që të punojnë sa më shumë në këtë drejtim, nëse dëshirojmë që Kosova të ketë prodhues vendorë dhe t'i largojmë nga tregu prodhimet që na vijnë nga rajoni, siç janë Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria", theksoi ai. "Këto subvencione shumë herë janë keqpërdorur nga zyrtarë të lartë politikë dhe ata që e kanë pasur përgjegjësinë për shpërndarjen apo dhënien e këtyre subvencioneve, duke i ndalur ato subvencione për vete, familjarët partiakët dhe në shumë raste edhe duke investuar në ndërtime të objekteve të banimit dhe ndërtimeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me bujqësinë", vijoi më tutje Grapci. Ndërsa, eksperti Florim Rudhani, për " Kosova Sot", tha se subvencionet nga Ministria e Bujqësisë janë për mbijetesë, por jo për zhvillim. "Në bazë të njohurive që kam nga zyrtarët e Ministrisë Bujqësisë që aty ku ndahen grante, dhe subvencione ka edhe mbikëqyrje në implementimin e atyre granteve apo subvencioneve, por mbikëqyrja e tyre është një formalitet dhe ka keqpërdorime të mëdha. Po pakënaqësia ime që nga qeveritë e mëparshme si dhe kjo aktualja, si në të kaluarën edhe këta nuk janë seriozë në zhvillimin e bujqësisë që garanton zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie sociale për qytetarët e Kosovës", theksoi ai. Sipas tij, është për keqardhje që nuk ka interpelanca për bujqësinë në Kuvendin e Kosovës ku 60 për qind e tokës është bujqësore, po kemi interpelanca shumë herë të kota.

(Kosova Sot)