Amnistimi i banditëve me pushtet rrënon shtetin e së drejtës

  • 08 November 2018 - 07:49
Amnistimi i banditëve me pushtet rrënon shtetin e së drejtës

Kapiti: Politika, pushteti dhe drejtësia janë të zhytura dhe janë infektuar nga krimi dhe korrupsioni

"Nëse vazhdon kështu dhe nëse nuk ndërrohet diçka thelbësore, Kosova do të vazhdojë të fundoset edhe më shumë në përqafimin dhe kthetrat e mafisë politike, e korruptuar deri në palcë, e cila nuk çan kokën fare për gjendjen e popullit, por vetëm për rrjetin e vet kriminal. Pa u pastruar Policia, Inteligjenca, Gjyqësia e Prokuroria nga kukullat e Hashimave, Isave, Ramushave e shumë të tjerëve, Kosova nuk do të ketë kurrë zbatim serioz të ligjit dhe rendit shtetëror dhe kurrë nuk do të jetë shtet përparimtar dhe serioz, sepse korrupsioni sot është tradhti e kulluar, ku populli vidhet natë e ditë", thotë analisti Naim Miftari për "Kosova Sot

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit shprehen shumë të shqetësuar me faktin se si po vazhdon që Kosova të mbetet akoma shtet ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, që kanë fuqi politike apo miq politikanët e fuqishëm dhe mafio-oligarkët e inkriminuar. Analistët alarmojnë se në Kosovë, sistemi i drejtësisë vazhdon të mos tregojë asnjë shenjë përmirësimi, edhe pse populli, por edhe miqtë ndërkombëtarë pyesin publikisht, si e pati bërë për pesë para drejtësinë kosovare edhe njëri nga ishambasadorët në Prishtinë, i cili kishte pyetur gjyqtarët dhe prokurorët shkurt e shqip: "A dëshironi që Kosova të jetë një vend i tillë, ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre evidente e të pashme e të faktueshme?!!!" tani me të drejtë po a shtrohet pyetja: Pse prokurorët dhe gjyqtarët aktualë nuk ka shans se do të arrijnë ndonjë rezultat për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin apo politikanët e fuqishëm e të korruptuar. Sipas analistëve, përgjigjja del vetvetiu dhe fare e thjeshtë: pasi mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme,saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika e inkriminuar apo nga mafiooligarkia nuk ka shans të arrestohet e lëre më të gjykohet e të dënohet me këta prokurorë dhe këta gjyqtarë palaço! BOSS-at e krimit, të amnistuar Sipas Bislim Aliut, të gjitha zhvillimet në sistemin e drejtësisë tregojnë pa asnjë mëdyshje se shteti i Kosovës edhe më tej po vazhdon të mbetet shtet ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, që kanë fuqi politike, apo edhe miqtë politikanë të fuqishëm, apo edhe mafio-oligarkët e inkriminuar. "Prandaj, mu për këtë, sistemi i drejtësisë, gjer më tani, fare nuk ka treguar asnjë shenjë përmirësimi. Me prokurorët e gjyqtarët aktualë nuk ka shans të arrihet ndonjë rezultat në kuptimin pozitiv për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të burgosur politikanët e fuqishëm e të korruptuar, pasi mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme, saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë nuk mund të arrestohet", theksoi Bislimi për "Kosova Sot". 

MIFTARI: MINISTRIA E (PDK-SË), E DREJTËSISË, NË FAKT ËSHTË EDHE VETË PJESË E KLANEVE POLITIKE E MAFIOZE! Sipas ekspertit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, nëse Kosova vazhdon kështu dhe nëse nuk ndërrohet diçka thelbësore, do të vazhdojë të fundoset edhe më shumë në përqafimin dhe kthetrat e mafisë politike, e korruptuar deri në palcë, e cila nuk çan kokën fare për gjendjen e popullit, por vetëm për rrjetin e vet kriminal. "Sot, gjendja ekonomike (sociale) shëndetësore karakterizohet me krejt gjendjen e anarkisë shtetërore, ku vetëm qytetari ndëshkohet nga ligji, por jo edhe krimi i organizuar, që është i mbështetur dhe vetë kryekëput është krim politik. Proklamimet e ligjeve dhe kinse sukseseve po tregohen vetë në terren që nuk janë askund, prandaj jemi shteti më i varfër dhe shteti i vetëm i izoluar në Evropë", u shpreh ai."Kjo tregon se deri ku ka arritur krimi i organizuar të shtrihet çdo kund, jo vetëm në kapjen e shtetit tonë, por është një rrjet kriminal që fillimisht e korruptoi UNMIK-un, krim që arriti ta korruptojë edhe vetë Misionin Evropian të Ligjit, EULEX-in, krim që ka korruptuar madje edhe ambasadorë të shteteve të KUINT-it, prandaj pa ndihmën e sinqertë amerikane, gjermane dhe britanike nuk do të ketë sukses kurrë sundimi i njëmendtë i ligjit", tha Miftari për "Kosova Sot". Miftari thotë se me këto ministri, si kjo Ministria e (PDK-së), e Drejtësisë, që në fakt është edhe vetë pjesë e klaneve politike e mafioze, me këta prokurorë e gjyqtarë, policë hetues, që në fakt janë vetëm kukulla në dorë të mafisë politike dhe ekonomike të vendit, sundimi i ligjit do jetë vetëm fontanë dëshirash dhe ëndërr me sy hapur. "Pa u pastruar Policia, Inteligjenca, Gjyqësia e Prokuroria nga kukullat e Hashimave, Isave, Ramushave e shumë tjerëve, Kosova nuk do të ketë kurrë zbatim serioz të ligjit dhe rendit shtetëror, dhe kurrë nuk do të jetë shtet përparimtar dhe serioz, sepse korrupsioni sot është tradhti e kulluar, ku populli vidhet natë e ditë, edhe duke bashkëpunuar me armiq dhe kriminelë edhe të nivelit ndërkombëtar, që jo rrallëherë fshihen në misione të ndryshme ndërkombëtare dhe diplomatike", vlerësoi ai. "Tanimë janë vetëm dy shpresa, njëri është ambasadori i ri amerikan, që ta imponojë dhe ta bëjë një VETTING të përgjithshëm, dhe shpresa e dytë, e fundit, është që populli ynë t'i hapë sytë dhe të zgjohet nga koma dhe nga ëndrrat me sy hapur dhe me revoltë të përgjithshme ta detyrojë pushtetin me forcë ta pastrojë vetveten nga mafia. Rrugë tjetër apo rrugë të tretë, fatkeqësisht, nuk ka", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

