Komandantët e pushtetshëm në panik

  • 13 December 2018 - 07:47
Komandantët e pushtetshëm në panik

 Burjani: Degradimi i të gjithë sektorëve ka bërë që qytetarët shumë pak janë të interesuar për fatin e politikanëve

 “Një pjesë e ish-komandantëve që janë në pushtet edhe mund të tremben, sepse duhet qenë realë se askush me dëshirë nuk shkon në një gjykatë, e lërë më në një gjykatë ndërkombëtare që e ka selinë në Hagë. Ndaj, kur jemi te çështja se a do të tremben komandantët e dikurshëm të UÇK-së, me siguri që po, por askush nuk e thotë publikisht, sepse është çështje e mbajtjes së imazhit dhe nuk është e lehtë që të shkosh në një gjykatë si është Gjykata Speciale, 3 mijë km larg Kosovës”, tha avokati Tomë Gashi për “Kosova Sot” 

Ftesat e Gjykatës Speciale për ish-komandantët e UÇK-së nuk pritet të shkaktojnë tensione në Kosovë. Megjithatë, sa u përket efekteve në skenën politike, ende ka skepticizëm nga analistët e ndryshëm. Avokati Tomë Gashi, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se është i bindur se nuk do të ketë trazira në Kosovë për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, ngase dihet se ajo është votuar tash e tre vjet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. “Me siguri që nuk është bash e lehtë që sërish ish-pjesëtarët e UÇK-së të shkojnë në Hagë në një Gjykatë Ndërkombëtare, ndonëse formalisht ajo është e formuar nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015. Pra, sa u përket trazirave të mundshme në Kosovë, askush nuk duhet që të ketë shqetësime se këto nuk do të ndodhin”, ka potencuar ai . Avokati Gashi, duke folur edhe për atë se a do të ketë ndryshime politike në Kosovë, theksoi se e tëra kjo varet nga Gjykata Speciale, se deri në çfarë niveli do të shkohet në akuzimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, një pjesë e madhe e të cilëve mbajnë funksione të larta politike dhe shtetërore. “Por, secili ka dëshirë që në skenën politike të Kosovës të ketë ndryshime politike për të mirë dhe kjo të arrihet përmes votës së lirë e jo përmes asaj që Gjykata Speciale të shfrytëzohet nga ndonjë parti politike me synimin që të vijë në pushtet. Prandaj, edhe ndryshimet në skenën politike mund të jenë të paevitueshme, nëse krerët e lartë të partive politike akuzohen nga Gjykata Speciale dhe nga Haga ata do të detyrohen që të mbrojnë veprimet e tyre politike”, vlerëson Gashi.

Shteti në anarki

Analisti Blerim Burjani, për gazetën“Kosova Sot”, thotë se gjendja politike në Kosovë është stabile, përkundër fillimit të punës së Gjykatës Speciale. “Keqësimi i raporteve me Serbinë po ndikon që kjo gjykatë të veprojë pa ndonjë vëmendje më të madhe të opinionit publik, problemet sociale dhe papunësia dhe gjendja ekonomike e vështirë po bëjnë që në opinion publik nuk po ka ndonjë tension më të shtuar. Hapja e shumë problemeve dhe bërja e ushtrisë nga FSK-ja ka bërë që puna e kësaj gjykate është e qetë dhe pa zhurmë”, vlerësoi ai. “Kosova është vend shumë i politizuar skajshmërisht me përplot debate televizive, shumica krejtësisht debate joprofesionale, të gjitha profilet he njerëz të shumtë pa profil profesional flasin për të gjitha temat e mundshme, duke e bërë një anarki totale në shtet, përderisa në këtë periudhë të ardhme priten ndryshime të plota në politikën vendore. Kjo klasë politike aktuale nuk meriton më vëmendje të qytetarëve, përderisa vazhdon ikja e njerëzve të profileve profesionale jashtë shtetit, vazhdon në shtet të mbretërojë pasiguria ekonomike, andaj shumë pak po merret publiku me punë të tilla. Degradimi i të gjithë sektorëve ka bërë që qytetarët shumë pak janë të interesuar për fatin e politikanëve të tillë”, vijoi më tej Burjani. “Kjo gjykatë do të ndikojë në punën e disa partive. Rivaliteti politik i madh në mes partive ka bërë që kjo gjykatë dhe puna e saj e filluar të interpretohen në forma të shumta, madje edhe për interesa partiake, kjo gjykatë do të ndikojë në lidership të PDK-së, dhe disa partive të vogla, por jo edhe në LDK. Jostabiliteti politik nuk do të ndodhë në këtë periudhë të stuhive të mëdha me Serbinë dhe me arritjen e ndonjë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi ai. Sipas tij, mund të ketë tensione mosdurimi apo edhe përpjekje të tjera të tensionimit individual, por jo edhe tensione kolektive, sepse populli është lodhur me këtë gjendje të vështirë të papunësisë, korrupsionit, zhvatjes së pasurive publike. 

