Kosovarët e presin pa shpresë përvjetorin e dhjetë (VIDEO)

  • 14 February 2018 - 07:43
Kosovarët e presin pa shpresë përvjetorin e dhjetë (VIDEO)

REPUBLIKA E ZHYTUR NË KORRUPSION DHE E SUNDUAR NGA OLIGARKËT

Analistët dhe të anketuarit presin një festë të zbehtë më 17 shkurt

"Me këtë gjendje të palakmueshme për qytetarët e Kosovës dhe me një papunësi të madhe që reflekton në mirëqenie të ulët dhe varfëri, dhe njëherësh me një elitë politike më të pasur në nivel evropian, që sipas llogaritjeve financiare nuk mund ta arsyetojnë pasurinë e paligjshme me këtë diskrepancë të madhe, deshëm apo nuk deshëm lind pyetja për kënd u sakrifikua ky popull!?.. Që të pasurojmë në mënyrë të paligjshme këtë skenë politike?!", ka thënë Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot"

Teksa kasta politike në pushtet dhe opozitë, me pompozitetin më të madh po përgatiten për shënimin e përvjetorit të 10-të të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, analistët politikë dhe qytetarët e shohin me sy kritikë këtë dekadë të parë të funksionimit të shtetit. Ata po e presin këtë përvjetor skajshmërisht të zhgënjyer në klasën politike tërësisht të inkriminuar. Është një vlerësim mjaft i gjerë edhe i njohësve të politikës, por edhe i vetë qytetarëve që e prekin këtë realitet të shtetit të dështuar në dekadën e parë, se jemi larg një feste të vërtetë. Arsyeja është se qytetarët në shumicë janë fare pak të motivuar që të ngazëllehen e gëzohen, derisa më shumë shohin arsye për të protestuar ndaj politikanëve të inkriminuar si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal, që na kanë sjellë në këtë gjendje tepër të katranosur nga të këqijat e tyre! Pra, gjendje e rëndë ekonomike e sociale gjithandej, mungesë totale e sundimit të ligjit, korrupsion, klientelizëm e nepotizëm alarmant, braktisje shqetësuese e Kosovës nga i madh e i vogël, bënë që edhe kjo festë e shënimit të dekadës së parë të shtetit të ri ta humbë kuptimin dhe dëshirën për të festuar. Arsyeja kryesore është se Kosova ditëlindjen e vet të 10-të si shtet po e pret me një papunësi mbi 35 për qind, varfëria mbërrin shifrat e 40- përqindëshit, informaliteti në ekonomi llogaritet se është rreth 38 për qind, dhe të gjitha këto e bëjnë të pamundur shpresën për jetë më të mirë. Nuk mund të priten hapje te vendeve te reja të punës, kur sektori privat është ngulfatur nga monopolet kriminale, klientelat, haraçi dhe korrupsioni galopant, nga politika që e degradoi shtetin e Kosovës në një shtet tepër mafioz, ku po qe se nuk ke lidhje politike klienteliste apo me klanet kriminale, mbetja e mbijetesa në punë, në biznes, e në çdo sektor, është bërë thuajse e pamundur.

Qytetari u shndërrua në skllav të pushtetit

"Në këto rrethana të jashtëligjshme, Kosova po e pret këtë ditëlindje të dhjetë aspak e gëzuar; pa zhvillim ekonomik, pa vende të reja të punës, kur sektori privat është ngulfatur, nga monopolet kriminale, korrupsioni e haraçi, të gjitha këto tregojnë, se shteti i Kosovës, ka degraduar, në një shtet mafioz, ku nëse nuk ke lidhje politike, nuk mund të hysh në punë as të bësh biznes, tregojnë haptas se jeta për të jetuar në Kosovë thuajse është bërë e pamundur", thotë Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot" 

