Qytetarët braktisin vendin nga mafio-oligarkët që e kanë kapur shtetin (VIDEO)

  • 16 April 2018 - 10:29
Qytetarët braktisin vendin nga mafio-oligarkët që e kanë kapur shtetin (VIDEO)

"Kosova ka kohë që ka degraduar në aspektin politik dhe si duket derisa që ta fundosë përfundimisht nuk do të hiqet nga pushteti çizmja e Hashim Thaçit , Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt. Pra, taktika e politikanëve është që popullata të largohet, sepse sa më pak popullatë politikanët do të kenë më shumë të ardhura", është shprehur eksperti i integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot

Trendi i varfërisë që e ka kapluar Kosovën e pasluftës ka vazhduar edhe në këtë vit, sepse me vetëm 1 euro e 30 centë e nisin ditën shumë kosovarë, ndërkohë që me më pak se dy euro edhe e përfundojnë ditën ata. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 17.6 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri me nga 1.82 euro në ditë, ndërsa 5.2 për qind në varfëri ekstreme, me nga 1.30 euro në ditë. Ndërkaq, shkalla e papunësisë në Kosovë ka shënuar rritje. Derisa në vitin 2016 norma e papunësisë ishte 27.5 për qind, në vitin 2017 ishte 30.5 për qind. Pra, krahasuar me vitin 2016, në vitin 2017 kemi rritje të shkallës së papunësisë me 3 për qind, thotë raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Gjatë vitit 2017 është evidentuar një rritje e shkallës së papunësisë afatgjatë, me 71.5 për qind, ku në vitin 2016 ishte 65.5 për qind. Si mbeti Kosova, edhe pse hymë në vitin e 11-të të paspavarësisë, si dhe 19 vjet pas luftës, shtet ku sundon krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ndërkaq afro 20 për qind e kosovarëve jetojnë me më pak se 1.82 euro në ditë dhe çdo vit rritet numri i të papunëve. Andaj analistët pyesin se ku mbetën premtimet për rritje pagash për qytetarët në 1000 euro, ato për zhvillim ekonomik e sundim të ligjit. Së këndejmi, ata shtojnë se është pikërisht kjo gjendje e rëndë, e kriminalizuar dhe pa pikë perspektive që po i shtyn qytetarët tanë që të gjejnë çdo mënyrë për të ikur sa më larg Kosovës dhe klasës politike tërësisht të inkriminuar.

Kelmendi: Sa më shumë varfërohet populli, aq më shumë pasurohen pushtetarët

Eksperti i integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për "Kosova Sot" theksoi se një taktikë e vjetër e sistemit lindor, që sa më shumë ta varfërosh popullin dhe sa më shumë ta pasurosh vetveten është njëra nga taktikat që funksionon më së miri për popujt që po kalojnë fazën e tranzicionit. Pra, këtë model e ka marrë edhe kasta politike e Kosovës, e udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi dhe këtë po e ndjekin edhe liderët e tjerë. Sipas Kelmendit, bazuar në statistikat zyrtare, në Kosovë në vend që të zvogëlohej papunësia po shkohet drejt varfërimit, por edhe të zhytjes së papunësisë. "Kjo vjen si rezultat i rritjes së mirëqenies së politikanëve dhe liderëve të tjerë. Sepse një popull që nuk ka vetëdije për ta dënuar kastën politike natyrisht se ajo do t'i kthehet si bumerang dhe kjo do të ndikojë për të keq", është shprehur ai. Kelmendi thekson se ndoshta është qëllim i caktuar nga politika vendore dhe ajo e huaj që ta lodhin këtë popull gradualisht dhe në momentin kur të hapet liberalizimi ky popull të marshojë, aq më tepër kur dihet se Kosova e ka popullatën më të re në Evropë dhe një gjë e tillë do t'i konvenonte për të rinuar dhe rritur popullatën në shtetet e tjera."Kosova ka kohë që ka degraduar në aspektin politik dhe si duket përderisa ta fundosë përfundimisht nuk do të hiqet nga pushteti çizmja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt. Pra, taktika e politikanëve është që popullata të largohet, sepse sa më pak popullatë, politikanët do të kenë më shumë të ardhura", është shprehur Kelmendi. 

