Biznes-politika po e rrënon ekonominë (Video)

  • 13 June 2018 - 10:34
Biznes-politika po e rrënon ekonominë (Video)

Mafio-oligarkët dirigjojnë edhe sipërmarrjen private

"Pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë në komuna apo në qeveri qendrore, ato po i bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to, gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset e tyre, që i financojnë partitë të cilat udhëheqin, qoftë në komunë apo në qeveri", vlerësoi Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

 

Bazuar në vlerësimet e ekspertëve të ekonomisë dhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe papunësisë së madhe në vend, Kosova është duke kapitulluar ekonomikisht. Kjo po ndodh, ngase klasa politike e pasluftës e kanë zhvatur dhe zhytur popullatën në varfëri, duke u pasuruar jashtëligjshëm prej paslufte e deri më sot. Fillimisht me paratë e fondeve të popullit, ato të fondit 'Vendlindja Thërret' dhe ato të fondit të '3- përqindëshit' të Qeverisë 'Bukoshi', kanë marrë nën kontroll të plotë shumë biznese profitabile e monopoliste, të cilave bazat ua kanë regjistruar tanimë në parajsa fiskale dhe kanë bërë nga disa qindra miliona euro, duke e vjedhur popullin përmes të dyja niveleve të pushtetit të instaluar. Ndërkaq e tëra kjo ka bërë që me këto para të vjedhura të popullit të të dyja këtyre fondeve u privatizuan dhe u blenë me qindra miliona euro prona. Në këtë mënyrë popullata po varfërohet e po plaçkitet dhe nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar. Ndërkaq bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin sillen në rreth vicioz dhe e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave e bllokimeve që u bëhen, qoftë në nivelet komunale, apo ato qendrore të pushtetit. Ndërsa kjo ndodh, ngase pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë në komuna apo në qeverinë qendrore, ato po i bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to, gjegjësisht po i ndihmojnë vetëm bizneset e tyre që i financojnë partitë, të cilat udhëheqin qoftë në komunë apo në qeveri. Andaj sipërmarrësi kosovar është i detyruar ose ta mbyllë biznesin menjëherë, ose duhet që të bëhet patericë apo nënkontraktor i firmave të inkriminuara të mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të lidhur me pushtetarët e kriminalizuar në të gjitha nivelet e llojet e pushtetit të kriminalizuar në Kosovë.

Skandale të pandalshme

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për "Kosova Sot" se ekonomia kosovare ka kapitulluar, përderisa partitë politike kanë dertin e vetëm karrigen e tyre, kurse ekonomia dhe sistemi financiar në Kosovë janë jashtë kontrolli."Kosova ka nevojë për stabilitet politik që të ketë zhvillim ekonomik. Besoj që ju kujtohet që në vitin 2014 Republika e Kosovës humbi 4.999 milionë euro nga skandali i pasaportave biometrike, Gjykata e Arbitrazhit me seli në Paris të Francës kishte dhënë opinionin e saj se Kosova kishte bërë shkelje ligjore, duke u dënuar shteti me shumën marramendëse. Edhe gjykatat vendore dënuan me burgim 7 persona me dënim 50 vjet dhe shuma të mëdha parash për të njëjtin rast. Vlera e tenderit ishte 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor 2011. Pastaj kemi padinë nga "ZMobile" ndaj VALA-s, ku Arbitrazhi vendosi në favor të " Z-Mobile", pra Telekomi i Kosovës është i obliguar të paguajë 26.1 milionë euro gjobë, shpërndarja e buxhetit të shtetit pa kriter, pastaj dhënia e 53 milionë eurove për konserciumin 'Bechtel & Enka' është një goditje e madhe për ekonominë dhe buxhetin e brishtë të Kosovës", theksoi ai."Kjo është përtej skandalit, një vend normal nuk duhet lejuar që 53 milionë euro t'i falën një kompanie, ai dyshon se kjo është bërë qëllimisht për t'i ndarë së bashku. Ekonomia e Kosovës po dëmtohet jashtëzakonisht shumë nga kjo garniturë e çoroditur e politikanëve, më 53 milionë euro të dhuruara nga Qeveria", vlerësoi Beqiri. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, janë 295.809.378 euro mjete, të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890,000 euro. 

