Kinë, arrestohet në rrethana misterioze diplomati kanadez

  • 11 December 2018 - 22:25
Kinë, arrestohet në rrethana misterioze diplomati kanadez

Një diplomat kanadez është arrestuar në Kinë, duke ngjallur frikën se e gjitha mund të jetë një hakmarrje e qeverisë së Pekinit ndaj arrestimit të menaxheres së gjigantit kinez të komunikimit “Hawei”.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Reuters, e cila citon burime të rezervuara, ndërkohë që në rrugë zyrtare nuk është konfirmuar ende.

E sigurt është se arrestimi i Meng Wanzhou më herët gjatë muajit në aeroportin e Vankuverit acaroi pa masë Kinën.

Sipas “Reuters”, diplomati i arrestuar është Michael Kovrig, ekspert për Azinë veri-lindore pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Përmes një komunikate, GNK ka deklaruar se është në dijeni të ndalimit të funksionarit të tij dhe se është në kontakt me autoritetet kineze për të siguruar lirimin.

Aktualisht vendndodhja e Kovrig nuk dihet dhe thirrjet në adresë të numrit të tij të telefonit nuk marrin përgjigje.

Edhe motivet e arrestimit janë të paqarta. Ambasada kanadeze në Pekin refuzoi të bënte komente dhe po ashtu Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme kineze nuk iu përgjigjën interesit të mediave.

 

(Kosova Sot)