Uragani studentor përfshin Shqipërinë, studentët kosovarë durojnë ende

  • 13 December 2018 - 07:42
Uragani studentor përfshin Shqipërinë, studentët kosovarë durojnë ende

Aspak më mirë nuk janë punët në Kosovë, por as edhe një protestë e vetme kundër regjimit korruptiv

“Studentët kosovarë janë në pozitë bukur të rëndë. Shteti nuk jep as bursa dhe as kredi. Nuk kanë as literaturë të mjaftueshme dhe nuk gjejnë punë në vend pas përfundimit të studimeve, shumica prej tyre. Kemi hiperprodhime në shumë drejtime. Po ashtu, edhe taksat janë të larta për studentët. Kushtet nëpër shtëpi të studentëve janë të dobëta, nuk kanë as higjienë dhe as ujë të mjaftueshëm të ngrohtë”, ka thënë prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”

Analistët politikë po e shohin me shumë simpati zhvillimin e protestës së qetë dhe të civilizuar të studentëve në Republikën e Shqipërisë, e cila më në fund rezultoi me disa veprime të para të detyrueshme që t’i ndërmarrë kryeministri Rama për të lëvizur drejt plotësimit të kërkesave studentore. Mirëpo, analistët politikë kosovarë e kritikojnë pasivitetin e studentëve të  Kosovës, që nuk ngrihen në protesta, siç janë ngritur ata në Shqipëri, që e kanë marrë seriozisht fatin e vendit dhe protesta e tyre nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kërkesave për studentë, por sidomos për gjendjen e rëndë dhe të paperspektivë të vendit. Zëri i rinisë studentore, sipas analistëve, duhet të dëgjohet edhe në Kosovë, qoftë edhe me protesta të organizuara mirë dhe të mos heshtin, sepse vendi kurrë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë sesa sot, pasi që edhe shumica e popullatës  ka rënë në apati të thellë, të dëshpëruar rëndë në tërë klasën politike kosovare.

Gjendja tepër e rëndë edhe në Kosovë

Prof. Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot” se, shikuar realisht, studentët në Kosovë kanë kaluar dhe po kalojnë nëpër një situatë të përgjumur dhe të nënshtruar nga ana e politikës, prandaj po tregohen edhe praktikisht se sa janë të nënshtruar.  “Subjektet politike kanë arritur të futen brenda studentëve dhe në vijën e subjektit, disa të LDK-së, një numër për PDK-në, dhe grupet tjera për interesa grupore dhe individuale, e shumë thjesht të painteresuar, sikur mos të jetonin fare në këtë vend. Probleme për të cilat duhet që studentët të organizohen dhe të protestojnë ka mjaft. Ka vështirësi në sistemin arsimor. Ne kemi një sistem të aftë për të nxjerrë edhe kuadro të kualifikuara, por edhe sistemi ynë është i manovruar nga grupet e veçanta dhe natyrisht se ministria është e paaftë për t’i zgjidhur ato vështirësi. Kosova ka njerëz me diploma më së shumti në rajon, por kemi gjithashtu edhe njerëz të diplomuar që janë po ashtu më të paaftit në rajon”, theksoi Kelmendi, duke shtuar se aq shumë të diplomuar ka në vendin tonë saqë edhe neve nëpër kafe e restorante, nëpër dyqane e ku jo, po na shërbejnë njerëzit e diplomave. Sipas tij,  edhe studentët kosovarë mund të bëjnë revolucion të vërtetë për kushtet e tyre, nëse ata do të ishin të organizuar mirë në kërkim të kushteve.“Studentët kosovarë janë në pozitë bukur të rëndë. Shteti nuk jep as bursa dhe as kredi. Nuk kanë as literaturë të mjaftueshme dhe nuk gjejnë punë në vend pas përfundimit të studimeve, shumica prej tyre. Kemi hiperprodhime në shumë drejtime. Po ashtu edhe taksat janë për studentët të larta.  Kushtet nëpër shtëpi të studentëve janë të dobëta, nuk kanë as  higjienë dhe as ujë të mjaftueshëm të ngrohtë. Banojnë madje  nga tre e katër veta. Kjo është gjendja. Dhe, kjo mjafton për të pasur veprime. E ministria nuk bën dhe nuk e ka asnjë analizë lidhur me fushat që kanë nevojë studentët tanë. Po vazhdohet me politikë tipike nënshtruese dhe të centralizuar të arsimit”, tha prof. Kelmendi për “Kosova Sot”.

