Pacolli mund të shkarkohet, po e dëmton imazhin e Kosovës

  • 06 October 2018 - 09:25
Pacolli mund të shkarkohet, po e dëmton imazhin e Kosovës

Zeqa: Skandalet e Behgjet Pacollit nuk përfunduan me kaq, ai në  njërën nga deklaratat e tij e tha hapur; "në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur e nuk duhet të ketë kufij"! 

"Gjatë kohës kur vriteshin shqiptarët nga makineria vrastare serbosllave, z. Pacolli bënte pazare me familjen e Milosheviqit dhe ndërtonte objekte në Rusi dhe vende të tjera. Në këtë kontekst Pacolli ka jetuar mirë me serbët, por jo me shqiptarët. Shqiptarët vriteshin, femrat shqiptare dhunoheshin nga paramilitarët serbë, digjeshin shtëpitë, plaçkiteshin dhe dëboheshin nga vendi. Do ta pyes Pacollin, a ky është bashkimi? Jo, z. Pacolli! Shqiptarët kanë qenë të dhunuar, të masakruar dhe të terrorizuar. Këtë duhet ta dijë ai", thotë analisti Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Skandalet diplomatike të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, dhe njëherësh zëvendëskryeministër i parë i Republikës së Kosovës, do ta nxjerrin atë shumë shpejt para llogaridhënies në Kuvendin e Kosovës. Këtë përballje është duke ia përgatitur Grupi parlamentar i LDK-së, duke vlerësuar, sidomos këto skandalet e fundit gjatë qëndrimit në Nju- Jork, kur Pacolli e quajti kryeministren serbe si gruan më të respektuar, dhe e tha hapur se në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur e nuk duhet të ketë fare kufij. Deri më tani skandalet e Pacollit nuk kanë përfunduar vetëm me këtë deklaratë, por në çdo prononcim që jep, ai po e shkatërron edhe atë pak imazh të Republikës së Kosovës, prandaj Grupi parlamentar i LDK-së ka nisur procedurat për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme lidhur me këto çështje që ndërlidhen me skandalet në diplomacinë kosovare. Seanca e jashtëzakonshme bëhet edhe më e domosdoshme, kur dihet fakti se Pacolli e ka injoruar edhe raportimin në Kuvend, derisa për këtë javë ai kishte ftesë nga Komisioni për Punë të Jashtme për të raportuar për skandalet e bëra gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Deputeti Naser Rugova nga LDK-ja i tha gazetës se ajo që tani duhet të kërkohet si përgjegjësi nga z. Pacolli, por edhe nga Qeveria, duhet të jetë dorëheqja. "Dëmet, gabimet politike, diplomatike dhe protokollare që po i bënë ky koalicion qeverisës janë të pafalshme dhe po e dëmtojnë rëndë imazhin e vendit tonë. Dorëheqja është minimumi i një akti moral, nëse ka moral kjo Qeveri. LDK-ja vetëm se ka filluar procedurat për seancë të jashtëzakonshme", theksoi ai.
 

