Ushtria e Kosovës shuan “flakën” e Serbisë!

  • 13 December 2018 - 19:15
Ushtria e Kosovës shuan “flakën” e Serbisë!

Lista Serbe e cila dirigjohet direkt nga Beogradi, gjatë ditës së djeshme ka paralajëmruar flakë në Kosovë nëse kjo e fundit formon ushtrinë.

“Nëse kjo ndodh të premten, është krejt e sigurt se do të ketë tensione të reja dhe Kosova do të krijojë një zjarr serioz politik që do ta përdorë ndaj popullatës serbe Beogradit dhe është krejt e sigurt se tymi nga ky zjarr do të ndjehet në gjithë rajonin”, kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme nga Lista Serbe.

Por, nesër përfundimisht Kosova do ta formojë ushtrinë e Kosovës.

Lidhur me paralajmërimet e Listës Serbe, për gazetën Kosova Sot ka folur analisti politik, Haki Abazi, si dhe analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

 

Shahu thekson se Kosova edhe përmes flakëve nëse është nevoja duhet ta formojë ushtrinë e saj.

“Kosova edhe përmes flakëve, edhe nëse shkojnë flakët e zjarrit serb deri në qiell, duhet ta votojë e miratojë ushtrinë e Kosovës. Në emër të gjithë shqiptarëve të vdekur e të ne që jemi gjallë. Vendime madhështore në historinë rrallë ofrohen, në histori e krijimi i ushtrisë së Kosovës është madhështor”, deklaron Shahu për Kosova Sot.

Sipas tij, Kosovën nuk ka fuqi që mund ta djeg nëse atë e mbrojnë shqiptarët.

“Kosovën nuk duhet ta djegin shqiptarët në emër të askujt, nuk duhet që shqiptarët të marrin unat e zjarrit në duar, po për zjarret e pakicave serbe nuk digjet Kosova. Edhe sikur krejt pakicat serbe të bëhen dru zjarri e të hyjnë në zjarr, edhe sikur të bëhen benzinë, nuk kanë fuqi ta djegin Kosovën nëse e mbrojnë shqiptarët dhe nëse themelojnë ushtrinë më të bukur të botës - ushtrinë e Kosovës”, nënvizon Shahu.

Kurse, analisti politik, Haki Abazi, për Kosova Sot deklaron se kërcënimet e Listës Serbe e cila dirigjohet nga Beogradi. Tregojnë se sa i gabuar ka qenë dialogu që Thaçi ka zhvilluar që pesë vite me Serbinë.

Image
Haki Abazi

 

“Lista Srpska është një organizatë poetike sabotuese, jo kushtetuese dhe instrument i përdorur nga Beogradi për të penguar shtetndërtimin. Kjo që po bënë Lista Srpska është shumë gjë e mirë sepse qartazi tregon që Serbia nuk është e interesuar për një normalizim por destabilizim të Kosovës. Gjithashtu tregohet se sa i gabuar ka qenë dialogu që Thaçi ka zhvilluar që më shumë se pesë vite. Është koha që Serbët në Veri dhe në Jug të kenë përfaqësuesit e tyre dhe jo njerëz të instrumentalizuar nga Beogradi”, thekson Abazi.

Më tej, ai thotë se Ushtria është e paraparë edhe me pakon e Ahtisarit.

“Plani Ahtisarit ka parapare shume qarte qe Kosova mund të ketë ushtri dhe kjo gjë duhet herët apo vonë të konfirmohet në Kushtetutën e Kosovës. Sa për trazirat, nuk është e cuditshme, Serbia ka nisur pesë luftëra në Ballkan dhe vazhdon të jetë faktorë jostabiliteti ne Ballkan por për këtë gjë Shqiptarët dhe Kosova nuk mund të paguajnë faturën. Serbia dëshiron që Shqiptarët të mos jenë të përgatitur në rast të sulmit të Serbisë dhe që Serbia të mund të bëjë gjenocid në popullatën civile ashtu sic ka bërë në luftën e fundit. Ky skenar nuk mund të përsëritet më, qytetarët e Kosovës nuk do të lejojnë që më të presin Serbinë me duar thatë dhe të pambrojtur”, përfundon Haki Abazi për gazetën Kosova Sot.

Ndryshe, nesër më 14 dhjetor Kuvendit i Kosovës do të mbajë seancën parlamentare ku pritet të votohet transformimi i FSK-së në Ushtri të Armatosur.

(Kosova Sot)