Trekëndëshi kriminal e ka bllokuar drejtësinë

  • 14 February 2018 - 07:58
Trekëndëshi kriminal e ka bllokuar drejtësinë

PROKURORËT, AVOKATËT DHE GJYQTARËT NË KOSOVË

Kelmendi: Ky është një biznes kriminal, derisa po bëhet trafikimi i drejtësisë në trekëndëshin avokat-prokuror-gjykatës, duke realizuar seanca pa fund, pa ndonjë epilog të gjykimeve

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë, duke vlerësuar dështimin e funksionimit të pavarur dhe profesional të shtetit të së drejtës në Kosovë, theksojnë se në këtë fushë të kapur thellë nga politika dhe krimi i organizuar, po bëhet një biznes i pistë dhe kriminal në drejtësi, pikërisht nga trekëndëshi avokatprokuror-gjykatës, me seancat e pafundme që kryesisht i kushtojnë xhepit të qytetarëve të pambrojtur e të nëpërkëmbur, e që kurrë nuk e marrin drejtësinë e bazuar në ligje, ngase trafikimi në drejtësinë kosovare në baza ditore e bënë shitblerjen e lëndëve dhe të vetë drejtësisë një punë krejt rutinë. Sipas opinionistëve, me këto veprime kriminale drejtësia e kapur nga rrjetet e krimit të organizuar po i shkel të drejtat elementare njerëzore e qytetare, sepse është shndërruar në një sistem të degraduar, të korruptuar dhe të stërkequr të drejtësisë në Kosovë. Analistët theksojnë se nga drejtësia e munguar ligjore, qytetarëve u shkelen të drejtat e tyre, sepse proceset zvarriten me shumë vjet, kështu që qytetarëve nuk u ndahet dhe as u jepet drejtësia që u takon me ligje e që u garanton Kushtetuta e vendit, ngase gjyqtarët e prokurorët të mbështetur e të ndikuar nga politika e mafio-oligarkia kriminale qëndrojnë e veprojnë " mbi ligjin"

Drejtësia e nëpërkëmbur

Sipas Naim Kelmendit, fatkeqësisht, ky është një biznes kriminal që mund ta quajmë me ketë emër, derisa kështu po bëhet trafikimi i drejtësisë në trekëndëshin:avokatprokuror-gjykatës,duke realizuar seanca të pafund pa ndonjë epilog të gjykimeve,por që kjo prek dhe rëndon apo i kushton xhepit të qytetarëve të pambrojtur e të nëpërkëmbur,pa mundur asnjëherë që të marrin drejtësinë e pritur,që në të vërtetë iu takon me ligj. "Por, fatkeqësisht, ky trafikim në drejtësinë kosovare në baza ditore e bën shitblerjen e lëndëve dhe të vetë drejtësisë,duke i shkelur kështu drastikisht të drejtat elementare njerëzore e qytetare nga sistemi i degraduar dhe i korruptuar i drejtësisë në Kosovë...gjithashtu nga drejtësia e munguar qytetarëve u shkelen po ashtu të drejtat e tyre në ndarjen e drejtësisë, derisa proceset zvarriten me vite, kështu që më pastaj kjo drejtësi e vonuar e humb kuptimin e vet dhe s'mund të quhet drejtësi fare", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

"Biznesi kriminal në drejtësi nga trekëndëshi avokat-prokurorgjykatës, është bërë shkaktari kryesor i katandisjes dhe humbjes së kredibilitetit të sistemit të drejtësisë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Biznes të pistë e sheh këtë lidhje në trekëndëshin avokatprokuror- gjykatës edhe analisti Florim Zeqa. "Prolongimi i qëllimshëm me seancat e pafundme nga trekëndësh i sipërpërmendur, është bërë sikurse "Trekëndëshi i Bermudeve", i cili, përveç njollosjes së imazhit të drejtësisë, është duke i kushtuar shtrenjtë xhepit të qytetarëve të pambrojtur e të nëpërkëmbur, e që kurrë nuk e marrin drejtësinë e bazuar në ligje, ngase trafikimi në drejtësinë kosovare në baza ditore e bën shitblerjen e lëndëve, e ka kthyer drejtësinë në padrejtësi për qytetarët", u shpreh ai. "Drejtësia kosovare e degraduar, e korruptuar dhe e stërkequr po i shkel të drejtat elementare njerëzore e qytetare, duke ua zvarritur proceset gjyqësore me vite të tëra, derisa ato të humbin kuptimin dhe rëndësinë. Kësisoj, asnjëherë qytetarëve nuk po u ndahet dhe as u jepet drejtësia që e meritojnë dhe u takon me ligje e që ua garanton Kushtetuta e vendit, ngase gjyqtarët e prokurorët, të mbështetur e të ndikuar nga politika e mafio-oligarkia kriminale, qëndrojnë e veprojnë mbi ligjin dhe Kushtetutën e vendit", tha Zeqa për "Kosova Sot". 

