Telekomi, drejt falimentimit

  • 13 December 2018 - 07:54
Telekomi, drejt falimentimit

Grapci: Korporata ‘Devolli’ duhet që urgjentisht ta pranojnë fajin dhe ta lirojnë PTK-në

“Edhe nga heshtja e Prokurorisë kjo na tregon se ajo po frikësohet që të hapë rastet kriminale, që kanë ndodhur deri më tash në Telekom, gjë që nënkupton se vetë heshtja e Prokurorisë është një tregues i qartë se edhe Prokuroria e Kosovës do të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së. Kur e them këtë bazohem në faktin se Prokuroria, që prej vitit 2008 e deri tani në fund të 2018-tës, nuk ka guxuar që të hapë dosjen e krimit të organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së, duke filluar që nga të gjithë ish-kryeministrat dhe ish-qeveritë, e deri tek krerët e shtetit dhe të tri shtyllat e pushteteve në dekadën e fundit. Prandaj, jam shumë i bindur se Prokuroria po frikësohet se po qe se hapin rastet për aferën PTK- ‘Z – Mobile’, dhe kontratave të tjera kriminale, do të dalë në shesh se prapa të gjitha këtyre kontratave qëndrojnë kapot e politikës së inkriminuar dhe nëntoka kriminale”, thotë deputeti Salih Salihu për gazetën "Kosova Sot"

Njohës të rrethanave ekonomike në vend, si edhe deputetë të opozitës në Kuvendin e Kosovës, janë të habitur se si edhe Qeveria “Haradinaj” po lejon që të abuzohet me Telekomin dhe si Qeveri veç po ankohen se kompania po falimenton e në anën tjetër nuk po ndërmerr asgjë ndaj përgjegjësve të falimentimit. Si dihet, Telekomi që nga pas lufta e deri në këtë situatë, u plaçkit pandërprerë përmes skemave dhe kontratave kriminale, të dëmshme, e deri te arbitrazhet e inskenuara. Për të arritur këtë, sipas analistëve, pushtetarët e inkriminuar me nëntokën kriminale me këtë rast e krijuan bashkë skemën e operatorit virtual mobil, që njihet me emrin, “ Z-Mobile”, vetëm me qëllimin për të zhvatur qindra miliona euro pa as edhe një investim, por edhe pa procedurë tenderime. Prandaj, sipas analistëve të kësaj fushe, por edhe deputetëve të opozitës,vërtet është për t’u habitur se përse, edhe pse Prokuroria që është e vetëdijshme për krimet që janë bërë kundër Telekomit, deri më tash nuk kanë bërë hetime dhe aktakuza për krimet e pandërprera që janë bërë në PTK pandërprerë, e sidomos në 10 vjetët e fundit,duke përfshirë edhe kontratën më kriminale të këtij 20-vjeçari të fundit, që është kontrata me Devollët. Analistët pyesin se a do të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së edhe Prokuroria me heshtjen e saj dhe pse frikësohet Prokuroria që të hapë rastet kriminale që kanë ndodhur deri më tash në Telekom. Analistët alarmojnë se përse Prokuroria prej vitit 2008 e deri tani në fund të 2018-tës nuk denjoi që të hapë rastet për krimin e organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së nga ish-kryeministrat dhe ish-qeveritë, në majat e pushtetit në të tri shtyllat e pushteteve të tejinkriminuara në 10 vjetët e fundit? Sipas analistëve, Prokuroria po frikësohet se po qe se hapin rastet për aferën PTK- “ Z - Mobile”, dhe kontrata të tjera kriminale, do të dalë që prapa këtyre kontratave qëndrojnë kapot e politikës së inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Me gjithë pyetjet e gazetarit të drejtuara në adresën elektronike të Qeverisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe kompanisë “ Z - Mobile”, se çfarë thonë ata për këtë marrëveshje që nga njohësit e kësaj fushe është quajtur kriminale, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Salihu: Prokuroria frikësohet të hetojë aferat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se tashmë dihet botërisht se Telekomi i Kosovës që nga pas lufta e deri në këtë situatë, nga të gjitha garniturat e qeverive të pasluftës u plaçkit pandërprerë përmes skemave dhe kontratave kriminale, të dëmshme e deri te arbitrazhet e inskenuara. “Por, për të arritur këtë pushtetarët e deritashëm të inkriminuar me nëntokën kriminale këtë rast e krijuan skemën e operatorit virtual mobil, që njihet me emrin “ Z-Mobile”, vetëm me qëllimin për të zhvatur qindra miliona euro pa as edhe një investim, por edhe pa procedurë tenderimi”, u shpreh ai. “Personalisht, unë edhe nuk jam i habitur se si edhe Qeveria ‘Haradinaj’ po lejon që të abuzohet me Telekomin e Kosovës dhe si Qeveri veç po ankohen se kompania po falimenton, e në anën tjetër nuk po ndërmerr asgjë ndaj përgjegjësve të falimentimit. Prandaj, nga heshtja e Qeverisë lë vend për dyshime se edhe kjo Qeveri do ta ketë hisen e vet të kulaçit me rastin e privatizimit të kësaj kompanie ”, vlerëson Salihu. “Edhe nga heshtja e Prokurorisë kjo na tregon se ajo po frikësohet që të hapë rastet kriminale që kanë ndodhur deri më tash në Telekom, gjë që nënkupton se vetë heshtja e Prokurorisë është një tregues i qartë se edhe Prokuroria e Kosovës do të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së. Kur e them këtë bazohen në faktin se Prokuroria që prej vitit 2008 e deri tani në fund të 2018-tës nuk ka guxuar që të hapë dosjen e krimit të organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së, duke filluar që nga të gjithë ish-kryeministrat dhe ish-qeveritë, e deri tek krerët e shtetit dhe të tri shtyllat e pushteteve në dekadën e fundit. Prandaj, jam shumë i bindur se Prokuroria po frikësohet se po qe se hapin rastet për aferën PTK- ‘Z – Mobile’, dhe kontratave të tjera kriminale, do të dalë në shesh se prapa të gjitha këtyre kontratave qëndrojnë kapot e politikës së inkriminuar dhe nëntoka kriminale”, tha deputeti Salihu.