Aliu: Kuvendi të kërkojë shkarkimin e z. Pacolli pa asnjë kusht
Sipas analistit Hysni Aliu, Kosova asnjëherë s'ka qenë më keq e përfaqësuar me institucionet e veta, sepse kemi një Qeveri shantazhuese dhe të shantazhuar nga të gjitha anetë si rrjedhojë edhe pa identitet. "Secili në Qeverinë e Kosovës është zot në vete dhe kujdeset për interesat personale e partiake, duke harruar shtetin ose duke bërë shumë pak për të. Sa i përket z. Pacollit, unë që nga fillimi e kam vlerësuar që dhënia e përgjegjësive shtetërore aq të larta për të në këtë fazë është gabim trashanik. Z.Pacolli është i mirë në ekonomi, por në vlerësimin tim është NAIV dhe jorealist në raport me politikën ndërkombëtare, Serbinë dhe Rusinë", theksoi Aliu për "Kosova Sot". Sipas tij, Kuvendi tani duhet të veprojë me shumë urgjencë dhe të kërkohet shkarkimi pa asnjë kusht për z. Pacolli. Shkodra: Pacolli nuk ka lidhje me politikën! Sipas analistit Shefik Shkodra, Pacolli nuk ka lidhje me politikën, e sidomos me këtë që duhet dhe kërkohet të bëhet te ne sot. "Ky mbahet sikur çdo gjë është si në biznesin e tij. Unë nuk njihem me të. Nuk kam kundër tij si person, përkundrazi, e çmoj për punën e tij të vyeshme. Këtij njeriu i mungon vokabulari, në radhë të parë. Kur përgjigjet në ndonjë pyetje të gazetarëve, derisa e thotë fjalinë, duket si dëgjues, po të kap infarkti duke gjëmuar dhe duke hedhur fjalë për një fjali krejt copa- copa. E lëmë këtë…Aftësia e tij si diplomat nuk tregohet duke vrapuar nëpër korridore për t'ia zgjatur dorën dikujt që ke nevojë. Aftësia e askujt nuk tregohet me fjalë pallavra, si rasti me kryeministren e Serbisë. Gazetarët mund ta ndalin dhe të parashtrojnë pyetje figurës zyrtare, por jo diplomati me shprehjet, 'kjo është gruaja më mira... ' apo si ishte ajo fjalia në befasi asaj gruaje. Dhe ajo që është më befasuese, si e mendon ai (mund të jetë edhe kjo ndoshta në një kohë tjetër) se, Kosova dhe Serbia nuk duhet të kenë kufij në mes tyre", vlerësoi Shkodra. "Komisioni jo, por Kuvendi duhet të kërkojë nga i nderuari ta shpjegojë dhe ta argumentojë se kah e mori këtë motiv, ndoshta ai e di më mirë se ne që e kemi dëgjuar", theksoi ai për "Kosova Sot".

ZEQA: PACOLLI E QUAN GRUA TË RESPEKTUAR KRYEMINISTREN E SHTETIT ARMIK TË KOSOVËS!
Adresimin urgjent të përgjegjësisë nga ana e Kuvendit, për skandalet në diplomacinë e Kosovës, që kryesisht po vijnë nga Pacolli, i kërkojnë edhe analistët politikë dhe qytetarët. Analisti politik Florim Zeqa thotë se është e pafalshme që edhe përkundër ftesës nga Komisioni për Punë të Jashtme për të raportuar për skandalet e bëra gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Pacolli vazhdon të injorojë raportimin para institucionit përkatës. "Mungesa e përgjegjësisë për të raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme është shprehje e mosrespektimit të institucioneve shtetërore nga ana e zv. kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Në rastin konkret, sjellja e Pacollit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte, përveçse e papërgjegjshme, ishte tepër e dëmshme për imazhin e Kosovës. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur një përfaqësues i shtetit bie në nivelet e një aventurieri të pangopshëm duke e quajtur grua të respektuar kryeministren e shtetit armik të Kosovës", potencoi ai për "Kosova Sot". "Skandalet e Behgjet Pacollit nuk përfunduan me kaq, ai në njërën nga deklaratat e tij e tha hapur; "në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur e nuk duhet të ketë kufij"! Megjithatë, skandalet e Pacollit nuk përfundojnë vetëm me këtë deklaratë, por në çdo prononcim që jep ai, qoftë për "raportet e mira serbo-shqiptare" e deri tek ajo e fundit se "Putin është njeri i mirë", është duke e shkatërruar edhe atë pak imazh të Republikës së Kosovës në botë. Në këtë situatë, Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë urgjentisht përgjegjësi politike nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, për deklaratat e pamatura dhe tendencioze që dëmtojnë imazhin e shtetit tonë. Përtej kësaj, deklaratat e tilla mund të prodhojnë efekte negative tek raportet e Kosovës me shtetet e ndryshme, që kanë njohur pavarësinë e shtetit tone", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot". 