PRETENI: PUSHTETARËT PO I BLEJNË DHE PO I SHANTAZHOJNË TË GJITHË ATA QË TENTOJNË TË VEPROJNË APO MENDOJNË NDRYSHE Në këtë gjendje, sipas njohësve të kësaj fushe, nuk ka se si të pritet të kemi drejtësi, kur njerëzit që duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, e që janë në Gjykata, Prokurori e Polici, realisht po bashkëjetojnë në shtratin e krimit të organizuar në vend. Një gjë të tillë e pohon edhe njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni. "Sundimi i ligjit në një vend kryekëput varet nga politika. Politika e mirëfilltë i krijon kushtet për punë dhe nuk përzihet, nuk ndikon në Gjyqësor, e tek ne është e kundërta. Për këtë arsye presioni ndërkombëtar është në politikë, por këta nuk mërziten për këtë", u shpreh ai. Sipas Pretenit, situata është e mjerueshme, e pashpresë dhe regresive. "Nuk ka më tashmë një kohë të gjatë njohje, po shihet e po flitet troç që nuk ka as liberalizim vizash, nuk ka me gjasë as Interpol. Qytetari po i ndien më së shumti pasojat, kurse politikanët nuk i bren as ndërgjegjja, as ndërdija. Pa presion më të madh të publikut, pa presion të koordinuar dhe mirë të organizuar, kjo kastë politike nuk ndryshon. Këta janë mirë të akomoduar me shumë para të gatshme dhe fatkeqësisht po i blejnë dhe po i shantazhojnë të gjithë ata që tentojnë të veprojnë apo mendojnë ndryshe", vlerësoi Preteni për "Kosova Sot". "Në horizont nuk po shihet asnjë strukturë apo grupim që po u qëndron me dinjitet parimeve njerëzore dhe ligjore, prandaj kjo është një fatkeqësi akoma më e madhe", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot" KAPITI: STANDARDI I DREJTËSISË ËSHTË MOSNDËSHKIMI I BOSS-AVE DHE I VIP-AVE TË PUSHTETIT Ndërsa, sipas ekspertit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, nga Durrësi, për fat të keq, drejtësia në hapësirat gjithëshqiptare, edhe në Shqipëri e në Kosovë vepron me dy standarde, ku standardi kryesor është mosndëshkimi i BOSS-ave dhe i VIPave të pushtetit, të politikës dhe të drejtësisë, por edhe realisht avokatia e tyre është vetë drejtësia. "Kjo politikë dhe kjo drejtësi politike jo vetëm se nuk dëshiron, por as nuk mund që të përballet me krimin, me kriminelët dhe as të luftojë ata dhe korrupsionin, pasi vetë politika, pushteti dhe drejtësia janë të zhytur dhe janë infektuar nga krimi e korrupsioni", potencoi Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, kësaj politike dhe kësaj drejtësie nuk i intereson interesi kombëtar, as e mira e përgjithshme kombëtare, zhvillimi dhe integrimi, as sundimi i ligjit dhe i shtetit , por i intereson vetëm interesi personal dhe i ngushtë familjar. "Interesin personal politikanët, pushtetarët dhe prokurorët e gjyqtarët e realizojnë vetëm në një vend ku ligjin e bëjnë antishteti, korrupsioni dhe antiligji, ku ligjin e bëjnë më të fortët e politikës, të pushtetit, të drejtësisë dhe të korrupsionit, dhe ku këta 'të fortët' janë pra: politikanët, pushtetarët, drejtësia, krimi, hajnia dhe korrupsioni i pandëshkueshëm i tyre", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".
 

(Kosova Sot)