Biznesi profitabil me ligjin

"Janë rastet e shpeshta kur lënda fle ose balsamohet diku në sirtarët e gjykatave, e fshehur nga vetë gjykatësit ose në prokurori nga vetë prokurorët, ose nga gjyqtarë e zyrtarë të drejtësisë", theksoi Naim Miftari për "Kosova Sot" 

Eksperti i fushës së të drejtës, Naim Miftari ka pohuar se fatkeqësisht qytetarit tonë në Kosovë i shkelen pothuajse rregullisht të gjitha të drejtat themelore të njeriut, ku mungon fillimisht mirëqenia sociale, e shoqëruar edhe me mungesën e drejtësisë. "Dhe, sot për sot biznesi më profitabil është drejtësia, ku brenda natës bëhesh milioner menjëherë pas politikës, profitabilë janë edhe të qenit prokurorë,gjyqtarë ose avokatë, pasi këta luajnë rolin e sekserit ose "vetëshërbimit", ku shiten lëndët penale, sa më e rëndë me qenë lënda penale, aq më shtrenjtë kushton. Nëse një qytetar sot pret drejtësi, e para është që do të pretë shumë vjet kot, që edhe kur të shqyrtohet lënda, del se qytetarit i ka skaduar koha dhe sidomos vlera pasi s'i duhet më", shpjegoi ai. "Prandaj, këtu ligji nuk vlen vetëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ai nuk vlen fillimisht për politikanët e korruptuar, nuk vlen për parasistemet politike dhe nuk vlen për bosët e nëntokës, që janë njerëz politikë dhe nuk vlen për ta, sikurse që nuk vlen as për kriminelët ndërkombëtarë, që Kosovën e kanë sikurse i kanë kartelet e drogës kolumbiane. Pra, të tillë ata e kanë Kosovën që e shfrytë- zojnë për t'u pasuruar me anë të korrupsionit. Konsideroj se pa një kryengritje paqësore masive qytetare, sikurse në Rumani, dhe pa mbështetjen serioze amerikane për një Vetting serioz masiv në organet e drejtësisë, të ndjekjes dhe inteligjencës, Kosova nuk do ta marrë veten kurrë nga kanceri i korrupsionit vendor dhe ndërkombëtar, edhe në fushën e sundimit të ligjit", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

Qytetari i shkelur

"Institucionet e drejtësisë në Kosovë janë institucione ku trafikohen të drejtat e qytetarëve; gjyqtarët dhe prokurorët i trajtojnë qytetarët si klientë të tyre, dhe ligjin e drejtësinë i trajtojnë si të drejta personale të tyre pronësie, pazari e ankandi, gjyqtarët e prokurorët bëjnë vetëgjyqësinë duke ua "dhuruar" të drejtën atyre të cilët paguajnë më shumë, ku avokatët luajnë rolin e sekserëve", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot" 

Analisti politik Skënder Kapiti vlerë- son se qytetari kosovar sot është i nëpërkëmbur nga politika dhe i persekutuar nga drejtësia. Ai thotë se Pavarësia e Kosovës mbush tani 10- vjetorin, por sovranitetin, shtetit të Kosovës dhe qytetarit të saj ia kanë rrëmbyer korrupsioni dhe krimi i politikës dhe ai i sistemit të drejtë- sisë. "Shoqëria kosovare është infektuar edhe ajo nga korrupsioni, paligjshmëria dhe nga padrejtësia. Kur shtetin e kap dhe e sundon antiligji, krimi dhe korrupsioni, si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën, atëherë kemi të bëjmë me shtete inerciale, të falimentuara dhe të dështuara, pasi nuk janë dhe nuk funksionojnë si shtete demokratike dhe as si shtete ligjore , ku të sundojë e të qeverisë ligji dhe e drejta", u shpreh ai. "Kosovës i mungon demokracia, i mungon drejtësia, i mungon përgjegjshmëria institucionale, sepse politikën,pushtetin dhe ligjin,pra edhe shtetin dhe shoqërinë i sundon antishteti, korrupsioni dhe sidomos mbi të gjitha i sundon tradhtia", vijoi më tej Kapiti. " Në këtë gjendje liritë dhe të drejtat e njeriut, e drejta shtetërore, demokracia,shteti ligjor, patriotizmi e sovraniteti qarkullojnë vetëm si nocione me të cilat vetëm sa spekulojnë dhe matrapazojnë e mashtrojnë politika dhe politikanët si dhe sidomos drejtësia e padrejtësisë në Kosovë", theksoi ai për "Kosova Sot".  

(Kosova Sot)