Politika i pasivizoi studentët

Sipas analistit politik Florim Zeqa, janë disa arsye pse studentët e Kosovës nuk ngrihen në protesta, siç janë ngritur ata të Shqipërisë. Ai përmend këtu tri arsyet kryesore: “Arsyeja e parë pse nuk ndodhin protesta masive në Kosovë është se një pjesë e madhe e studentëve në universitetet publike e private janë djem e vajza të militantëve të partive në pushtet, si dhe djem e vajza të veteranëve apo vetë veteranë mashtrues, që gëzojnë privilegjet e pushtetit kriminal në vendin tonë. Arsyeja e dytë është se shkaku i largimit nga vendi, gjithnjë e më shumë, është duke u zvogëluar numri i studentëve që mund ta kundërshtojnë sistemin korruptiv të qeverisjes. Arsyeja e tretë është se subjekti më i madh opozitar, në këtë rast LDK-ja, është mësuar që ta presë "peshkun" (pushtetin) e gatshëm në tavolinën e bisedimeve me uzurpatorët e shtetit, pa e ndërmarrë asnjë veprim konkret të organizimit të ndonjë proteste kundër pushtetarëve të inkriminuar”, vlerësoi Zeqa për “Kosova Sot”. Ai shtoi se këto dhe shumë arsye të tjera së bashku e dëshmojnë faktin se politika kosovare e ka kapur dhe neutralizuar popullatën dhe shumicën e rinisë studentore në Kosovë.“Përderisa në Shqipëri studentët e kanë marrë seriozisht fatin e vendit dhe protesta e tyre nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kërkesave të tyre studentore, por me gjendjen e rëndë dhe të paperspektivë të vendit, në Kosovë të gjithë heshtin, thuajse gjithçka është në rregull! Përveç gjendjes së vështirësuar socio-ekonomike të popullatës, Kosova nga përfundimi i luftës e deri më sot nuk ka qenë në gjendje më të rëndë. Për habi populli ka rënë në apati të thellë, të dëshpëruar rëndë në tërë klasën politike, shkaku i mungesës së zhvillimit ekonomik dhe të dështimit të liberalizimit të vizave, për lëvizje të papenguar drejt vendeve të BE-së, në kërkim të një jete më të mirë”, potencoi Zeqa. “Mbase ‘transformimi’ i FSK-së në ‘FSK’ do të jetë i vetmi ngushëllim për qytetarët e dëshpëruar dhe mundësi e mirë e pushtetarëve për t'u relaksuar nga dështimet e njëpasnjëshme, e pse jo edhe mundësi e pasurimit të tyre në emër të kapaciteteve të shtuara të FSK-së, që pushtetarët po i thonë ushtri’, potencoi analisti Zeqa.

Varfëria godet arsimin

Sipas analistes politike Liridona Bislimi, protesta e studentëve në Shqipëri po vazhdon të rritet më shumë dita-ditës. Kjo protestë nuk kishte flamuj partiakë, nuk bëhej thirrje për kaos e dhunë.“Ishte një protestë të rinjsh, që nuk duan të ikin dhe t’ia kthejnë shpinën Shqipërisë, por përtej të gjitha vështirësive studentët kanë vendosur të rrinë në vendin e tyre, kanë vendosur të arsimohen e të kontribuojnë për tokat e tyre. Studentë që kur të mbarojnë mësimin mos të renditen drejt kursit të gjermanishtes, që do t’i punësojë jashtë vendit, duke e lënë Shqipëri pa mjekë, infermierë, inxhinierë e shkencëtarë. Studentë që kishin prindër të papunë, pa ndihmë ekonomike, prindër invalidë pa asistencë, prindër pensionistë, që zgjedhin të durojnë sëmundjet pa ilaçe për një shkollim cilësor të fëmijës. Studentë që punojnë paralelisht me vijimin e studimeve, por që nuk përballojnë dot sërish jetesën e paguajnë për një arsim, që nuk i garanton dot punësim sipas meritës. Të njëjtën gjendje e përjetojnë studentët në Kosovë... shumica dërmuese e studentëve punojnë dhe studiojnë njëkohësisht në mënyrë që të arrijnë shumën e kënaqshme për t’i arritur pagesat e jetës studentore. Sikur në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e gjen një shkencëtar që ka varur doktoratën e 5 viteve në mur dhe endet rrugëve i papunë, si dhe një pjesë bukur e mirë e studentëve që punojnë kamerierë ose në ‘call center’ me diplomën e juridikut, ekonomikut, edukimit...! Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri arsimimi mbetet atribut vetëm i familjeve në gjendje të mirë ekonomike, duke u bërë i vështirë ose i pamundur për thuajse gjysmën e popullsisë”, theksoi Bislimi për “Kosova Sot”.

