Trump: Koreja e Veriut nuk është më kërcënim

  • 14 June 2018 - 00:08
Trump: Koreja e Veriut nuk është më kërcënim

Koreja e Veriut nuk paraqet më një kërcënim bërthamor dhe nuk është më problemi më i madh dhe më i rrezikshëm për SHBA.

Kështu mendon Presidenti amerikan Donald Trump pas përfundimit të samitit me liderin koreanoveror Kim Jong-un, megjithëse palët e vetme që e konsiderojnë samitin një sukses janë Trump dhe Koreja e Veriut, kjo e fundit jo pa të drejtë. 

Kritikët thonë se SHBA bëri mjaft lëshime ndaj Koresë së Veriut, ndërsa kjo e fundit nuk premtoi asgjë.

Për më tepër, takimi e paraqiti Korenë komuniste dhe liderin e saj të barabartë me një fuqi bërthamore si SHBA, duke i dhënë vëmendje ndërkombëtare, diçka që regjimi komunist e kërkonte me ngulm. SHBA hoqi dorë nga stërvitjet me Korenë e Jugut, ndërsa Koreja e Veriut ra dakord vetëm se do të ketë një tjetër takim mes palëve me premtimin e mjegullt dhe të paqartë për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit të Koresë.

Por Trump nuk e sheh aspak kështu situatën dhe përmes Twitter-it tha se tashmë të gjithë ndihen shumë më të sigurtë se që prej ditës kur mori detyrën. Trump e cilësoi takimin mjaft pozitiv dhe tha se Koreja e Veriut ka potencial të madh për të ardhmen, pavarësisht këshillave se nuk mund t’i japë pikë një diktatori, diçka që fatkeqësisht Presidenti Trump e bëri edhe për vetë Kim Jong-un personalisht.

Kritikët thonë se Trump mburret që di të bëjë marrëveshje, por ka harruar se duhet të sillet si lideri i demokracisë dhe superfuqisë më të madhe në botë dhe takimi me Kim Jong-un konfirmoi pikërisht këtë.

 

(Kosova Sot)