Salihu: Opozita alarmon për abuzimet tregtare

  • 06 December 2018 - 17:38
Salihu: Opozita alarmon për abuzimet tregtare

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu (PSD), për gazetën " Kosova Sot', tha se si subjekt politik janë në dijeni se nga qytetarët tanë ka pasur shumë ankesa për rritjen e çmimeve të produkteve dhe ka frikën se këtë kryesisht po e bëjnë tregtarët e lidhur me pushtetin. "Mirëpo, duhet të jemi realë se si subjekt politik nuk jemi të habitur me këtë veprim të bizneseve, pasi një gjë e tillë ka qenë e pritur. Prandaj, edhe tashmë po duket dhe është më se evidente që masa e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në taksën 100 për qind ndaj produkteve importuese ka filluar t'i çrregullojë tregjet përkatëse", vlerësoi ai. Mirëpo, sipas opozitarit Salihu,para aplikimit të këtyre masave, Qeveria e Kosovës ka qenë dashur që të hartojë ndonjë plan veprimi, duke bërë konsultime paraprake adekuate me shoqatat dhe odat e biznesit dhe se ka zgjidhje për situatën e krijuar në vend . Prandaj, deputeti Salihu thotë se është detyrë e autoriteteve kompetente dhe inspektoratit përkatës që të parandalojë ndërmarrjet ta shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte të tjera tregtimi. "Prandaj, Qeveria duhet krijuar edhe një grup të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Prandaj, u bëjë thirrje bizneseve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj konsumatorit dhe të mos e keqpërdorin këtë situatë", potencoi ai.

 

(Kosova Sot)