Heshtja e turpshme

Analisti politik Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se përderisa studentët e të gjitha universiteteve të vendit amë, njëjtë si rreth 30 vjet më parë, kur rrëzuan sistemin komunist në Shqipëri, po bëhet më se një javë që janë ngritur në këmbë, si në një revolucion të ri, për ndryshime të mëdha, kundër kastës së kriminalizuar politike, keqpërdorimeve, korrupsionit, mitës, arrogancës, favoreve të turpshme dhe të gjitha të këqijave të mundshme që qeveria e matrapazëve me bashkëpunëtorë tash e sa kohë i kanë futur hundët gjithkund, deri në fakultetet e fundit të secilit universitet, jo vetëm atje. Çuditërisht në Kosovë nuk ka asnjë lëvizje sado të vogël studentore, dhe kohët e fundit, fatkeqësisht, ka humbur çdo gjë ideale, frymëzuese dhe kreative që nënkuptohej me fjalën student! “Në vend se edhe në Kosovën me "një mijë e njëqind halle", studentët të ngriheshin në mënyrë dinjitioze për të vrarë frikën e mbjellë tash e sa vite, kthyer shpresën e humbur dhe sfiduar gjendjen nëpër të cilën po kalojmë si popull dhe shtet, ashtu siç dinin vetëm studentët tanë ta bënin në të kaluarën, dikur dhe një kohë tjetër studentët e sotëm, si njerëz të një shtet të ri, në ndërtim, nuk dinë t’i japin të paktën një leksion edukues kësaj kaste të politikanëve, skajshmërisht të kriminalizuar dhe në vend të saj shihet qartë se ata jo vetëm që janë kapur edhe vetë, por janë bërë një me politikën aktuale të dështuar të vendit. Heshtja e përgjithshme studentore, jo vetëm se po i qet hije të keqe gjithë vendit, por edhe po dëshmon katërçipërisht se politika e korruptuar dhe inkriminuar kosovare, ka kapur dhe neutralizuar tërësisht të gjithë studentët dhe shumicën e rinis nëpër shkolla dhe krejt universitetet e Kosovës. Përndryshe, është absurd i madh të mendohet, apo aq më keq edhe të besohet, se pikërisht protestuesit jelekverdhë në Francë apo studentët vëllezër në Shqipëri paskan kushte më të këqija jetese dhe studimi se sa qytetarët dhe studentët në Kosovë, të cilët assesi të ngrihen në protesta, siç janë ngritur ata në Shqipëri, duke menduar seriozisht për fatin e vendit të tyre nën sundimin e politikanëve të kriminalizuar dhe rrugën e pakrye që u ka dhënë politika mafioze zhvillimeve atje”, tha Gani Qarri.

