Haradinaj i kundërpërgjigjet Bërnabiqit pas kërcënimeve për luftë

  • 13 December 2018 - 22:12
Haradinaj i kundërpërgjigjet Bërnabiqit pas kërcënimeve për luftë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat e homologes së tij serbe, Ana Bërnabiq, për gjoja mundësinë e konflikteve të armatosura, pas formimit të ushtrisë së Kosovës.

“E kam përcjellë kryeministren Bërnabiq. Nganjëherë është shumë emocionale, i dramatizon situatat shumë më tepër se që janë”, ka thënë Haradinaj.

“Asgjë në të drejtat e serbëve të Kosovës nuk ndryshon për të keq me votimin e ushtrisë. Ose në jetë, ose në siguri”, ka deklaruar ai.

“Mund të ndryshojë për të mirë, jo për të keq”, ka theksuar Haradinaj.

“Mendoj që është një kalkulim i gabuar, se do të vështirësohet pozita e serbëve pse Kosova e voton ushtrinë e vet”, ka thënë kryeministri kosovar.

“Kosova është më e sigurt dhe kush jeton në Kosovë është më i sigurt”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thënë se Serbia duhet ta përshëndesë krijimin e ushtrisë së Kosovës – “një ushtri që vjen për paqe dhe është në interes të të gjithë neve në rajon”.

“Jemi të interesuar që me Serbinë të kalojmë nga tensionet në një paqe të përhershme për të dy popujt”, ka deklaruar Haradinaj.

“Qasja e tyre agresive, ajo që ka ndodhur në të kaluarën, e ka vërtetuar që s’është në dobi të askujt”, është shprehur ai.

 

(Kosova Sot)