Situata dramatike në kompani

Ligjëruesi universitar i lëndëve të ekonomisë Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se si nëpër çdo institucion publik dhe pronë publike ku u vodh dhe u shkatërrua pa mëshirë nga ana e pushtetarëve tanë, në veçanti nga njerëz të PDK-së, e pësoi edhe Posta dhe Telekomi i Kosovës që e patën të njëjtin fat. “Kjo kompani profitabile, e cila për çdo vit i sillte dividentë buxhetit të Republikës së Kosovës me miliona euro, që nga ardhja në pushtet e PDK-së filloi të vidhej dhe shkatërrohej. Fillimisht për nevoja të votës elektorale, kjo kompani u përdor si vend ku u punësuan familjarët e tyre dhe shumë simpatizantë të PDK së. Thjesht, kjo kompani u mbipopullua nga punëtorët që sot e asaj dite shumë prej tyre vetëm marrin paga të mëdha dhe fare nuk e dinë pse janë aty ose çka kanë për të punuar”, u shpreh ai. “Sikur kjo mënyrë e vjedhjes dhe shkatërrimit nuk ju mjaftonte këtyre matrapazëve, atëherë zgjedhën mënyrën që brenda kësaj kompanie profitabile ta fusin ‘Z-Mobile’.Ndaj, edhe shtrohet pyetja se si ndodhi kjo: Duke ua mbushur xhepat disa pushtetarë e ftojnë kompaninë ‘Z-Mobile’, eja ti bëhu pjesë e Valës dhe Telekomit, dhe nuk do të paguash asgjë si dhe të gjithë infrastrukturën që e kemi ne mund ta shfrytëzosh. Prandaj, doemos se parashtrohet pyetja: A ka ndonjë vend në botë ku pushtetarët e atij vendi do të mund të bënin një gjë të tillë për ta shkatërruar një kompani profitabile për interesa personale të disa hajnave të partisë, e cila në atë kohë ishte në pushtet? Andaj, përgjigjja është jo”, ka thënë Maxhuni. Sipas tij, një pjesë të fajit e kanë edhe punëtorët e kompanisë, përkatësisht Sindikata e punëtoreve, të cilët kanë qenë të vetëdijshëm për veprimet e tyre, por meqenëse pagat i kishin të larta dhe në xhepin e tyre nuk ndihej mungesa e parave, si të tillë edhe sindikatat nuk bënin zë. “Veç saj, edhe emërimi i drejtorëve dhe anëtarëve të Bordit nga ana e pushtetit bëhej pa asnjë kriter. Drejtor i Valës, Agron Mustafa një hajn dhe matrapaz i paskrupullt, për interesa personale ka nënshkruar shumë kontrata të dëmshme për kompaninë, derisa e shkatërroi përfundimisht. Për fatin e keq, sot Mustafa po bredh rrugëve pa u ndëshkuar fare për veprimet e tij që Vala u shkatërrua, ndërsa Prokuroria dhe gjykatat merren me persona që marrin ryshfet 20 euro. Andaj, sot jemi në një situatë ku edhe kryeministri e pranon se Vala dhe Telekomi i Kosovës janë në bankrot, pa u munduar fare që kjo kompani të shpëtohet. Shpëtimi do të bëhej dhe si masë e parë do të duhej të ishte zvogëlimi i pagave marramendëse të punëtorëve që punojnë në këtë kompani dhe së dyti të shkëputej kontrata me,’ Z-Mobile’, e cila skadon vitin e ardhshëm. Por, zvogëlimi i pagave nuk po lejohet nga Sindikata e punëtorëve dhe vetë punëtorët. Dhe, kjo është e tmerrshme dhe e turpshme nga ana e tyre, sepse edhe nëse pagat do të zvogëloheshin 50 për qind, edhe atëherë pagat e tyre do të ishin larg më të larta sesa është sot paga mesatare në Kosovë. Sipas logjikës së Sindikatës, më mirë të shkohet në shtëpi përgjithmonë sesa të pranohet zvogëlimi i pagave”, shtoi më tej analisti Maxhuni.