Regjimi ua ka frikën studentëve

Analisti politik Reshat Badallajt tha për “Kosova Sot” se studentët gjithmonë kanë qenë të parët që kanë shkrepur xixat për ndryshime rrënjësore për vendin dhe kombin, por tani duken si të heshtur pas shumë e shumë keqpërdorimeve, hajnive e deri që po shkojnë në tradhti.“Me keqardhje e them se zinxhiri komandues e këtyre bandave politike janë duke e mashtruar rininë dhe vrapojnë pas tyre dhe dalin nëpër mjete të informimit se kaq aderuan në këtë parti dhe kaq aderuan atje, duke iu hedhur pluhur syve dhe me premtime boshe. Në këtë gjendje që rinia është e pashpresë me fajin e këtyre bandave, që janë bërë supermilionerë dhe se arsimi në Kosovë është në fund të pusit, krejt kjo me ndërhyrjen nga jashtë, pra me ndërhyrjen pikërisht nga bandat politike”, vlerësoi Badallaj. Ai thotë se ky mashtrim dhe ndikim i politikës tek organizatat studentore bëhet nga fakti se politika frikësohet që me trazimin e studentëve do të  ndërrohen këto banda politike dhe shtetin ta marrin në dorë rinia që ka mjaft të zgjuar që mund të marrin frerët në dorë, sepse ata  do të gëzonin edhe përkrahjen e popullit pa më të voglin dyshim. “Studentët sa më parë duhet të trazohen dhe të japin fjalën e tyre. Regjimet nga askush nuk frikohen sa frikohen nga lëvizjet studentore, prandaj do të duhej të dridhej kjo perandori që e kanë kapur shtetin dhe luajnë me pazare kundër vendit tonë”, tha Reshat Badallaj.

Regjimi i dhunshëm tremb iniciatorët e protestave

Të pyetur qytetarët e studentët kosovarë për arsyet pse në Kosovë nuk organizohen studentët për të kërkuar kushte më të mira dhe rend e ligj sikur kolegët e tyre në Shqipëri, përgjigjja është se organizatat studentore janë të politizuara dhe nuk mund të bashkohen lehtë, kurse edhe në rast të bashkimit pushteti tregohet tepër i dhunshëm ndaj protestave studentore, sikur ndaj atyre të qytetarëve. I riu Ragip Muli thotë se sikur të mos ishte represioni i madh i pushtetit, që ndodh zakonisht kundër protestuesve nga pushteti, këtu as një orë nuk do të duhej pritur dhe heshtur ndaj padrejtësive që iu bëhen të gjithë qytetarëve, dhe rinisë studentore. “Këtu jo që ishte dashur të mbahen, por nuk ishte dashur fare të ndalen protestat. Këtu do të ishte dashur që edhe popullsia të ngrihej që të bllokojnë të gjitha institucionet, me Qeveri, me Presidencë, me Kuvend e me çka ka, sepse këta të gjithë i kanë rregulluar problemet dhe jetesën e tyre dhe as për popull dhe as për rini nuk janë duke shikuar as dëgjuar fare. Këta punojnë vetëm për vete, i shikojnë vetëm punët, përfitimet dhe interesat e tyre, kurse sa për kërkesat dhe kushtet në të cilat jetojnë shumica e qytetarëve as që u intereson. Edhe ata qytetarë që janë të punësuar mezi mbijetojnë me të ardhura të ulëta, pensione që nuk shkojnë më shumë se 75 euro që barna nuk i dalin. Një bukë në ditë dhe një litër qumësht për një muaj nuk ia mbulon një pension, e ku janë nevojat tjera, shkollimi, punësimi dhe pagesat për komunalive”, theksoi Muli. Studenti Adinit Hoti thotë se shkak pse në Kosovë studentët nuk po arrijnë të organizohen në protesta është vetëm politizimi i organizatave studentore, parcializimi i lëvizjes studentore nëpër shumë grupe të tilla. “Duke marrë parasysh që shumica e organizatave studentore janë edhe pjesë e partive politike, ose pjesë e strukturave të partive politike, unë nuk mendoj që mund të ketë ndonjë lëvizje të madhe studentore në Kosovë, karshi pushtetit apo për diçka tjetër, ngjashëm sikur ato që po ndodhin dhe po i shohim në Shqipëri. Nëse pyetem se a do të duhej të kishte lëvizje të tilla, mendoj që ka nevojë dhe duhet të protestohet për kushtet jo të mira në përgjithësi, edhe për shumë dukuri negative që po ndodhin, sepse ka shumë nevoja sociale e ekonomike që studentët duhet dhe mund t’i adresojnë”, u shpreh Hoti. Sipas tij, megjithatë protestat nuk janë gjithmonë zgjidhje deri në momentin e fundit.

 

(Kosova Sot)