Pasurimi i jashtëligjshëm i pasluftës

Analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" tha se kjo klasë politike aktuale e pasluftës e ka zhvatur dhe zhytur popullatën në varfëri, duke u pasuruar jashtëligjshëm prej paslufte e deri më sot. "Fillimisht u pasuruan me paratë e fondeve të popullit, të 'Vendlindja Thërret' dhe më pas paratë e fondit të '3-përqindëshit', të qeverisë 'Bukoshi'. Andaj ky pasurimi i tyre ka bërë që ata të kenë marrë nën kontroll të plotë shumë biznese profitabile e monopoliste, të cilave bazat ua kanë regjistruar tanimë në parajsa fiskale dhe kanë bërë nga disa qindra miliona euro, duke e vjedhur popullin përmes të dyja niveleve të pushtetit të instaluar", theksoi ai."U privatizuan dhe u blenë me qindra miliona euro prona nga paratë e vjedhura të popullit të të dy këtyre fondeve. Tani po varfërohet e plaçkitet në këtë mënyrë popullata dhe nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar", vijoi më tutje Guraziu. Sipas tij, bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin sillen në një rreth vicioz dhe e kanë pothuajse të pamundur të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave e bllokimeve që u bëhen, qoftë në nivelet komunale, apo ato qendrore të pushtetit. "Pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë në komuna apo në qeveri qendrore, ato po i bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to, gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset e tyre që i financojnë partitë, të cilat udhëheqin qoftë në komunë apo në qeveri", vlerësoi Guraziu.

Bizneset e dyshimta
 

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se është e qartë se shumica e bizneseve në vendin tonë kanë arritur të bëhen biznese të suksesshme vetëm në mënyra jashtëligjore, duke u ikur tatimeve, por edhe me fonde të dyshimta."Shumica e bizneseve të suksesshme në vendin tonë po t'u bëhet një auditim detal se prej cilës kohë kanë filluar të punojnë dhe me çfarë kapitali financiar kanë filluar shihet qartë se tani me çfarë pasurie posedojnë, do të dalë në shesh se krejt këtë pasuri dhe afarizimin e kanë bërë në forma joligjore", theksoi ai."Në vendin tonë pak biznese pas luftës kanë pasur mjete financiare të mjaftueshme për të zhvilluar biznese në forma të këtilla çfarë kemi sot. Nuk njeh historia në ekonomi që bizneset për një afat të shkurtër të arrijnë pasuri qindra milionëshe për afate çfarë i kanë arritur bizneset tona", ka potencuar Neziraj. "Nuk duhet ndonjë analizë e thellë të bëhet dhe të konkludohet se bizneset të caktuara, që kanë monopole dhe që janë të lidhura me njerëzit e fuqishëm të politikës, janë biznese të mëdha dhe që kanë krijuar asete milionëshe për afate shumë të shkurtra", vlerësoi ai. Edhe biznesmen[, edhe politikan, edhe akademik... Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se duhet të kuptojë elita politike që populli e di se si janë pasuruar. Sipas tij, nuk është normale që një shtet me buxhet të varfër me mirëqenie të ulët me papunësi të madhe, të ketë në anën tjetër politikanë të pasur. "Së pari kjo bie ndesh me ekonominë e tregut, sepse biznesi të krijojë të hyra, sepse njeri vendos a të merret me biznes apo me jetë politike apo akademike. Pra, jeta akademike dhe politike është më e dinjitethme, sepse krijon personalitet në veten e parë, ndërsa biznesi të krijon të hyra, por potencialisht mbetesh mangët nga ana akademike, sepse presioni në biznes nuk të jep atë komoditet", u shpreh ai. Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të pakënaqur me klasën politike të pasluftës. Sipas tyre, kjo klasë politike e pasluftës e kanë zhvatur dhe zhytur popullatën në varfëri, duke u pasuruar jashtëligjshëm prej paslufte e deri më sot dhe duke marrë nën kontroll të plotë shumë biznese profitabile e monopoliste. Qytetari Nebih Begolli për gazetën "Kosova Sot" tha se as e kaluara nuk harrohet lehtë me zhvatjen e Fondeve të '3-përqindëshit' dhe atyre 'Vendlindja Thërret'. "Duhet të japë dikush përgjegjësi herët a vonë dhe duhet që të zbardhen rastet e keqpërdorimit të këtyre dy fondeve, ngase edhe nëse ka shkuar pitja tepsia ka mbetur", shprehet ai. Sipas tij, me këto raste dhe ndriçimin e tyre duhet që të merret Prokuroria e Kosovës, por e keqja është se edhe prokuroria është e kapur nga politika. "Kur diskutohet në Kuvend për korrupsionin nga pushtetarët, thuhet se me këto çështje duhet që të merret prokuroria, kurse kur rasti apo lënda shkon në prokurori, lënda heshtet e rastet nuk ndriçohen", potencoi Begolli. Ai shpreson se një ditë këtyre keqpërdoruesve do t'u konfiskohen këto pasuri.




(Kosova Sot)