Zeqa:Mosndëshkimi i pushtetarëve të inkriminuar - Lajme - Kosova Sot
Zeqa:Mosndëshkimi i pushtetarëve të inkriminuar

Zeqa:Mosndëshkimi i pushtetarëve të inkriminuar

Analisti politik Florim Zeqa thotë se, edhe përkundër aferave të shumta korruptive dhe skandaleve të njëpasnjëshme në sistemin e drejtësisë, askush deri më sot nga drejtuesit e KGJK-së, KPK-së, përkatësisht gjykatësit e prokurorët nuk i janë nënshtruar llogaridhënies dhe përgjegjësisë kushtetuese. "Mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies kanë bërë që të thellohet kaosi në sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjyqtarët, në vend që të ndëshkohen për dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gradohen në poste më të larta nga oligarkët në pushtet", theksoi ai. Sipas Zeqës, në rrethana normale, për gjendjen alarmante në sistemin e drejtësisë, përgjegjësit do të ndëshkoheshin prej kohësh."Mirëpo kjo nuk po ndodh për shkak të koordinimit të veprimeve mes pushtetarëve të inkriminuar dhe vartësve të tyre në sistemin e drejtësisë. Injorimi i sundimit të ligjit nga e tërë klasa politike në Kosovë, si ajo në pozitë, ashtu edhe ajo në opozitë, është tregues i inkriminimit të gjerë të skenës politike kosovare. Kjo i ka bërë qytetarët të ndihen të zhgënjyer, të pashpresë e të paperspektivë në vendin e tyre", potencoi ai. "Mosndëshkimi i pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale me klanet e korruptuara, të instaluara gjithandej në institucione e partive politike, ka bërë që qytetarët të mos i besojnë më asnjë partie politike dhe asnjë lideri partiak. Përderisa nuk ndodh ndryshimi substancial në skenën politike, nëntoka e lidhur me mafio- politikanë të inkriminuar do të luajnë dhe do ta sundojnë sistemin e drejtësisë dhe jo vetëm do të tallen me qytetarët e vendit, duke ua mohuar drejtësinë dhe liritë njerëzore në vendin e tyre. Që kjo e keqe të ndërpritet sa më parë, kërkohet ndërgjegjësim dhe vetëdijesim i përgjithshëm i popullatës, për ndëshkimin e klasës politike të inkriminuar, e shndërruar tashmë në klasë sunduese të popullatës së varfër e të nëpërkëmbur në shtetin për të cilin u derdh shumë gjak e u bënë sakrifica të panumërta", vijoi më tej Zeqa për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)

3 orë e 42 minuta më parë
18/12/18