Shteti i Kosovës është shndërruar në kazan të mafisë dhe krimit të organizuar

  • 13 December 2018 - 07:50
Shteti i Kosovës është shndërruar në kazan të mafisë dhe krimit të organizuar

Miftari: Prokurorët po flenë mbi dosjet e krimit

 “Po të kishte shtet ligjor dhe prokurorë e gjyqtarë me integritet, nuk do t’i pranonin këto para. Pagat iu rriten që disa herë, por prokurorët e Prokurorisë Speciale veç i kanë pasur shtesat e majme. Por si po i arsyetojnë ato shtesa me heshtje dhe dëgjueshmëri. Në fund le të na tregojnë se cili nga prokurorët u kërcënua deri më tani, vetëm një, edhe ai është në Amerikë, e për të ishte dashur të ketë shtesa dhe sigurim të familjes. I vetmi ai deri më tani ishte prokurori shembull i Kosovës së pasluftës. Dhe ja se çka ndodhi me të. Këta prokurorët tjerë nuk i ngacmon askush, as nuk i kritikon, e as nuk u kërkohet llogaridhënie dhe transparencë”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”

Njohësit e fushë së drejtësisë e kanë kritikuar vendimin e fundit të qeverisë për stimulimet shtesë ndaj prokurorëve të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se ata nuk e meritojnë këtë stimulim, pasi nuk po dëshmohen që janë në nivel të duhur të detyrës. Analistët e kësaj fushe vlerësojnë se kjo pagesë e shtesave është një lloj korrupsioni që pushtetarët po e bëjnë për të vazhduar “paqen” me Prokurorinë Speciale, që të mos i “ngucin” dhe të mos hapen hetime për pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet. 

Miftari:Qeveria me këtë stimulim po i korrupton prokurorët 

Sipas njohësit të kësaj fushe, Naim Miftari, qeveria me këtë stimulim po i korrupton prokurorët për të mbrojtur zyrtarët e vet nga ndjekja që u kanoset atyre.“Rroga e rritur për prokurorë specialë është korrupsion institucional, pasi këta prokurorë me punën që e kanë bërë gjer sot nuk i meritojnë as rrogat e mëparshme, nuk e meritojnë as të jenë fare prokurorë dhe disa prokurorë vendin e kanë në burg, pasi janë vetë pjesë e krimit të organizuar dhe janë aty prokurorë për t’i mbrojtur politikanët e korruptuar”, u shpreh ai.

Miftari thekson se edhe rrogat e mëparshme të prokurorëve kanë qenë më të mëdhatë në rajon, dhe tani kjo e fundit, si vendim, është turp publik, kur dihet se çfarë varfërie ekstreme është në Kosovë, kur popullatën e kemi në varfëri të skajshme, e sa për të izoluar, shkelur e të etiketuar as nuk ka se çka të diskutohet. “Pikërisht për shkak të këtyre politikave dhe të këtyre prokurorëve, të këtij lloji, po flenë dosjet e krimit, në të shumtën e të cilave edhe vetë janë pjesë e këtyre dosjeve, sepse këta po flenë së bashku me krimin e organizuar. Kjo është arsye pse shteti i Kosovës është shndërruar në një lloj kazani të mafisë dhe i krimit të organizuar. Pra, unë po e them se shumë nga këta prokurorë e kanë vendin në burg, kurse rrogat e tyre do të duhej të zvogëloheshin, jo të rriteshin, pasi edhe ashtu shumica janë milionerë dhe janë edhe kumbarë të mafisë”, vijoi më tutje Miftari. “Pra, në këtë javë kundër korrupsionit, jo vetëm prokurorët, por edhe kryetari Hashim Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli, si dhe kryeprokurori Lumezi është dashur ta pyesin secili veten e vet se a janë dhe sa janë të korruptuar, sa janë pasuruar ata vetë në mënyrë të pandershme, pasi këtu po flasim për katër figura që janë të gjithë milionerë”, tha Miftari për “Kosova Sot”.

Preteni:Prokuroria Speciale gjatë vitit 2017 i ka ngritur 8 aktakuza për korrupsion! 

