Çdo vit, tre miliardë në xhepat e mafio-oligarkëve

  • 14 February 2018 - 08:03
Çdo vit, tre miliardë në xhepat e mafio-oligarkëve

Informaliteti i dirigjuar nga nëntoka dhe skemat mafioze

Beqiri: Në shtetin tonë ekzistojnë tri lloje ekonomish: zyrtare, informale dhe kriminale

Që nga paslufta e deri më sot ekonomia joformale në Kosovë po vazhdon të udhëhiqet nga nëntoka kriminale, me mafio-oligarkët e inkriminuar si në politikë po ashtu edhe në parapolitikë, ndërkaq institucionet relevante dhe prokuroria e policia heshtin e nuk veprojnë fare. Doemos shtrohet pyetja se përse pushtetarët tanë të pasluftës po lejojnë që ekonomia joformale të vazhdojë të jetë më shumë se 35-38 për qind e bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth afro 2-3 miliardë euro në vit. Si mund të ketë zhvillim ekonomik kur mafio-oligarkët sundojnë dhe e kanë në dorë çdo sektor, përfshirë edhe komplet ekonominë joformale, përmes rrjetit të krimit të organizuar nga ana e tyre. Siç po duket, pushtetarëve tanë të inkriminuar po u konvenon ekonomia joformale, kur dihet se shumë politikanë kanë grumbulluar qindra miliona euro në mënyrë kriminale, përmes kompanive të lidhura me ta, të cilat i dirigjojnë dhe ua vjelin " tallin" e madh. Jo kot thuhet se gati çdo vit përfundojnë 2-3 miliardë euro të buxhetit të shtetit dhe të qytetarëve drejt në xhepat e kontot e nëntokës kriminale dhe politikanëve të tejinkriminuar në krim të organizuar. Ko është në fakt mënyra e pasurimit të pushtetarëve prej vitit 1999 e deri më sot, pasi që pasuria e tyre fund e krye është e pajustifikueshme, ndërkaq që bën nga disa qindra miliona kryesisht përmes informalitetit, kontrabandës dhe futjes nën kontroll të disa kompanive të mëdha kriminale. Veç saj, ka ose politikanë mbi ligjin që kanë krijuar monopol të paparë e të pashembullt në çdo fushë, përfshirë edhe monopolet në import, në shërbime, në licenca speciale, por edhe në të gjitha fushat e tjera më fitimprurëse në vend.

Goditja e buxhetit

"E tërë kjo situatë po e krijon një pabarazi në treg dhe po e prish konkurrencën dhe në saje të këtij informaliteti edhe po i dekurajon investitorët e huaj", tha Muhamet Mustafa për "Kosova Sot"

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Mustafa, tha për "Kosova Sot" se nga informaliteti buxheti zvogëlohet për taksat që duhet paguar, që i bie se janë më shumë se 500 milionë euro informalitet, që është një shumë tepër e madhe."Ndërkaq, se përse po ndodh kjo i tërë problemi është se nuk po vepron shteti ligjor, kurse veç saj të gjitha shtetet në rajon kanë probleme me ekonominë informate, por në vendet në tranzicion, sikurse tek ne, informaliteti është më i madh", u shpreh ai."Nëse tolerohet që mos të paguhet taksat ndaj shtetit në këto raste të informalitetit nuk përjashtohet mundësia e ndarjes së "tallit" dhe kjo ka mundësi të ndodhë, sepse kjo ndodh kur dikush detyrohet që të paguajë taksa e dikush lejohet që mos të paguajë", potencoi ai.

"Çdo vit rreth 3 miliardë euro para të buxhetit të shtetit dhe të qytetarëve tanë, për fatin e keq, po përfundojnë drejt në xhepat e kontot e grupeve kriminale dhe politikanëve të tejinkriminuar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" 

Ndërsa analisti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" tha se në teoritë ekonomike ekonomia informale është shuma e gjithë aktiviteteve ekonomike që kontribuojnë në prodhimin e përgjithshëm bruto zyrtar, por që nuk regjistrohen e nuk janë të taksuara rregullisht dhe që nuk bëjnë pjesë në aktivitetin kriminal."Në shtetin tonë ekzistojnë tri lloje ekonomish: zyrtare, informale dhe ai kriminal. Prandaj, në rastin tonë rol jetik në disbalancin tregtar luajnë bizneset informale dhe ato kriminale, të cilat janë duke shkaktuar edhe dëme marramendëse në kulturën e të bërit biznes, një biznes, i cili ka histori të mirë, nuk ka mbështetje as nga shteti as nga asnjë mekanizëm relevant, mjafton të shikohet falja e borxheve ambalazhuesve mashtrues të ujit rreth 60 milionë dhe a mund të më gjeni ju një shembull që i është falur ndonjë tatim ndonjë biznesi serioz dhe që punon me rregull, pra te ne favorizohen mashtruesit e shtypen ata që punojnë në djersë dhe në rregull", u shpreh ai."Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm, si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që tëgjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale", vijoi më tej Beqiri. Sipas tij, autorë dhe publikime të ndryshme kanë përllogaritur se ekonomia joformale e Kosovës vlerësohet të jetë në mes të 40 për qind - 60 për qind, duke përdorur tregues sikurse janë numri i të punë- suarve në ekonominë formale dhe joformale, numri i ndërmarrjeve, të cilat punojnë në lëmin formal dhe joformal, si dhe shifrat krahasuese të shteteve tjera. 

