Shteti mafioz bllokon hetimin e pasurisë miliardëshe të të korruptuarve

  • 12 October 2018 - 07:53
Shteti mafioz bllokon hetimin e pasurisë miliardëshe të të korruptuarve
Badallaj: Të korruptuarit, hajnat, mafio-oligarkët, janë në Presidencë, në Kuvend, në Qeveri, në komuna

"Shkaku i kapjes së tmerrshme të sistemit të drejtësisë nga mafiopolitika, në Kosovë nuk kemi asnjë prokuror të veçantë, të pavarur, me etikë e integritet të veçantë politik, profesional, moral, siç është prokurorja rumune Laura Kovesi, e cila me vendosmërinë e saj të pamposhtshme ka arritur t'i nxjerrë para gjykatave të kryekorruptuarit e Rumanisë dhe t'i mbushë burgjet me ta e me të korruptuar të tjerë si ata", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

E dhe pse çdo ditë po flitet për luftën kundër korrupsionit, asnjë Qeveri e deritanishme, duke përfshirë edhe këtë të tanishmen, nuk e plotësoi Ligjin për prejardhjen e pasurive të zyrtarëve të lartë, pra të të ashtuquajturve "peshqve të mëdhenj", në Kosovë, duke filluar prej kryetarit të shtetit , kryeministrit, kryetarit të Kuvendit,kryetarët e komunave, ministrat,deputetët e deri tek ata më të vegjlit në pozita zyrtare, thonë analistët. Sipas analistëve, hetimi i kësaj pasurie nga e kaluara deri më tani do të nxirrte në shesh tërësisht të vërtetës se si është krijuar ajo pasuri marramendëse nga këta njerëz, të cilët tanimë për dy dekada gjoja marrin vetëm paga të shtetit, ndërkaq kanë pasuri dhjetëra e qindra milionëshe, diçka më pak të deklaruar e shumë çka të padeklaruar. Prandaj, sipas analistëve, do të duhej caktuar një prokuror i veçantë, e jo rrogëtar i kryetarit e kryeministrit, i cili do të merrej me hetimin, prejardhjen, grumbullimin e atyre pasurive. Derisa nuk po bëhet kjo, sipas analistëve politikë dhe qytetarëve, të gjitha deklarimet e pushtetarëve për gjoja luftë kundër korrupsionit po mbeten mashtrime dhe gënjeshtra, dallavere, falsifikime, trillime, sabotime. Për të mos vazhduar kjo gjendje edhe në të ardhmen, kërkohet që në Kosovë të kemi një prokuror të veçantë, të pavarur, me etikë e integritet të veçantë politik, profesional, moral, siç është prokurorja rumune, Laura Kovesi, e cila me vendosmërinë e saj të pamposhtshme ka arritur t'i nxjerrë para gjykatave të kryekorruptuarit e Rumanisë dhe t'i mbushë burgjet me ta e me të korruptuar të tjerë si ata.

ZEQA: DEKLARIMET E PUSHTETARËVE PËR GJOJA LUFTË KUNDËR KORRUPSIONIT JANË VETËM GËNJESHTRA, MASHTRIME, DALLAVERE
... Sipas analistit politik Florim Zeqa, krejt angazhimi i deritanishëm i politikës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe pasurimi i kokave politike në mënyrë të pashpjegueshme, flet mjaft se çfarë qeverisje kemi pasur në të kaluarën dhe kemi tani. "Deklarimet e pushtetarëve për gjoja luftë kundër korrupsionit janë vetëm gënjeshtra, mashtrime, dallavere, falsifikime, trillime, sabotime vrazhdësi, kërcënime, dhunë, zhvatje, reket, privilegje, derdhje të financave shtetërore, shantazhime që e asgjësojnë atë luftë joekzistente kundër korrupsionit", u shpreh ai."Shkaku i kapjes së tmerrshme të sistemit të drejtësisë nga mafio-politika, në Kosovë nuk kemi asnjë prokuror të veçantë, të pavarur, me etikë e integritet të veçantë politik, profesional, moral, siç është prokurorja rumune, Laura Kovesi, e cila me vendosmërinë e saj të pamposhtshme ka arritur t'i nxjerrë para gjykatave të kryekorruptuarit e Rumanisë dhe t'i mbushë burgjet me ta e me të korruptuar të tjerë si ata", tregon Zeqa. Sipas analistit Zeqa, në Kosovën e sotme, përveç deklarimeve pompoze, spektakleve televizive dhe maskaradave mashtruese të pushtetarëve, nuk e kemi asnjë punë të mirë në funksion të luftimit të korrupsionit."Si rezultat i kësaj situate, të gjitha përfaqësitë diplomatike të vendeve demokratike, të akredituara në Prishtinë, janë duke qeshur me politikëbërjen kosovare, gjegjësisht me punët e vogla dhe fjalët e mëdha të klasës politike kosovare, e cila për 11 vjet në shtetin kinse të pavarur me kompetenca të plota ligjore nuk e ka arritur asnjë progres në fushën e sundimit të ligjit, përkatësisht me dënimin e së paku një 'peshku të madh' në majat e pushtetit të inkriminuar", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot". Sipas tij, edhe tani skandali me Listat e Veteranëve, gjegjësisht rasti i prokurorit Elez Blakaj e dëshmon në mënyrën më besnike gjendjen mjeruese në sistemin e drejtësisë dhe kapjen e tmerrshme e të gjitha institucioneve të pavarura nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale, që pamundëson luftimin e krimit, korrupsionit e pasurimit të kundërligjshëm. Ndryshimi i gjendjes, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse vjen një presion më i fuqishëm ndërkombëtar për luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar."Në këtë situatë është iluzive të pritet luftimi i korrupsionit pa plotësimin e ligjit për prejardhjen e pasurive të zyrtarëve të lartë, pra e të ashtuquajturve 'peshqve të mëdhenj' në Kosovë, duke filluar prej kryetarit të shtetit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarëve të komunave, ministrave, deputetëve e deri tek ata më të vegjlit në pozita zyrtare. Në rrethanat e tilla, vetëm caktimi i një prokurori të veçantë ndërkombëtar, i cili nuk bëhet rrogëtar i presidentit, kryeministrit apo kryeparlamentarit, do të mund të merrej në mënyrë të pavarur me hetimin, prejardhjen, grumbullimin e atyre pasurive të paligjshme qindra milionëshe të "sheikëve" të politikës dhe familjarëve të tyre në Kosovë, rajon e deri në "Parajsat Fiskale" gjithandej globit. Sado të larta pagat e pushtetarëve, janë të pamjaftueshme për krijimin e pasurive përrallore të kusarëve politikë të Kosovës së pasluftës", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