Prof. Muhamet Kelmendi dështimin e kastës politike në 10 vjet shtet e radhitë në shumë fusha, duke filluar nga zhvillimi ekonomik e deri te sundimi i ligjit. " Në fushën ekonomike dhe sociale, këtu kemi ngecje dhe gjendje shumë të rëndë. Ekonomia e Kosovës është rrëmbyer dhe kapur nga grupet e veçantamafioze, ekonomike edhe politike, të cilat çdo gjë e bëjnë në interes të përfitimeve, e kurrsesi të zhvillimit të vendit dhe të hapjes së vendeve të reja të punës. Shfrytëzimi i masave punë- tore është shumë i lartë. Ata paguhen si skllevër dhe nuk kanë të drejta në pune, mbrojtje sociale dhe shëndetë- sore, dhe tërësisht sundohen në formë skllavëruese, me kërcënime dhe nënshtrim të ashpër nëpër vende të punës. Punëtorët paguhen me të ardhura qesharake e ku nuk e sigurojnë as ushqimin e vet. Ndërsa, nëse ndodhin vdekjet në punë, nuk merr përgjegjësi askush. Familjet mbesin nën mëshirën e fatit dhe nuk përkujdeset asnjë organ. Edhe ndihmat sociale dhe pensionet janë qesharake. Me ndihma prej 70 apo 80 euro një familje mundet vetëm të blejë litar për të varur veten. Shteti është në kolaps total ekonomiko-financiar", theksoi ai për "Kosova Sot". Jofunksional dhe kë kriminalizuar e sheh prof. Kelmendi edhe fushën e së drejtës. " Organet e drejtësisë janë të kapura dhe funksionojnë sipas interesave të oligarkëve ekonomikë-politikë, pa i zgjidhur çështjet vitale dhe në kontekst të shtetit ligjor. Kjo kapje fillon nga Prokuroria dhe Kryeprokurori, dhe kalon te prokurorët, gjyqtarët etj. Asnjë prej tyre nuk është në konditat e ligjit. Pasuria e tyre e krijuar nga nëntoka kriminale e kalon bazën e fitimeve në punë. Ata edhe tash po vazhdojnë me bashkëpunime të tilla. Kudo ndihet ndikimi i politikës dhe i mafisë ekonomike", potencoi Prof. Kelmendi për "Kosova Sot". 

Mungon entuziazmi i festës

Humbjen e plotë të optimizmit dhe dëshirës për të festuar në këtë përvjetor të dekadës së parë të shtetësisë së Kosovës, e sheh edhe analisti Bislim Aliu. "Me të vërtetë qytetarëve të Kosovës u ka humbur edhe ai optimizmi i fundit, që e kanë pasur për shtetin e Kosovës. Dhe, janë të zhgënjyer tërësisht në klasën politike, tejet të inkriminuar, të cilët qytetarëve të Kosovës ia humbën edhe 'udhën në oborr'. Ndaj, në këtë 10 -vjetor të Pavarësisë së Kosovës, ata po e presin këtë dekadë të shtetësisë me një pesimizëm të lartë, pa farë entuziazmi dhe optimizmi për festën e Pavarësisë", u shpreh ai. "Për këtë bllokadë të tërësishme shtetërore, kur nuk kemi fare motiv dhe as gëzim për një jetë më të mirë, mendoj se populli duhet të zgjohet nga ky 'gjumë i thellë' me arsye të plotë për të protestuar ndaj politikanëve të inkriminuar; si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë komunal, që na sollën në këtë gjendje alarmante dhe tepër serioze, për të jetuar një jetë më të dinjitetshme. Gjendja tejet e rëndë ekonomike e sociale, mungesa totale e ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar, nepotizmi dhe klientelizmi alarmant dhe braktisja me të madhe e Kosovës, janë shenja alarmante se në Kosovën tonë duhet shumëçka ndryshuar", vlerësoi Aliu për "Kosova Sot".