Të fortët kontrollojnë krimin ekonomik

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se evazioni dhe informaliteti në ekonominë e Republikës së Kosovës është evident dhe këtë nuk mund ta bëjë çdo njeri apo biznes, por këtë e bëjnë njerëzit e fuqishëm ekonomikisht, që sot thonë dhe lavdërohen se po punësojnë dhe po e mbushim buxhetin e vendit dhe nuk e shohin se bukur shumë biznese më shumë janë duke i shkaktuar dëme dhe po e vjedhin buxhetin e vendit sesa që janë duke i ndihmuar vendit. "Pasuria dhe monopolet që kanë krijuar disa biznese në vend këto të gjitha i kanë bërë duke i shkelur ligjet dhe duke bërë kontrabandë dhe krime të organizuara në ekonomi, sepse nuk mund të pasurohen bizneset aq shpejt, siç janë pasuruar disa biznese dhe individë me punë të ndershme dhe në përputhje me ligjin. Të gjitha produktet, të cilat kanë akcizë në vendin tonë mbi 50 për qind e tyre kontrabandohen dhe gjinden e shiten në vendin tonë ende te ne, edhe pas dhjetë viteve pavarësi, ka shumë pompa të karburanteve të pafiskalizuara , ka tonelata cigare që kalojnë pa paguar doganë dhe shumë gjëra të tjera dhe këto i dinë të gjithë", potencoi ai."Është koha e fundit që qeveria e re duhet të veprojë në institucione se duhet të luftojnë këtë dukuri e sidomos Doganat, Administrata Tatimore, Policia e sidomos ajo e krimeve ekonomike, me qëllim që të ndalet shkalla e lartë e kontrabandës, e cila është duke i shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të vendit dhe po pasurohen individët e caktuar. Prandaj, është momenti i fundit që të gjithë ata që e duan këtë vend t'i shpallin luftë kësaj të keqe që e ka kapluar vendin, sot nuk ka patriotizëm më të madh sesa të kontribuosh në buxhetin e vendit, sepse me këtë do të kemi më shumë zhvillim ekonomik, arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë, por edhe të jetohet më mirë dhe me dinjitet", u shpreh Neziraj. 

"Qeveria e re duhet të ketë një kontroll më të madh në institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar këtë dukuri që është duke e falimentuar shtetin dhe besoj se në këtë drejtim shumë shpejt do të shihen rezultatet nga Qeveria", tha për "Kosova Sot" Xhevdet Neziraj"

"Tallin" e madh e vjelin pushtetarët Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se edhe këto vite në liri ekonomia joformale në Kosovë vazhdon të udhëhiqet nga nëntoka kriminale me mafio-oligarkët e inkriminuar, si në politikë po ashtu edhe në parapolitikë, ndërkaq institucionet relevante dhe prokuroria e policia po heshtin e nuk po veprojnë fare."Po lejohet që ekonomia joformale të vazhdojë të jetë më shumë se 35-38 për qind e bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth afro 2-3 miliardë euro në vit. Andaj shtrohet pyetja se a mund të ketë zhvillim ekonomik kur mafio-oligarkët sundojnë dhe e kanë në dorë çdo sektor, përfshirë edhe komplet ekonominë joformale, duke e bërë këtë përmes rrjetit të krimit të organizuar dhe nga vetë ata", ka theksuar ai."Si po duket, kjo situatë po u konvenon pushtetarëve të inkriminuar, ekonomia joformale, kur dihet se shumë politikanë kanë grumbulluar qindra miliona euro kriminalisht, përmes kompanive të lidhura me ta, të cilat i dirigjojnë dhe ua vjelin "tallin" e madh. Ndaj kështu po përfundojnë gati çdo vit 2-3 miliardë euro të buxhetit të shtetit dhe të qytetarëve drejt në xhepat dhe kontot e nëntokës kriminale dhe politikanëve të tejinkriminuar në krim të organizuar", ka vlerësuar më tutje Guraziu. 

Bandat bëjnë ligjin

"Shikoni vetëm si luajnë dhe nuk i bëjnë për pesë para hesap, as doganat e as sistemin e kalbur gjyqësor, as prokurorinë", tha Reshat Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot"

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot" tha se mafio-oligarkët dhe politika janë të lidhura ngushtë me nëntokën kriminale për të ndarë pazarin bashkë ,ndërkaq ia kanë zënë frymën ekonomisë së Kosovës."Këto banda mafioze nuk e lënë ekonominë e vendit të ngritin krye, atë e lejojnë vetëm në përmasa sa për të mos u hetuar", u shpreh ai."Edhe sistemi i kalbur gjyqësor merr pjesë në ndarjen e tortës, përndryshe nuk ka se si shpjegohet ndryshe, kur krimi ekonomik nga mafio-oligarkët ka vite që lulëzon dhe në anën tjetër e dëmtojnë me miliona buxhetin e shtetit dhe si ka mundësi të mos ngrihet asnjë vepër penale kundër këtyre bandave të kanaleve të nëntokës, të mafio-oligarkëve dhe të lidhura si mishi me thoin me bandat që nga majat e larta të shtetit,Qeverinë kuislinge, Kuvendin kukull, banditët dhe kryebanditët e bandave politike", potencoi ai. "Të veprojnë lirshëm dhe të dëmtohet me qindra miliona buxheti i shtetit dhe prokuroria e të mos reagojë. Këtë nuk mund të arsyetojë askush", theksoi Badallaj-Zhuriani. Sipas tij, këto banda mafioze të nëntokës kriminale kanë nën vëzhgim çdo imtësi të çdo dikasteri, kanë agjentët e vet për të mbuluar të zezat e tyre për të fshehur gjurmët dhe janë grupi më kriminal i organizuar i nëntokës kriminale, jo vetëm në vend, por janë më të rrezikshmit në Ballkan.

(Kosova Sot)