Ish mjeku i UÇK-së: Ramushi, Remi, Samia, Sulltani, Hashimi, Rexha, Kamishi nuk janë legjenda - Lajme - Kosova Sot
Ish mjeku i UÇK-së: Ramushi, Remi, Samia, Sulltani, Hashimi, Rexha, Kamishi nuk janë legjenda

Ish mjeku i UÇK-së: Ramushi, Remi, Samia, Sulltani, Hashimi, Rexha, Kamishi nuk janë legjenda

Ish mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi në një postim të tij në Facebook ka shkruar se kush duhet të konsiderohet legjendë në Kosovë e kush jo.

Sipas tij, Adem Jashari nuk është legjendë po hero i gjallë, dëshmor i popullit për liri.

Por ai shkruan poashtu se liderët politikë, të cilët i përmend me emër, nuk janë legjenda, por që kanë kontribuar në një moment historic për Kosovën, por edhe kanë shfrytëzuar çdo nam që iu ka dhënë lufta për përfitime politike e material.
 

Ylli është yll, nuk është legjendë

Nuk e besoj se ka një popull tjetër në botë që përdorë më shumë se ne (jo të gjithë natyrisht) fjalën legjendë dhe në të shumtën e rasteve në kontekst krejt të gabuar. Legjendë Adem Jashari. Ok. Mund të thuhet se flijimi i familjes Jashari (jonvetëm i familjes se Shaban Jasharit, por edhe i familjeve fqinj që u flijuan bashkë me të) ishte sakrificë në përmasa të pabesueshme, pra jo reale, apo mitike, legjendare. Por ne kemi edhe pëplot raste tjera gjatë historisë që individë të caktuar u flijuan për liri të popullit të vet dhe këta janë dëshmorë, janë heronj, por nuk janë legjendë as nuk janë legjendarë. Në këtë aspekt pra as Adem Jashari nuk është legjendë, është hero real, deshmor i popullit të vet për liri. Të tjerët, Ibrahim Rugovën e quajnë legjendë. Nuk është legjendë. Është njeriu që përfaqëson më se miri intelektualët e angazhuar kosovarë në një moment të rëndësishëm politik, kur shqiptarëve iu ishin uzurpuar të drejtat e tyre politike dhe humane nga hegjemonizmi dhe shovenizmi serb. Hiqni nga mendja se Ramushi, Remi, Samia, Sulltani, Hashimi, Rexha, Kamishi e kush e di kush tjetër janë legjenda, siç i quajnë servilët e tyre të mjerë. Këta janë persona realë që kanë dhënë kontribut të çmuar në një moment historik për Kosovën, por këta janë persona që kanë shfrytëzuar çdo nam që iu ka dhënë lufta për përfitime politike e materiale dhe meqë janë aktivë në politikë, ata çdo ditë maten në peshoren e kritikës, e cila më në fund do të vendos se a ishin figura pozitive apo negative për popullin që i takojnë. Pra pyetja është, a do të mbeten si figura negative a pozitive se jo a ishin legjendarë, apo legjendë siç i quajnë disa.

Dhe, në fund dua të dal te Fadil Vokrri, njeri nga futbollistët më të mirë që kishte Kosova dhe për vdekjen e të cilit ndjej dhembje dhe pikëllim njerëzor, sikurse shumica e popullit tim duke qenë se për kohën tonë ishte një yll i vërtetë i futbollit dhe sportit tonë. Por, nuk ishte legjendë siç e quan sot kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe siç e quajnë pa menduar shumë edhe disa te tjerë. Pra, as në kuptimin metaforik, nuk thuhet se ishte legjendë, por një nga yjet e sportit tonë, siç ishte bie fjala Aziz Salihu, Xhevdet Peci, Xhevat Prekazi, apo siç janë sot Majlinda Kelmendi, Lorik Cana etj. Fadil Vokrri pra ishte një talent i rrallë, apobfigurativisht një yll në mesin e shumë telentve, api yjeve që ka dhe do t’i ketë Kosova.
Ne nuk jemi popull legjendarë dhe bijtë e bijat tona më të shquara në lëmi të ndryshme nuk janë legjendarë e legjendare, por janë realë dhe janë reale. Sepse, duke i quajtur legjenda dhe legjendarë njerëzit e suksesshëm ne i dekruajojmë në start të rinjtë, të cilët mund të mendojnë se askush nuk mund ta arrijë nivelin e Fadil Vokrrit për shembull, sepse ai ishte legjendë! Jo, Fadil Vokrri ishte një yll që shkelqeu shumë dhe shkëlqeu gjatë, por mundësia mbetet e hapur që yje të tjerë të dalin nga populli ynë dhe të shkelqejnë edhe më shumë dhe të shkëlqejnë edhe më gjatë.

Ngushëllime familjes dhe popullit tim për Fadil Vokrrin, yllin e futbollit kosovar dhe jugosllav! Njeriun që ia kushtoi jetën e vet futbollit!

(Kosova Sot)

11 orë e 31 minuta më parë
17/12/18