"Kjo sjellje e skenës politike dhe mospërgjegjësi totale, as armiqtë më të mëdhenj të Kosovës nuk do të mendonin kësi lloj skenarësh, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e Kosovës si shtet edhe mbas 10 vjet pavarësi", tha Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot" 

Një dekadë të dështuar dhe e cila nuk jep optimizëm për të festuar, e sheh në këtë përvjetor edhe njohësi i fushës së politikave ekonomike Mustafë Kadrijaj. "Gjendja në të cilën e kanë sjellë Kosovën elita politike as në ëndrrat më të këqija nuk do të donim ta shihnim këtë gjendje të Kosovës, por më e keqja është që kjo nuk është një ëndërr, por një realitet. Një realitet që kjo skenë politike e shkatërroi perspektivën e Kosovës vetëm për apetitet e tyre. Sot, Kosova renditet e fundit në të gjitha sferat e jetës dhe zhvillimit, si në ekonomi, në drejtësi, në arsim, por është e para në nivel të korrupsionit, me një pasiguri dhe pa të ardhme jo vetëm politike, por dhe ekonomike. Është e papranueshme që si rezultat i papunësisë dhe mirëqenies së ulët sot secili i ri mendon dhe tenton që të ikë nga Kosova, tash mbas dy dekada çlirim dhe një dekadë pavarësi", u shpreh ai. "Me këtë gjendje të palakmueshme për qytetarët e Kosovës dhe me një papunësi të madhe, e cila reflekton në mirëqenie të ulët dhe varfëri, dhe njëherësh me një elitë politike më të pasur në nivel evropian, që sipas llogaritjeve financiare nuk mund ta arsyetojnë pasurinë e paligjshme me këtë diskrepancë të madhe, deshëm apo nuk deshëm lind pyetja për kënd u sakrifikua ky popull!?.. Që t'i pasurojmë në mënyrë të paligjshme këtë skenë politike?!", ka pyetur Kadrijaj. 

Mjerimi nuk ka fund në Kosovë

"Mllefi i akumuluar për këto vite domosdo duhet të përkthehet në shpresën për ndryshim dhe assesi rrugën e dorëzimit para klasës politike të shantazhuar dhe të korruptuar. Republika e Kosovës nuk duhet të mbetet peng e një komuniteti të vogël njerëzish, të cilët veprojnë e punojnë brenda hallkës zinxhirore të krimit, korrupsionit, nepotizmit e klinetelizmit", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot"

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se qytetarët e Kosovës kanë besuar se me Pavarësinë e Kosovës dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të dalin nga kthetrat e vuajtjeve, maltretimeve, dhunës sistematike shekullore dhe nuk kanë besuar se rreziku të vjen nga brenda dhe pikërisht njerëzit e tyre. "Pushtetet autoritare për këto vite treguan dhëmbët e tyre, duke shantazhuar, kërcuar, linçuar e sabotuar ata të cilët menduan ndryshe. Mjerimi socio-ekonomik, korrupsioni, krimi organizuar, nepotizmi, klientelizmi pësuan rritje. Si pasojë e mjerimit socio-ekonomik, e lëshuan Kosovën mijëra qytetarë, mijëra qytetarë vullnetarisht e dorëzuan shtetësinë e Kosovës. Mitrovica e veriut u enklavizua përmes rrugës së shtruar nga klasa politike udhëheqëse, përmes klasës udhëheqëse të shantazhuar. Serbia u fuqizua edhe më shumë brenda Republikës së Kosovës dhe kështu degradimi institucional, politik, ekonomik e social vazhdoi në kontinuitet, duke humbur shpresën qytetare dhe rrjedhimisht duke rënë entuziazmi për këtë ditë historike", ka theksuar ai. "Entuziazmi që ishte në vitin 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës çdo ditë e më shumë e humbi kuptimin, pikërisht nga klasa udhëheqëse e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. Pas 10 vjetëve shtet, Republika e Kosovës nuk është në funksion të mirëqenies qytetare dhe konsolidimin e shtetit, pasi klasa politike udhëheqëse përdori çdo mekanizëm të shtetit për interesa personale,klienteliste e nepotiste", tha Ahmeti për "Kosova Sot".

