Partia e Merkelit, kritike ndaj projekteve të Macronit për eurozonën

  • 16 April 2018 - 23:24
Partia e Merkelit, kritike ndaj projekteve të Macronit për eurozonën

Partia konservatore e Angela Merkel u distancua sot me projektreformat në zonën euro të presidentit francez, Emmanuel Macron, një ditë para fjalimit të këtij të fundit, në Parlamentin Europian.

Unioni Demokristian (CDU) i kancelares kritikoi në mënyrë të veçantë idenë e krijimit të një buxheti të zonës euro për të ndihmuar investimet.

“Mendoj se nuk do të ishte një ide e mirë të kemi një buxhet të dytë, të ndryshëm nga ai që ekziston tashmë në Bashkimin Europian”, theksoi për shtypin sekretarja e përgjithshme dhe numri dy i lëvizjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, një bashkëpunëtore e afërt e Angela Merkel.

“Bashkimi Europian, pas Brexit, ka shumë sfida buxhetore përpara, për të kompensuar largimin e Britanisë së Madhe”, theksoi ajo.

Ajo nënvizoi gjithashtu se vendet e zonës euro përbënin 85% të buxhetit të plotë aktual të BE-së dhe nga ky fakt një buxhet i dytë duket i vështirë për t’u krijuar.

“Si pasojë, ne jemi të mendimit se duhet të kemi si prioritet të merremi me çështjen e buxhetit kryesor të Bashkimit Europian”, shtoi Kramp-Karrenbauer.

Ajo u shpreh në përfundim të një takimi të deputetëve të partisë demokristiane dhe aleatit bavarez (CSU), lëvizje ende shumë skeptike ndaj propozimeve europiane të presidentit francez, Emmanuel Macron.

(Kosova Sot)