KELMENDI: PACOLLI KA BËRË OFENDIME TË MËDHA NDAJ POPULLIT SHQIPTAR TË KOSOVËS
Prof. Muhamet Kelmendi thotë lidhur me këtë çështje se ministri i Punëve te Jashtme të Kosovës, me deklaratat e fundit dhe me vizitën që bëri në Nju - Jork, si kundër me gabimin që bëri me kryeministren e Serbisë, Bërnabiq, e ka vënë Qeverinë në pozitë të vështirë për ta mbajtur atë si ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. "Z. Pacolli ka bërë ofendime të mëdha ndaj popullit shqiptar të Kosovës duke dhënë deklarata, të cilat nuk përkojnë me realiteti dhe ofenduese ndaj të rënëve në Kosovë. Z. Pacolli duhet të dijë, e nëse nuk e di është turp për të, se nga shteti serbosllav kemi me qindra dhe mijëra të masakruar e të zhdukur të pafajshëm. Gjenocidi serb mbi shqiptarët e Kosovës e ka një histori të gjatë. Vetëm në luftën e fundit 1998- 99, gjatë kohës kur Pacolli shkonte në Beograd dhe ministri serb vinte në Prishtinë me emrin e kriminelit Slobodan Milosheviq për ndalje të bombardimeve nga NATO-ja, nga e njëjta ushtri që i shërbente Pacolli dhe prej saj vriteshin edhe bebet në djep dhe nënat shtatzëna. Duhet ta thotë e ta tregojë z. Pacolli se ku është… ku po duket jeta e përbashkët e shqiptarëve më serbë. A po duket ajo jetë edhe në të kaluarën me dhunë dhe terror, me vrasje dhe masakrime.!", u shpreh ai. "Gjatë kohës kur vriteshin shqiptarët nga makineria vrastare serbosllave, z. Pacolli bënte pazare me familjen e Milosheviqit dhe ndërtonte objekte në Rusi dhe vende të tjera. Në këtë kontekst Pacolli ka jetuar mirë me serbët, por jo me shqiptarët. Shqiptarët vriteshin, femrat shqiptare dhunoheshin nga paramilitarët serbë, digjeshin shtëpitë, plaçkiteshin dhe dëboheshin qytetarët shqiptarë nga vendi. Do ta pyes Pacollin, a ky është bashkimi? Jo, z. Pacolli! Shqiptarët kanë qenë të dhunuar, të masakruar dhe të terrorizuar. Këtë duhet ta dijë ai", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

BISLMI: MINISTRI OSE TË DORËHIQET OSE TË SHKARKOHET!
"Gjyqin" parlamentar e kërkon për Pacollin edhe analistja Liridonë Bislimi. Ajo kujton se si ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli gjatë intervistave të tij, por edhe në rrjetet sociale potencon vazhdimisht se Kosova është model suksesi për diplomacinë ndërkombëtare, mirëpo, siç duket, ai shumë shpejt i harroi skandalet mbi skandale që i bëri kjo diplomaci . "Papërvoja e shtetit të Kosovës në diplomaci është manifestuar me skandale të ndryshme viteve të fundit, dhe më e keqja e kësaj diplomacie është në çdo prononcim që jep Pacolli, ai po e shkatërron edhe atë pak imazh të Republikës së Kosovës. Fillimisht, skandalet e kryediplomatit kosovar në Nju- Jork kishin nisur kur kishte vrapuar t'ia jepte dorën presidentit amerikan, të cilin fillimisht e kishte quajtur takim, më vonë skandali me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, ndërsa kulmi ka qenë një intervistë e tij dhënë një televizioni serb, ku kishte thënë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ketë kufij. Ministri ose të dorëhiqet ose të shkarkohet", ka thënë ajo. "Pacolli duhet të japë sqarime se pse kryeministren serbe e quajti si gruan më të respektuar dhe pse tha se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur e nuk duhet të ketë kufij. Ndërsa si përfundim i gjithë këtyre marrive, tani Pacolli nuk jep raportimin në Kuvend për skandalet e tij, pavarësisht se për këtë javë ai kishte ftesë nga Komisioni për Punë të Jashtme për të raportuar për skandalet e bëra gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

GURAZIU: DHËNDRI I RUSISË DHE MIKU I SERBISË NUK DO TË NDALET DUKE NDIKUAR EDHE MË KEQ DHE KËSHTU TA DEGRADOJË KOSOVËN EDHE MË SHUMË
Edhe analisti Ragip Guraziu thotë se skandalet e ministrit të Jashtëm,Behgjet Pacollit nuk kanë të ndalur, prandaj Kuvendi duhet të marrë vendim pa vonesë për shkarkimin e tij, kurse ky vendim të miratohet edhe nga kryeministri Haradinaj. "Urgjentisht Kuvendi t'i kërkojë llogari Pacollit për skandalet e tij, urgjentisht derisa Kuvendi ka përgjegjësi që ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili kryeministren serbe e quajti si gruan më të respektuar, dhe për faktin që e tha hapur se në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur e nuk duhet të ketë kufij, prandaj me urgjencë duhet të japë llogari Pacolli, ai duhet të shkarkohet, nëse paraprakisht nuk jep dorëheqje dhe ta pranojë gabimin që e ka bërë. Ndërsa, dhëndri i Rusisë e miku i Serbisë, nuk do të ndalet duke ndikuar edhe më keq dhe kështu ta degradojë Kosovën edhe më shumë e më thellë", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