Qytetarët nuk presin trazira

Qytetarët e anketuar janë të zhgënjyer me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, por nuk presin trazira. Qytetari Mentor Barani, nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se subjektet kryesore politike kanë votuar vetë në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, ndaj nuk është e logjikshme që të njëjtët edhe të protestojnë. “Askush nuk duhet që t’i frikohet ftesës së kësaj gjykate, sepse lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe nuk ka pasur krime lufte nga ana e shqiptarëve. Por, besoj se pas vitit të ri do të ketë ndryshime edhe në skenën politike të Kosovës, të paktën kështu po thonë mediet dhe analistët e rrethanave politike në vendin tonë”, u shpreh ai. Ndërsa qytetari tjetër , Ali Vllasi nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ftesat ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale nuk do të ndikojnë në stabilitetin politik të vendit tonë. “Kjo, pasi Gjykatën Speciale e ka themeluar Kuvendi i Kosovës dhe nëse ngritemi kundër këtij gjyqi, do të jemi kundër vetvetes, sepse disa gjëra ka qenë dashur që të mendohen me kohë. Por, sidoqoftë të akuzuarit nuk duhet që të kenë frikë, sepse nga ana e kësaj gjykate do të jetë shumë e vështirë që të argumentohen këto akuza”, potencoi ai. “Fundja, të akuzuarit kanë shumë mundësi për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, sepse vërtet edhe ishte një luftë e tillë nga pala shqiptare. Ndërsa aktakuzat e kësaj gjykate janë produkt i shërbimeve sekrete serbe, andaj duhet pasur kujdes nga dëshmitarët e rrejshëm të prokurorisë dhe dëshmitarëve të shërbimeve sekrete serbe, sepse serbët me mjeshtri i bëjnë këto gjëra të pista”, tha më tej Vllasi. Sipas tij, nëse është në skenarin e aleatëve tanë të Kosovës që pas fillimit të këtij gjykimi mund të ndodhin edhe ndryshime në skenën politike të Kosovës, kjo mund të bëhet.

Gjykatë e padrejtë

Avokati tjetër Skënder Musa, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Gjykata Speciale padyshim që do të ndikojë në situatën politike në Kosovë, duke pasur parasysh gjendjen aktuale politike, në mënyrë të veçantë për shkak të vazhdimit të dialogut me Serbinë. “Kjo gjykate që nga themelimi i saj ka qenë e padrejtë, për arsye se merret vetëm me krimet e supozuara që janë kryer gjoja nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, e që nuk merret fare me masakrat dhe krimet makabre nga ushtria dhe policia e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë. Kosova i ka institucionet e veta shtetërore, të cilat janë të obliguara që të mbajnë situatën nën kontroll, në mënyrë që të mos eskalojë situata, ndërkaq të ftuarit duhet të përgatiten për mbrojtje të fuqishme, për shkak se procedurat penale kërkojnë argumente dhe prova për të dëshmuar pafajësinë e tyre, pasi prokurorët e Speciales do të paraqesin prova materiale, skica të vendeve të ngjarjes dhe numër të madh të dëshmitarëve nga Serbia, por edhe nga Kosova. Çdo i ftuar nga Gjykata Speciale duhet që ta marrë seriozisht ftesën, pa marrë parasysh se a është ftuar si dëshmitar apo i dyshuar dhe të përgatitet për një proces hetimor dhe gjyqësor mjaft të ndërlikuar”, u shpreh ai. 

Paranoja e Thaçit

Analisti i Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se ata që nuk kanë gisht në krime nuk duhet të frikësohen, duhet të mendojnë sesi duhet të çmontojnë sistemin kleptokratik që fuqishëm dominon në shoqërinë e Kosovës. “Populizmi okultar, që e kalitën ideologët e majtë dhe të djathtë, më vonë zhvatësit e tejdukshëm, e ka sjellë Kosovën në një rrugë të pakthim. Kjo duket aq qesharake sa vetë paralajmërimi. Skenarët e këtillë edhe nga ata parashkollorët janë më të menduar dhe mjeshtëruar. Kjo lojë duket qartë se vjen nga kabineti i nëndheshëm ala Thaçi, është pjesë e skenarëve, të cilët rrjedhin nga paranoja e presidentit Thaçi dhe të tjerëve afër tij, thënë më thjesht ata që duhet të shoqërohen për Hagë pjellin skenarë të paqenë vetëm sa për të sajuar ankth dhe huti që më së shumti u shkon përdore atyre që nëntoka ishte themeli i ngritjeve politike. Sipas logjikës, Dhomat e Specializuara të kryeprokurorit Special kanë një barrë, e cila e shpëton Kosovën nga keqbërësit lokalë, të cilët prodhuan vetëm krim të organizuar dhe penguan drejtësinë për t’u marrë me krimet e rënda. Ky është fakt i pakontestuar, prandaj edhe Dhomat e Specializuara janë të paprekshme nga sindroma lokale, sindromë e cila kishte infektuar Euleksin”, u shpreh ai.

 

(Kosova Sot)