Të errët e sheh këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës për qytetarët e mashtruar një dekadë të plotë edhe analisti Ali Hertica. "Zhvillimi i politikave dhe politikëbërësve të dobët të Kosovës dhe mosinteresimi i shtytjes së proceseve përpara drejt realizimit të qëllimit të forcimit të shtetit nga kjo klasë e të inkriminuarve, edhe sot në 10- vjetorin e pavarësisë tregon se sa janë të 'gëzuar' qytetarët e Republikës për të festuar një të arritur brenda këtyre 10 vjetëve. Pra, ata kanë shumë arsye për të mos qenë të gëzuar, por vetëm të irrituar ndaj shtetit, sepse të gjitha këto dukuri negative që na kanë sjellë në këtë gjendje të stagnimit i sollën këta matrapazë dhe bandat e tyre politike, të cilët zhvaten dhe u pasuruan me djersën e qytetarit", tha Hertica për "Kosova Sot".

Qytetarët krejtësisht të dëshpëruar

Një blic anketë e zhvilluar me qytetarë të ndryshëm vetëm sa e forcon akoma më shumë opinionin kritik që kanë analistët e pavarur lidhur me keqqeverisjen e vendit nga kjo kastë politike për këto dhjetë vjet shtet. Shënimi i kësaj feste më shumë është një obligim moral që e shohin të anketuarit e gazetës, por që nuk i gëzohen festës, sepse shteti është i kapur nga krimi dhe korrupsioni i politikës që e drejton atë, kurse e ardhmja e brezit të ri në këtë shtet nuk ka dritë shprese as fund të tunelit të errët. Mehmet Çollaku, nga Skenderaj, thotë se për këto vite që po lëmë pas, nëse shihet gjendja e ditëve të para nga e cila ka dalë Kosova, janë disa ndryshime pozitive në segmente të caktuara të ndërtimit të infrastrukturës, por Kosova po ballafaqohet skajshëm me mungesë të zhvillimit e ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë, prandaj në vend që ky përvjetor të festohet me motive shprese e gëzimi, ai po përcillet me zhgënjim dhe synimin e secilit se si të ikë jashtë vendit, për të siguruar një mirëqenie personale dhe për familjen e ngushtë. "Po e marr më së pari punësimin, është një plagë e shoqërisë, e cila në njëfarë forme është mbetur shumë mbrapa, kanë shkuar kah punësimi në njëfarë forme vetëm rrethi i ngushtë i këtyre, të cilët kanë qenë në qeverisje apo në rrethet më të ngushta. E marr ndërtimin, te ne ndoshta është bërë një ndërtim i mirë, por nuk ka vend për vetëkënaqësi. Rrugët, infrastruktura janë ndërtuar po ma merr mendja në krahasim me të tjerat, por nuk ka vend për vetëkë- naqësi. Këta po shihet që i kanë realizuar objektivat e veta dhe në njëfarë forme tash populli po heq", tha Çollaku për "Kosova Sot".

Me zhgënjim maksimal po i përcillte përgatitjet, stolisjet e shesheve të Prishtinës për dekadën e parë të pavarësisë edhe Nusret Haxhiu. "Kjo është një kënaqësi me thënë shtet...por nuk jemi duke punuar sa duhet për shtet, sepse shteti është një diçka shumë i shenjtë, por ne nuk po ia dimë vlerën, nuk po e dimë se çka po duam për vete. Kjo do të thotë që nuk kemi arritur diçka çka kemi pritur. Kur i shohim shtetet e rajonit përreth dhe ne sikur nuk po duam të punojmë për vetveten, për shtetin tonë. Fajtorë, fajtorë është krejt populli, njerëzit e zgjedhur, kë tjetër ta lëmë fajtorë, ta lëmë fajtorë veten, sepse nuk po punojmë sa duhet për shtet, edhe ata që po i zgjedhim edhe populli vetë, sikur jemi të prirë për të mos bërë shtet, sikur i zoti i shtëpisë që nuk e udhëheq mirë shtëpinë, atëherë çka!? Të rinjtë i kanë humbur shpresat krejt, janë shumë duke dalë jashtë. Çdo të dytin a të tretin, cilindo që e takon ka për të thënë se nuk është i interesuar për të ndenjur këtu. Do të thotë që nuk ka kushte as për jetesë, as për asgjë. E kemi shëndetësinë që ankohen njerëzit... pse po shkojnë në Maqedoni, pse po shkojnë andej- këndej, ata prej zorit po shkojnë. Do të thotë që nuk po ia vlen asgjë edhe unë, edhe pse nuk kam qenë ithtar i asaj për të ikur prej këtij vendi, por po të imponohet, kështu që nuk mund ta fajësosh asnjë njeri, i cili del nga këtu dhe shkon diku jashtë", tha Nusret Haxhiu.