Nëntoka kriminale dirigjoi kontratat e dëmshme

Analisti, Bislim Aliu, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se vërtet është e habitshme se si po lejohet abuzimi në Telekomin e Kosovës edhe nga kjo Qeveri, e cila veç ankohet se kompania po falimenton, e nuk po ndërmerr asgjë ndaj përgjegjësve të falimentimit. “Aq më tepër kur dihet mirëfilli se pandërprerë u plaçkit Telekomi, që nga pas lufta, duke e bërë këtë përmes skemave dhe kontratave kriminale të dënueshme, e deri te arbitrazhet e inskenuara”, potencoi ai. “Për ta arritur qëllimin, nëntoka kriminale bashkë me pushtetarët e inkriminuar e krijoi edhe skemën e operatorit virtual mobil, që njihet me emrin ‘Z-Mobile’, vetëm e vetëm për të zhvatur qindra miliona euro, pa pasur madje as edhe një investim, por edhe pa procedurë tenderimi. Prandaj, për këto Prokuroria është e vetëdijshme, për krimet që janë bërë kundër Telekomit, por e keqja është se nuk ka bërë hetime dhe aktakuza për krimet e pandërprera që janë bërë në PTK, e sidomos në 10 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe kontratën më kriminale të këtij 20- vjeçarit të fundit, e që është kontrata me Devollët”, u shpreh Aliu. “Tani edhe mund të pyesim se a do të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së edhe Prokuroria me heshtjen e saj dhe përse po frikësohet Prokuroria të hapë rastet kriminale në Telekom? Prokuroria prej vitit 2008 e deri tani në fund të 2018-tën, nuk hapi rastet për krimin e organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së, duke filluar që nga ish-kryeministrat dhe ish-qeveritë, për të vazhduar me hetimet deri në majat e pushtetit në tre shtyllat e pushteteve të tejinkriminuar në 10 vjetët e fundit. Prandaj, ky është një tregues se Prokuroria, tani sikur po frikësohet, që të hapë rastet për ‘Z- Mobile’ dhe të tjera kontrata kriminale dhe sigurisht që hetimet do të tregonin se prapa këtyre kontratave qëndrojnë kapot e politikës së inkriminuar dhe nëntoka kriminale”, ka potencuar Aliu.   