ALIU: TA QUASH NJERI TË MIRË PUTININ, ËSHTË PATURPËSI DHE AMORALITET!
"Unë besoj që Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht të ndërmarrë hapat për shkarkimin e tij të menjëhershëm, nëse koalicioni s'e bën këtë në afat të shkurtër. Duhet të konsiderohen edhe protestat gjithëpopullore për shkarkimin e tij, nëse shteti nuk vepron. Nuk mund ta udhëheqë politikën e jashtme të Kosovës njeriu që e quan Putinin njeri të mirë, lavdëron armiqtë e Kosovës dhe hedh idetë për heqjen e kufijve me Serbinë, duke e ditur që ai shtet e ka Kosovën ende në preambulën e Kushtetutës së tyre. Ta quash njeri të mirë Putinin, njeriun që helmoi me 'Noviçok' qytetarët e vendit mik, Britanisë së Madhe, është jo vetëm egoizëm politik, por edhe paturpësi dhe amoralitet. Largojeni sa nuk është vonë dhe në vend të tij duhet të vendoset njeri me dinjitet intelektual, profesional, dhe që e njeh mirë mënyrën e funksionimit të politikës ndërkombëtare", tha Hysni Aliu për "Kosova Sot". 

Qytetarët kërkojnë adresim të përgjegjësisë
Një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të diskutohet e vlerësohej politika e jashtme e Kosovës, dhe në fund do të kërkohej e votohej edhe shkarkimi i ministrit të Jashtëm, z. Pacolli, e kërkojnë edhe qytetarët e anketuar nga gazeta. Sipas Hamit Gashit, me profesion avokat, raportimet në medie që janë bërë rreth ministrit të Jashtëm Pacolli, për skandalet e tij në Nju- Jork, por edhe të tjerat, e bëjnë atë aq përgjegjës, saqë duhet t'i kërkohet dorëheqja ose të shkarkohet me votë nga Kuvendi apo vetë kryeministri- Qeveria. "Nëse vërtet ai është deklaruar, unë konsideroj qe e ka bërë një gabim jashtëzakonisht të madh, i cili nuk mund të falet në asnjë mënyrë. Unë nuk jam ithtar i asaj që të kërkohet dorëheqja, atë duhet ndëshkuar akoma më fuqishëm, atë duhet shkarkuar, sepse  përgjegjësia është aq e madhe e këtij niveli të lartë që ia vlen të zhvillohet një procedurë shumë e përshpejtuar e shkarkimit, pra kërkohet një llogaridhënie tjetër, e jo për të pritur eventualisht shprehjen e vullnetit të tij për t'u dorëhequr. Askënd nuk e kemi armik më të përbetuar sesa Serbinë, ngase të gjithë okupatorët që kanë qenë në Kosovë, kanë qëndruar një kohë, kanë shfrytëzuar, kanë sunduar dhe kanë shkuar, kurse okupatori serb është ngulitur këtu, i ka okupuar dhe uzurpuar vendet tona, dhe pavarësisht që kemi pasur një luftë dhe tani jemi çliruar, ai po pretendon për të drejtën e tij në Kosovë edhe më tej", tha Hamit Gashi për "Kosova Sot". Një mendim të tillë ndan edhe qytetari Ramadan Seferi. "Normal që unë mendoj se atë duhet ta thërret Kuvendi në raportim para deputetëve. Për të gjitha që janë bërë deri më tani duhet të jetë i informuar Kuvendi dhe populli. Aty do të duhej adresuar edhe përgjegjësia përkatëse ndaj ministrit të Jashtëm z. Pacolli, ky është mendim im si qytetar", theksoi Seferi. Sipas tij, të gjitha këto skandale duhet të sqarohen dhe të gjykohen para Kuvendit të Kosovës. 

(Kosova Sot)