Ftesa për Remin, Tomë Gashi tregon të tjerët që do të ftohen nga Specialja: Kjo është e keqja më e madhe

  • 10 December 2018 - 14:02
Ftesa për Remin, Tomë Gashi tregon të tjerët që do të ftohen nga Specialja: Kjo është e keqja më e madhe

Tashmë kur kanë kaluar tri vite që nga formimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, si duket ajo më në fund do të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para.

Ditë më parë, ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale më 14 janar të vitit të ardhshëm, pra të vitit 2019.

"Unë jam nga ata qe kam përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë. Pres që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë. Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari", kishte shkruar në faqen e tij në facebook, Rrustem Mustafa pas marrjes së ftesës nga Specialja.

Image
Tomë Gashi

 

Për të dhënë më shumë detaje për Gjykatën Speciale, për gazetën Kosova Sot ka folur avokati, Tomë Gashi.

Ai thotë se viti 2019 do të jetë një vit i nxehtë për ata që priten të akuzohen.

"Sigurisht se është ditur që Gjykata Speciale një ditë do të ia filloj punën e saj. Dhe nuk kurrëfarë arsye për befasinë fallco sepse këtë e kanë pritur edhe deputetët e Kosovës kur kanë votuar Gjykatën Speciale kundër vetvetes kur kanë votuar këtë Gjykatë me 4 gusht 2015. Tani ma dihet se Rrustem Mustafa-Remi është i ftuar për intervistë nga zyra e prokurorit special në Hagë të Holandës për datën 14 janar të vitit që po vie2019. Dhe ky vite do te jetë vit i nxehtë për ata që do te akuzohen atje", shprehet Gashi.

Më tej, ai ka thënë se pas ftesës për Rrustem Mustafën, duhet të brengosen të gjithë ata që përmenden në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

"Sepse Gjykata Speciale është gjykatë serioze edhe pse shumë e dëmshme për shqiptarët në përgjithësi, për ne shqiptarët e Kosovës në veçanti dhe posaçërisht për ish pjesëtaret e UÇK-së Sigurisht që ka arsye për brengosje secili që e gjen emrin e vet në raportin e Dick Martyt. Dhe Gjykata normal që do të ftojë edhe të  tjerë komandantë dhe ushtarë të  UÇK-së", deklaron avokati Tomë Gashi për gazetën Kosova Sot.

Ai ka treguar edhe më të keqën të madhe, që sipas tij i pret ata që priten të akuzohen nga Specialja.

"Dhe që është më e keqja nuk ndonjë datë e as vit se sa do te zgjas puna e Gjykatës Speciale. Normal qe cak i Gjykatës Speciale munde të jenë të gjithë ata që  janë përmendur me emra e mbiemra në raportin e Dick Marty, por edhe të tjerë jashtë atij raporti", përfundon avokati, Tomë Gashi. (Kosova Sot)