Haziri: Kosova është një vend pa perspektivë për të jetuar Analisti

politik Arsim Haziri theksoi për "Kosova Sot" se rritja e përqindjes së papunësisë, respektivisht mostrajtimi i këtij problemi kolektiv, është derivat ekskluziv i qeverive, i të gjithave."Kosova përgjithësisht është një vend pa perspektivë, vend që nuk ofron kushte për jetë të dinjitetshme, prandaj njerëzit po largohen nga Kosova. Ky fenomen është fatkeqësi tejet i madh dhe ndaj kësaj askush prej të gjitha qeverisjeve nuk është marrë, madje në mënyrën siç e kanë udhëhequr vendin e kanë ngulfatur edhe më shumë ekonominë kosovare. Këtë së fundi e dokumenton edhe kabineti qeveritar i qeverisë 'Haradinaj'", është shprehur Haziri. Ai shtoi: "Nëse duam të tërheqim paralele me shtete perëndimore, atëherë po jap disa shembuj, p.sh. 30 për qind e buxhetit të BE-së shkon për bujqësi, ndërsa në Amerikë pjesa më e madhe e agjendës shtetërore shkon në relacion me sistemin ekonomik dhe atë ushtarak. Ndoshta krahasimi mund të tingëllojë absurd, por unë po ndërlidhemi me logjikën, me prioritetin që e kanë ndjekur. Sikur kjo logjikë dhe mënyrë operimi të ishte nga të gjitha qeverisjet, sot Kosova do të ishte ekonomi e fuqishme, ku qytetarët e saj nuk do të vendosnin me ngulm për të ikur prej kësaj hapësire", është shprehur Haziri për "Kosova Sot"

Guraziu: Qytetarët po largohen shkaku i mungesës së perspektives

Analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" theksoi se ku mbetën premtimet për rritje pagash për qytetarët në 1000 euro, ato për zhvillim ekonomik e sundim të ligjit. "Është pikërisht kjo gjendje e rëndë, e kriminalizuar dhe pa pikë perspektive, që po i shtyn qytetarët tanë që të gjejnë çdo mënyrë për të ikur sa më larg Kosovës dhe klasës politike tërësisht të inkriminuar", është shprehur ai. Sipas Guraziut, askush nuk jeton në një vend ku shkalla e papunësisë përherë vjen në rritje, sepse të dhënat të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se 17.6 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri, me nga 1.82 euro në ditë, ndërsa 5.2 për qind në varfëri ekstreme, me nga 1.30 euro në ditë."Kjo le të kuptojë se shkalla e papunësisë në Kosovë ka shënuar rritje. Derisa në vitin 2016 norma e papunësisë ishte 27.5 për qind, në vitin 2017 ishte 30.5 për qind. Kur krahasohet me vitin 2016, në vitin 2017 kemi rritje të shkallës së papunë- sisë me 3 për qind", është shprehur ai

Qytetarët të pakënaqur me gjendjen politike dhe ekonomike në Kosovë

Qytetarët e anketuar thonë se ata janë të pakënaqur me aktualitetin e tashëm politik dhe për këtë ata edhe po e braktisin Kosovën. Qytetari Hebib Dernjani, nga Hani i Elezit, theksoi për "Kosova Sot" se jostabiliteti politik në Kosovë, për shkak të qeverisjes së Kosovës, është fajtori kryesor që po i shtyn të rinjtë tanë që të braktisin Kosovën, sepse nuk i është kushtuar kujdes zhvillimit ekonomik të vendit. Ai shtoi se shumica e pushtetarëve tanë, veçanërisht partitë politike që në momentin kur kanë ardhur në pushtet të njëjtat më shumë janë marrë me interesat personale sesa që janë marrë me hallet dhe dertet e qytetarëve tanë. "Ata nuk kanë qenë të interesuar që ta zhvillojnë vendin", është shprehur ai për "Kosova Sot". Sipas qytetarit Dernjani, kjo edhe i ka shtyrë qytetarët tanë që të ikin jashtë vendit, ngase perspektivë për jetë në Kosovë me këtë garniturë pushtetarësh nuk ka. Ai thotë se në Kosovë nuk ka një stabilitet të duhur politik. Edhe qytetari tjetër Shaban Dernjani, për "Kosova Sot", theksoi se fajtor për këtë situatë të mjerë që e kemi është korrupsioni dhe ajo që duhet bërë është futja në burg e tërë kësaj kaste politike dhe të kuvendarëve e qeveritarëve tanë."E tërë garnitura e tashme e pushtetarëve tanë duhet të ndërrohet dhe në skenën politike duhet të vijë një klasë e re politike, që nuk ka njolla dhe afera. Kjo ngase se kjo klasë politike aktuale po i detyron të rinjtë tanë që të ikin jashtë vendit, sepse askush nuk dëshiron që të jetojë në një vend ku 20 për qind e qytetarëve të saj kanë vetëm nga 2 euro në ditë të ardhura personale. Ndërsa qytetari Visar Vila thotë për "Kosova Sot" se si i ri në moshë nuk sheh ndryshime në Kosovë për të mirë, si para ashtu edhe pas pavarësisë së vendit. "Politikanët tanë po punojnë vetëm për veten e tyre dhe jo për popullin", është shprehur ai. Shton se dhe vetë po të kishte mundësi do të largohej nga Kosova, sepse këtu nuk ka perspektivë dhe fajtorë për këtë gjendje janë politikanët tanë

 

(Kosova Sot)