Skandali me nxënësit, kryetari Gjini abuzon me shkollën

  • 06 December 2018 - 07:51
Skandali me nxënësit, kryetari Gjini abuzon me shkollën

Hamiti: Sikur të ndodhte një skandal i tillë në Kroaci, sikurse ky në Gjakovë, ku nxënësit keqpërdoren haptazi për promovime politike, ministri i Arsimit i atij vendi do të detyrohej që të jepte dorëheqjen së bashku me kryetarin e asaj komune

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të marrë menjëherë masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi për sanksionimin e një veprimi të tillë, i cili bie tërësisht ndesh me të drejtat dhe interesin më të mirë të fëmijës", potencohet në reagimin e shoqërisë civile

 Politikanët kosovarë vazhdojnë të mos i kursejnë as fëmijët, që të promovojnë veten e tyre. Ditë më parë Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka reaguar ndaj menaxhmentit të shkollës fillore "Fehmi Agani" në komunën e Gjakovës, të cilët kishin shfrytëzuar nxënësit për pritjen e kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, më datën 23 tetor 2018. Kjo, sepse, sipas KOMF-it, përveçqë është i papranueshëm ky veprim për shfrytëzimin e fëmijëve, është e papranueshme humbja e procesit mësimor. Analistët pyesin se përse politika, në këtë rast Ardian Gjini, po keqpërdor fëmijët për promovime politike, ndërsa e pësojnë nxënësit e arsimtarët e pafajshëm, që janë nën presionin e pushtetit. Me gjithë pyetjet e gazetarit të dërguara në adresën elektronike të Komunës së Gjakovës dhe kryetarit Ardian Gjini për të marrë shpjegimet e tyre për këtë veprim, gazetari nuk ka marrë përgjigje. KOMF-ja kërkon masa ndëshkuese Ndërkaq, në reagimin e koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ndaj veprimit të menaxhmentit të shkollës fillore "Fehmi Agani" në komunën e Gjakovës, për shfrytëzimin e fëmijëve për pritjen e kryetarit të Komunës së Gjakovës më datën 23 tetor 2018, në mes të tjerash thuhej se krahas shfrytëzimit të fëmijëve, është e papranueshme koha - procesi mësimor i humbur për përgatitje të fëmijëve si dhe presioni të cilit i nënshtrohen fëmijët për një ngjarje të tillë disa ditë me radhë. "KOMF shpreh shqetësimin që mësimdhënësit në rastet e tilla shihen si përkrahës të individëve apo personave zyrtarë dhe anashkalojnë rolin e tyre kyç të mësimdhënësit, në edukimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, i cili do të duhej të ishte primar ndaj çdo roli tjetër. Ligji për Arsimin Parauniversitar i Republikës së Kosovës ndalon në mënyrë të prerë aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese", vijon më tej reagimi. "Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të marrë menjëherë masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi për sanksionimin e një veprimi të tillë, i cili bie tërësisht ndesh me të drejtat dhe interesin më të mirë të fëmijës", potencohet aty. Ky reagim i është dërguar:Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Inspektoratit të Arsimit - MASHT ,Komunës së Gjakovës, Drejtorisë Komunale për Arsim DKA - Komuna Gjakovë, shkollës fillore "Fehmi Agani" në Gjakovë, medieve. Bastardimi i sistemit arsimor Eksperti i Integrimeve Evropiane Jeton Kelmendi, për gazetën " Kosova Sot ", thotë se politika jo vetëm që e ka dëmtuar Kosovën në aspektin ndërkombëtar e në aspektin ekonomik, por dëmin më të madh ia bëri vendit duke rrënuar sistemin arsimor, duke filluar nga Akademia e Shkencave. "Pastaj e kanë shkatërruar arsimin e lartë dhe Universitetin Publik të Prishtinës, duke krijuar një numër të madhe të universiteteve publike ku në secilin fshat është hapur një universitet dhe që nuk kanë madje as staf administrativ e lëre më të flitet për një staf akademik. Kësisoj pushtetarët e pasluftës e kanë shkatërruar arsimin e mesën dhe atë fillorë", vlerësoi ai. Sipas Kelmendit, janë politikanët tanë që pa e mbaruar as shkollën fillore apo atë të mesme në fshatrat e tyre, menjëherë po bëhen profesorë e doktorë e ministra. "Andaj, kjo qasje ndaj arsimin në Kosovë nuk është bërë e rastit nga qarqet dashakeqe ndërkombëtare për Kosovën që kanë arritur që të krijojnë një shkollë të tillë që t'ia pengojnë të ardhmen Kosovës", potencoi ai. "Këtë e kanë arritur në mënyrë shumë perfide duke i përdorur këto figura politike që janë marioneta të qarqeve të caktuara që disa me qëllim e bënë këtë për ta dëmtuar arsimin në Kosovë", vlerësoi Kelmendi. Qytetarët, të dëshpëruar nga politizimi i skajshëm Sipas qytetarëve të anketuar, vlerësohet se keqpërdorimi i fëmijëve për promovime politike, siç ndodhi në Gjakovë, duhet që të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Qytetari Hakif Hamiti, për gazetën " Kosova Sot', thotë se me vite të tëra ka jetuar në Kroaci dhe sikur atje të ndodhte një skandal i tillë, sikurse ky në Gjakovë, ku nxënësit keqpërdoren haptazi për promovime politike , ministri i Arsimit i atij vendi do të detyrohej që të jepte dorëheqjen së bashku me kryetarin e asaj komune. "E keqja është se këtu jemi në Kosovë dhe ligjet nuk vlejnë, sepse edhe ligji e precizon qartë se politika duhet që të qëndrojë sa më larg shkollave. Andaj, në mungesë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies po na ndodhin gjëra të tilla të pista dhe po keqpërdoren ambiente dhe shkollat. Pra, ndonëse kemi ligje të mira, ato nuk po zbatohen, andaj edhe nuk duhet fare që të çuditemi se përse nuk ka liberalizim të vizave për qytetarët tanë dhe kjo po ndodh shkaku i pushtetarëve tanë të papërgjegjshëm, sikurse që është kryetari i Komunë së Gjakovës", u shpreh ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Ramadan Ferizi, për gazetën " Kosova Sot', thotë se për fatin tonë të keq në Kosovën e pasluftës ka zënë rrënjë dukuria e politizimit të skajshëm të shkollave dhe në veçanti të nxënësve, sepse shkollat tona janë keqpërdorur tej mase, sidomos gjatë fushatave elektorale. "Që në të ardhmen mos të ndodhin raste sikur ai që e bëri kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, jam i mendimit se MASHT-i duhet të ndërmarrë masa imediate ndaj drejtorit të asaj shkolle, përgjegjësit të arsimit në këtë komunë, kurse, veç saj, edhe Ministria e Pushtetit Lokal duhet dhënë vërejtjen e fundit me shkrim për largim nga ky post edhe ndaj kreut të Komunës së Gjakovës për sjellje të tilla haptazi të ndaluara me ligjet në fuqi, që e thonë qartë se është i ndaluar politizimi i shkollës dhe nxënësve tanë", theksoi Ferizi. 

