Princesha japoneze, frikë për të ardhmen si Perandore

  • 09 December 2018 - 23:41
Princesha japoneze, frikë për të ardhmen si Perandore

Princesha e kurorës japoneze, Masako, thotë se ndjehet e pasigurt për rolin e pritshëm të saj, atë të Perandores, që do ta marrë në prill, por sidoqoftë premton se do të bëjë më të mirën e mundshme për t’i shërbyer popullit japonez.

Masako Owada do të bëhet perandore kur bashkëshorti, princi i kurorës Naruhito, të zërë vendin e të atit, perandorit Akihito.

Ky i fundit, 84 vjeç, do të abdikojë nga froni vitin e ardhshëm, për shkak të moshës dhe shëndetit.

Princesha, që ka vuajtur nga çrregullime të lidhura me stresin prej shumë vitesh, thotë se po e merr veten ngadalë dhe se do të përpiqet të kryejë më shumë detyra mbretërore.

Masako është arsimuar në Harvard dhe Oksford dhe ka patur një karrierë premtuese si diplomate para martesës së saj, në 1993. Sidoqoftë, ajo është përpjekur jo pak t’i përshtatet jetës mbretërore dhe shtëpisë perandorake shumë konservatore në Japoni.

Princesha foli për mediat në një deklaratë me rastin e ditëlindjes së saj të 55.

Mjekët e saj thonë se Masako vuan nga një çrregullim personaliteti, një gjendje kjo e shkaktuar nga stresi që shpesh lidhet me depresionin dhe ankthin. Sidoqoftë, vetë ajo tha se shëndeti i saj po përmirësohet ndërsa mjekët thonë se është e rëndësishme që princesha të lejohet të vazhdojë trajtimin e saj dhe të mos i nënshtrohet shumë presioni.

 

(Kosova Sot)