BADALLAJ: HAJNAT MË TË MËDHENJ NË BALLKAN
Sipas analistit politik Reshat Badallaj, mbetja e paplotësuar e këtij ligji është e qëllimshme, sepse askush nuk dëshiron të merret me hetimin e vetvetes."Natyrisht se nuk plotësohet ligji kundër korrupsionit, sepse e kam thënë disa herë më parë pa frikë, pa më të voglin dyshim se të korruptuarit, hajnat, banditët, mafiooligarkët janë pikërisht këta, pra në Presidencë, në Kuvend kukull të stërmbushur me rrugaçë e gjysmë analfabetë, në Qeverinë kuislingë, me banditët e kryebanditët e bandave politike si ata të nivelit qendror, si në atë lokal", potencoi ai për "Kosova Sot". "A e dini se kjo nuk është lehtë të thuhet publikisht, por unë e them pa frikë fare, me fakte të pakontestueshme se këta janë hajnat më të mëdhenj në tërë Ballkanin. Dhe, jo vetëm kaq, por rreshtazi kam thënë se edhe në sistemin e kalbur gjyqësor ka hajna dhe tradhtarë që nuk ka në asnjë vend të botës", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

Qytetarët akuzojnë pushtetarët e korruptuar
Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta konsiderojnë se të gjitha deklarimet e pushtetarëve për gjoja luftë kundër korrupsionit janë realisht gënjeshtra, mashtrime, dallavere, falsifikime, trillime, sabotime vrazhdësi, kërcënime, dhunë, zhvatje, reket, privilegje, derdhje të financave shtetërore, shantazhime që e asgjësojnë atë luftë joekzistente kundër korrupsionit. Qytetari Miftar Balidemi mendon se nuk mund të ketë luftë kundër krimit e korrupsionit, kundër pasurimit të kundërligjshëm, derisa të korruptuarit janë në kupolën e institucioneve të thirrura ligjërisht për zbatimin e ligjit."Për fat të keq, këtu te ne nuk ka pushtetar e shqiptar që nuk është i korruptuar. Me një sheqer apo një llokume e korrupton shqiptarin tonë dhe për këtë arsye mund të them që akoma nuk kemi traditë të mirëfilltë për shtet, as për sundim të rendit e të ligjit, dhe prandaj e kemi këtë gjendje që e kemi dhe nuk po mund të luftohet krimi e korrupsioni. Pra, kjo do të thotë që nëpër institucionet tona të korruptuar janë të gjithë, fund e krye për ta ndryshuar këtë gjendje duhet ose të presim edhe pak mos po ndryshojnë këta vetë, ose duhet të dalim me hunj në krah që ta përzëmë përfundimisht këtë kastë politike nga institucionet, e cila na ka sjellë në këtë gjendje, sepse është rrezik që të fundosemi akoma më shumë nëse i lejojmë akoma të na qeverisin këta", theksoi Balidemi. Qytetari Ramadan Ferizi tha për "Kosova Sot" se për të pasur më shumë ndikim në këtë fushë, ata mendojnë që duhet të dëgjohet më shumë zëri i tyre në institucione dhe nga institucionet."Kjo është kështu për arsye se asnjë Qeveri nuk mund ta ndalojë korrupsionin, nuk mund t'i ndalojë falsifikimet, zhvatjet, por duhet t'i kontrollojë. Qeveria duhet të bëjë përpjekje që t'i kontrollojë korrupsionin, shantazhet, zhvatjet, kërcënimet e të gjitha të tjerat. Mirëpo, këtë nuk po mund ta bëjë, sepse ky fenomen ka hyrë në të gjitha poret e jetës, nuk ka vend ku nuk ka korrupsion, nuk ka vend ku nuk ka shantazh, prandaj është e pamundur që vetëm Qeveria tani t'i zbulojë, t'i kontrollojë dhe t'i ndalojë të gjitha këto raste, por duhet që edhe ne qytetarët të jemi më shumë aktivë që ti zbulojmë e t'i denoncojmë këto gjëra dhe ta denoncojmë menjëherë cilindo që kërkon mitë e kërkon korrupsion, qoftë në Polici, qoftë në Prokurori apo qoftë edhe në AKK", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas Ferizit, popullata duhet të jetë shumë më aktive që t'i ndihmojë në këtë drejtim Qeverisë dhe ta sfidojë atë duke mos i heshtur e duke mos i mbuluar rastet e njohura të krimit e të korrupsionit.

(Kosova Sot)