Meha: Devollët mund ta marrin Telekomin

Eksperti i financave Xhevat Meha, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se kjo është faza e fundit e marrjes së PTK-së nga Devollët, ngase ditë më parë u njoftua se Devollët kanë ngritur rast gjyqësor me PTK-në për mospagesë të borxhit. “Fillimisht para gati 10 vjetëve Devollët me një nënshkrim kontrate e bën PTK-në që të punojë për Devollët. Pastaj me një nënshkrim bënë që PTK-ja, njëanshëm të mos e zbatojë një pjesë të kësaj kontrate. Pastaj për moszbatim të plotë të kontratës, një arbitrazh vendos që t’i vërë gjobë PTK-së, gjobë milionëshe. PTK-ja nuk e paguan këtë gjobë, e cila me kamata llogaritet rreth 30 milionë euro. Tani Devollët kërkojnë borxhin përmes gjyqit, dhe dihet, kur PTK-ja nuk paguan, unë pres që gjykata të vendosë që Devollët të marrin PTK-në në emër të borxhit. Bile, borxhi do të jetë ende më i lartë sesa vlera e PTK-së, e cila sipas përllogaritjes së kryetares së Bordit është 22 milionë. Siç shihet nga lart, ky proces, që në fakt është skemë, zgjat për gati 10 vjet, qeveritë e qeveritarët e drejtorët e PTK-së po ndërrohen, shkojnë e vijnë, po skema vazhdon të mbetet e paprekur. Kjo mund të jetë bërë e mundur vetëm me veprimet e koordinuara të strukturave të dëshmuara si më të organizuarat deri tash në Kosovë, strukturat e Shërbimit Sekret Shtetëror të Serbisë. Duhet cekur se skema të tilla të ngjashme janë praktika ndërkombëtare të krimit të organizuar ndërkombëtar, dhe ato janë zbatuar me të madhe në Rusi dhe vendet e tjera ish-socialiste, por jo vetëm, janë zbatuar edhe në vende të Azisë dhe Afrikës, në vendet ku sundon krimi i organizuar dhe korrupsioni”, shpjegoi Meha.

Prapa vendimeve skandaloze, politikanët e inkriminuar

Analisti Ragip Guraziu, për gazetën “Kosova Sot’, pyet se përse edhe Prokuroria, që është e vetëdijshme për krimet që janë bërë kundër Telekomit, nuk ka bërë hetime dhe aktakuza për krimet e pandërprera që janë bërë në PTK pandërprerë, sidomos duke përfshirë edhe kontratën më kriminale, që është kontrata me Devollët. “Edhe Prokuroria me heshtjen e saj si po duket do të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së, kjo ngase edhe Prokuroria po frikësohet që të hapë rastet kriminale që kanë ndodhur në Telekom. Prandaj, vërtet po i zihet për të madhe pse Prokuroria që prej vitit 2008 e deri tani në fund të 2018-tës nuk po kanë guximin që të hapin rastet për krimin e organizuar dhe shkatërrimin e PTK-së. Prandaj, nga heshtja e Prokurorisë e themi lirshëm se edhe Prokuroria po frikësohet se po qe se hapin rastet për ‘Z- Mobile’ dhe kontrata të tjera kriminale, do të dalë se prapa këtyre kontratave qëndrojnë kapot e politikës së inkriminuar dhe nëntoka kriminale”, u shpreh ai.

Mega-aferën ta hetojë Specialja

Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, tha se ka frikën që falimentimi i PTK-së do të mund të ndodhë pas 2 vjetëve, nëse Qeveria aktuale nuk merr masa për parandalimin dhe shkatërrimin e PTK-së. “Prandaj, Prokuroria e Kosovës duhet të kuptojnë që me sytë e mbyllur nuk mund të ecësh se mund të biesh në humnerë, prandaj duhet t’i hapin sytë dhe le të kuptojnë që janë duke bërë gabim për mosmarrjen e ndonjë vendimi rreth këtij skandali 10- vjeçar që po ndodh në mes PTK-s dhe ‘Z- Mobile’. Korporata ‘Devolli’ duhet që urgjentisht ta pranojnë fajin dhe ta lirojnë PTK-në nga ky fenomen, ngase duhet ta kuptojnë që me dallavere nuk mund të punohet gjithmonë, por duhet ta kenë të qartë që kjo do t’ju kthehet bumerang dhe kjo nënkupton se ndoshta edhe do të munden ta shkatërrojnë PTK-në, por mega -skandali më i madh do jetë kur do të falimentojë korporata ‘Devolli’. Prandaj, nëse Prokuroria e Kosovës e kanë frikën që të merren me ndriçimin e këtij rasti, atëherë unë them që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën Speciale të Kosovës”, shprehet Grapci.

 

 

(Kosova Sot)