Edhe sipas ish-kreut të AKK-së, Hasan Preteni, vazhdimi i benefiteve materiale për institucionet e drejtësisë derisa nuk janë në nivel të detyrës, është krejtësisht i gabuar dhe jomeritor, në këtë rast edhe për prokurorët e Prokurorisë së Kosovës, për të dyja nivelet.“Prokuroria Speciale, sipas raportimit të tyre, gjatë vitit 2017 i ka ngritur 8 (tetë) aktakuza për korrupsion! Atëherë shtrohet pyetja se vërtet çfarë punon kjo prokurori, pse nuk bëhen publik emrat se kush janë të akuzuarit. Duhet të raportohet po ashtu se kush u gjykua në bazë të aktakuzave të tyre. Po ashtu, duhet të raportohet se sa veta janë dënuar për korrupsion si rezultat i punës së tyre tash e një dekadë. Pra, le ta dijë qytetari se sa prokurorë janë, sa prej tyre nuk e kanë ngritur asnjë aktakuzë dhe cilët janë ata. Po raportohet se aty ishte një prokuror që për katër vite e kishte ngritur vetëm një aktakuzë, edhe atë për armëmbajtje pa leje! Atëherë shtrohet pyetja tjetër se ku shkojnë rastet e ngritura nga ata? Ku po i dërgojnë ata këto aktakuza? Edhe këta të shpërblehen tani!”, u shpreh ai.“Ku është parë që një prokuror i Prokurorisë Speciale të ketë pagën më të lartë se 4 mjekë specialistë? Kjo për mua është një çmenduri, kjo është lojë e ulët edhe me inteligjencën kosovare. Për mendimin tim kjo është lojë për kinse plotësim të kërkesave që vijnë nga organizatat sindikale, po ku janë ato shtrohet pyetja? Prokurori merr rrogën rreth 3000 euro e gjyqtari i gjykatës themelore që duhet t’i dënojë të akuzuarit, sa e ka pagën? Pra, le të kuptohet që të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionin! Pra, ata janë të korruptuar, sepse po përfitojnë nga vendimet joligjore. Shkelja e ligjit është korrupsion i pastër. Të gjitha vendimet që janë si rezultat i vendimeve në "Konflikt të Interesit" janë të pavlefshme”, vlerësoi Preteni për “Kosova Sot”.

Krimi nuk luftohet me OJQ

Edhe sipas analistit Arsim Haziri, qeveria para se të vendoste për stimulim të prokurorëve do të duhej hequr dorë nga ndikimi në drejtësi, të kërkojë llogaridhënie dhe përgjegjësi për dështimin e tyre në luftimin e krimit e korrupsionit dhe më pastaj të shikojë se sa dhe çka meritojnë ata që e marrin me seriozitet zbatimin e ligjit në mënyrë të pavarur.“Në Kosovë veprojnë dhe funksionojnë një numër i madh i OJQ-ve, të cilat po merren edhe me sensibilizimin e fushatës për luftimin e korrupsionit. Mirëpo, mund të themi haptas se korrupsioni mund të ndikojë edhe në OJQ, për arsye se në vendin tonë është i përhapur në masë të madhe dhe nuk besoj që ka ndonjë sferë në të cilën nuk është e prekur nga kjo dukuri, me luftimin korrupsionit janë marrë shumë institucione dhe të gjitha këto kanë qenë të financuar një formë apo mënyrë, mirëpo sa kanë mundur të japin kontribut në luftimin e korrupsionit kjo nuk është vërejtur aq shumë”, theksoi ai.“Pa marrë parasysh se çfarë veprimesh marrim me qëllim për ta luftuar korrupsionin, është e duhur dhe e nevojshme edhe ndihma e tyre, mirëpo mos të harrojmë se OJQ-të dhe shoqëria civile nuk janë TASK FORCA kundër korrupsionit dhe nuk janë hetuesi, veprimet e tyre janë më shumë vetëdijësuese për qytetarët dhe mendoj që rosa e verdhë përdoret si simbol që në atë vend është aktiv korrupsioni dhe njashtu është aktiv edhe lufta kundër korrupsionit, çdo veprim korruptim shkon në dëm të qytetarëve të atij vendi, njashtu shkon edhe në dëm të buxhetit të atij vendi dhe për ta luftuar korrupsionin duhet që politika të mos ndikojë në organet e drejtësisë dhe në momentin që organet e drejtësisë punojnë të pavarura nga politika, duke e zbatuar ligjin në fuqi, atëherë korrupsioni shkon duke u zbehur deri në ndalimin e tërësishëm të kësaj dukurie negative”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Shpërblimi i të degraduarve

Një vlerësim shumë kritik për këtë veprim të fundit e ka shprehur edhe njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti.”Shpërblimi i prokuroreve pa një efikasitet, efektivitet e kualitet në punë nuk është stimulim, por është tentim për të thelluar kapjen e këtij institucioni. Gjykoj se nuk kanë nevojë që prokurorët të stimulohen përmes aspektit material,por duhet t'u jepet pavarësia që u takon me mandatin kushtetues dhe ligjor. Njëkohësisht duhet të kemi një reformë të mirëfilltë në sistemin e drejtësisë për pastrimin e gjyqtarëve e prokurorëve e jo përmes kësaj rruge, përmes stimulimit të pamerituar, të instrumentalizohen prokurorët. Ky veprim është një mesazh i keq, pasi të shpërblesh me para ata që degraduan dhe po degradojnë shtetin dhe shoqërinë është njësoj të stimulosh të keqen për të thelluar të keqen”, tha Hidajet Ahmeti.

 

(Kosova Sot)