I motivuar për festë nuk është aspak as qytetari tjetër Ramadan Kajtazi."Sipas mendimit tim, boll pak gjë ka përparim, edhe pse i kemi kaluar dhjetë vjet shtet, diçka nuk po shkon në rregull, nuk e di pse, gjithkush e jep atë mendimin e vet, por populli është shumë i zhgënjyer, s'ka punësim, nuk ke pse shkon as te mjeku, s'ka vende të reja pune, nuk ke se ku shkon, po i marrin vetëm me të njohshëm. I kam dy djem me fakultet të mbaruar, që të dytë vetëm po rrinë. Madje, me këtë kaosin që e bënë, nuk ka pasur nevojë, shkuan e na e qitën faqen e zezë për asgjë hiç dhe përsëri ranë po aty, veç sa na qitën në dy gjunjë, me këtë Gjykatën Speciale, sepse nuk jemi ne ata që mundemi, nuk kemi "kaçik" dhe s'mund të bëjmë asgjë. Duhet të shkojmë ashtu qysh thonë këta që na kanë ndihmuar, edhe këta të BE-së, edhe të Amerikës, që gjithnjë na kanë përkrahur dhe po na përkrahin dhe përtej tyre nuk kemi ku të shkojmë", u shpreh Kajtazi për "Kosova Sot".

Me zemër të thyer dhe pa ndonjë dozë shprese për të ardhme më të mirë me këtë kastë politike, e pret festën e Pavarësisë në 10- vjetor edhe qytetari Sadri Sadriu. "Përvjetorin ne e presim shumë mirë, por problemi është që ka akoma shumë gjera të pakryera dhe nuk po na vijnë punët qysh duhet, nuk po kruhen punët qysh duhet të kryhen. Në përgjithësi, punët nuk janë duke shkuar mirë, sipas mendimit tim. Jemi ne që nuk po i kryejmë punët tona, sepse po duan që gjithnjë të jenë vetëm bajraktar. Punësimi është katastrofal, të rinjtë ishalla kur të vijnë mbërrijnë diçka më mirë, por nëse nuk ka ndonjë ndryshim rrënjë- sor në politikë nuk është në rregull", tha për "Kosova Sot", Sadriu.

Edhe qytetari tjetër Sabri Kadriu, njëkohë- sisht President i Forumit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkufitar e Ndërshtetëror, thotë se ka shumëçka që i mungon shtetit të ri të Kosovës në këtë përvjetor, prandaj edhe sipas tij, dëshira për të festuar është zbehur shumë nga zhgënjimi qytetar në ngecjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të kushteve për punësim të fuqisë së re punëtore. "Nuk ke ti vend në botë ndoshta të izoluar ashtu qysh është Kosova, fajtor për këtë është prej fillimit, fillimisht UNMIK-u, e më pastaj qeveritarët", tha Kadriu për "Kosova Sot". Sipas tij, indikatori kryesor për sukseset e shteti janë rritja e punësimit, rritja e të ardhurave, rritja e mirëqenies, rritja e eksporti, rritja e aftësisë akumuluese dhe reprodukuese, dhe në të gjithë këta indikatorë Kosova është nën nivelin ballkanik.

(Kosova Sot)