KASTA E SUNDIMTARËVE E FUNDOSI ARSIMIN Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ali Lajçi, për gazetën " Kosova Sot', thotë se vërtet është për keqardhje një veprimi i tillë i një kryetari komune që vjen nga koalicioni qeverisës, e aq më tepër nga partia e kryeministrit. "Kjo aq më tepër kur dihet qartazi se edhe Ligji për Arsimin Parauniversitar i Republikës së Kosovës e thotë në mënyrë të qartë se është i ndaluar çdo aktivitet promovues jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore apo etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese", u shpreh ai. "As këto veprime të përfaqësuesve të këtij koalicioni nuk duhet të na çuditin, sepse këta pushtetarë janë mësuar që nga fillimi që ta politizojnë shkollën, duke e bërë këtë përmes emërtimeve politike të drejtorëve partiakë nëpër shkollat tona", theksoi Lajçi. Sipas tij, shpëtimi i vetëm i vendit është largimi i kësaj kaste të sundimtarëve që e fundosën ekonomikisht Kosovën duke e shkatërruar në veçanti arsimin.

ABUZIMI ME SHKOLLËN, PËR KEQARDHJE Analisti Bislim Aliu, për gazetën "Kosova Sot', thotë se ka qenë i drejtë reagimi i Koalicionit të OJQ-ve KOMF që kanë reaguar për mbrojtjen e fëmijëve ndaj menaxhmentit të shkollës fillore "Fehmi Agani" në komunën e Gjakovës, të cilët kishin shfrytëzuar nxënësit, për pritjen e kryetarit të Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, më datën 23 tetor 2018. Ndaj, sipas Aliut, është i drejtë edhe vlerësimi i KOMF-së, që e thonë qartë se, përveçqë është i papranueshëm ky veprim, për shfrytëzimin e nxënësve, është edhe e papranueshme humbja e orëve në procesin mësimor, në pritje të një ngjarjeje të tillë. "Është për keqardhje që politika edhe në shkollë po keqpërdor fëmijët për promovime politike dhe gjithmonë keqpërdoren, duke pësuar nxënësit dhe arsimtarët e pafajshëm", potencoi ai.

(Kosova Sot)