Dialogu drejt bllokadës

  • 13 June 2018 - 17:43
Dialogu drejt bllokadës

Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohet në raunde të ndara me lehtësimin e Bashkimit Evropian, pritet të vazhdojë, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk e dinë se kur do të vazhdojë dialogu teknik në Bruksel. Takimi i fundit i këtij niveli të bisedimeve është mbajtur në muajin mars të këtij viti.

Avni Arifi, koordinator i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe pse pala nga Kosova ka kërkuar nga Brukseli që të caktohet takimi i radhës, për këtë çështje ende nuk ka një përgjigje.

"Me gjithë kërkesën tonë zyrtare që të mbahen takime, kjo nuk ka ndodhur, pasi që nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Brukseli. Ne kemi kërkuar që të adresohen marrëveshjet e pazbatuara deri më tani dhe nuk kemi asnjë indikacion se kur do të ketë takime me Republikën e Serbisë për temat e mbetura", tha Arifi.


 

Ftesa eventuale nga Brukseli për vazhdimin e dialogut, nënvizon Arifi, duhet të përmbajë temat për ngecjet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Në të kundërtën, thotë ai, ftesa nuk do të ketë kuptim.

"Ne, në mënyrë aktive do të marrim pjesë në hartimin e asaj agjende. Nuk do të shkojmë në Bruksel sa për të shkuar apo nuk do të shkojmë atje për impelmentimin e projekteve në mënyrë selektive. Ne do të shkojmë kurdo që të ketë një ftesë të mirëfilltë, në të cilën janë të përfshira të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, por të pa zbatuara", tha Arifi.

Agjenda e zbatimit të marrëveshjeve mes Kosova dhe Serbisë, nuk ka shkuar mirë dhe ka qenë në disfavor të Kosovës, thotë njohës të procesit të dialogut.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri tha se parimet e dialogut në Bruksel dihen, që nënkuptojnë se pa pajtimin e të tria palëve, Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit, nuk caktohet agjenda e takimit.

"Për ta arritur këtë qëllim duhet të ketë aftësi nga ata që e kanë përgjegjësinë në Qeverinë e Kosovës, se nuk janë këto procese të lehta dhe nuk vijnë ftesat në ajër. Për to, duhet angazhim serioz, paraqitje qëndrimesh serioze e të prera", tha Tahiri.

Ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, vlerëson se Qeveria aktuale e Kosovës në raport me dialogun, ka një raport inferior dhe qëndrim mospërfillës.

"Qeveria e Kosovës në raport me dialogun, sikur ka tendenca që ta bartë në institucione të tjera procesin dhe kjo i ka kushtuar Kosovës, tash gati shtatë tetë muaj që nga ardhja e kësaj Qeverie. Agjenda e zbatimit të marrëveshjeve nuk ka shkuar mirë dhe ka qenë në disafavor të Kosovës”, tha Tahiri.

“Fakti që për këta muaj vetëm një takim i nivelit teknik është mbajtur në Bruksel, tregon se e keqmenaxhojnë. Vetëm një takim është mbajtur dhe ai ka dështuar. Duke e ditur që Serbia i ka pesë marrëveshje që duhet t’i zbatojë, Qeveria është dashur të jetë pro-aktive dhe të mos lejojë që procesi të dalë nga binarët", tha Tahiri.

Takimi i muajit mars në Bruksel ishte ndërprerë, pasi që pala serbe ishte tërhequr nga tavolina e bisedimeve, pasi që autoritet e rendit në Kosovës kishin arrestuar një qytetar serb, i dyshuar për krime lufte.

Institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat sipas Prishtinës janë bllokuar nga Beogradi. Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira ne veri. Kurse, pala serbe insiston në formimin sa më të shpejt të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, me datën 18 të këtij muaji, delegacioni i Kosovës para përfaqësuesëve të vendeve anëtare të BE-së do të bëjë prezantimin e të arriturave në procesin e dialogut.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Së fundmi, zyrtarët e institucioneve të larta të vendit kanë paralajmëruar fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre, duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.


(Kosova Sot)