Miftari: Ambasadori i ri amerikan, Kosnett, është shpresa e vetme që mund të ndikojë që ligji në Kosovë të funksionojë

  • 10 December 2018 - 15:14
Miftari: Ambasadori i ri amerikan, Kosnett, është shpresa e vetme që mund të ndikojë që ligji në Kosovë të funksionojë

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë për "Kosova Sot" se tani ka një shpresë të re në pritje për kërkesa konkrete në fushën e sundimit të ligjit nga miqtë amerikanë përmes ambasadorit të porsaardhur në vendin tonë."E kemi cekur shumë herë se me ndryshime të ligjeve qeveritarët dhe politikanët vetëm po blejnë kohë për ta zgjatur jetën e vetë pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuat, pasi nuk i kemi aspak problem ligjet as ndryshimet që sipas tyre ka nevojë të bëhen, probleme kemi me ata që janë të detyruar zyrtarisht ta zbatojnë dhe mbrojnë ligjin, e në fakt dalin të jenë vetë ata që po e shkelin ligjin, duke u shërbyer rrjeteve të nëntokës politike dhe kriminale, sepse edhe prokurorët, edhe gjyqtarët dhe hetuesit policorë janë të zgjedhur në ato pozita në mënyrë që t'u shërbejnë shefave politiko- mafiozë, por jo ligjit.

Edhe pakot ligjore të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, nga PDK-ja, plotësohen e ndryshohen koti, sepse ai është vetëm një kasnec i presidentit, që po t'i dërgosh edhe trena të ngarkuar me ligje prapë është e kotë", është shprehur ai. Kjo status-kuo, sipas Miftarit, mund të ndryshojë vetëm nëse ambasadori i ri amerikan seriozisht e merr angazhimin për të lëvizë gurët."Ambasadori i ri amerikan Kossneti është shpresa e vetme që mund të ndikojë që ligji në Kosovë të funksionojë si duhet dhe ligji të jetë i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë njësoj.

Shpresoj se qasja e ambasadorit amerikan kësaj radhe do të jetë serioze dhe e drejtë dhe jo vetëm marketing politik, pasi suksesi i shtetit të Kosovës është sukses edhe amerikan, duke mos harruar se populli ynë është populli më pro amerikan e pro perëndimor në botë. Liria jonë është e lidhur me Amerikën, por edhe suksesi apo dështimi i shtetit të Kosovës është i lidhur me Amerikën. Prandaj shpresa e vetme për ta ndalë korrupsionin politik dhe shtetëror është serioziteti i ambasadorit amerikan", theksoi analisti Naim Miftari për "Kosova Sot".

 

Lexo edhe këtë : Politikanët e korruptuar i frikësohen Vetting-ut në drejtësi

 

(Kosova Sot)