Vuçiq me mesazh për serbët në Kosovë

  • 14 December 2018 - 21:31
Vuçiq me mesazh për serbët në Kosovë

Aleksandar Vuçiq është paraqitur sonte në një konferencë për media pas krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paraqitur sonte në një konferencë për media pas krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Ai ka zbuluar veprimet e ardhshme të Serbisë pas vendimit të fundit nga Prishtina për transformimin e Forcave të Ushtrisë së Kosovë (FSK) në ushtri të armatosur.

“Sot pas shumë vitesh kërcënimi është formuar e ashtuquajtura ushtri e Kosovës në mënyrën më ilegale të mundshme. Ajo çfarë kanë bërë shqiptarët është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, madje edhe me kushtetutën e tyre, siç thonë ata Republika e Kosovës dhe dëshmojnë se së bashku me sponsorët e tyre kurrë nuk u ka interesuar e drejta, por shfaqja e dhunës dhe sulmeve ndaj Serbisë dhe Republikës serbe”, tha Vuçiq në fillim të fjalimit.

“Ne pikërisht për këtë arsye i kemi pranuar bisedimet e Brukselit më 2013, me dëshirën që të kemi kuptim dhe duke e ditur se do të thirremi në atë dokument sepse pala tjetër nuk do ta respektojë. Derisa ne kemi udhëhequr dialogun në Bruksel, edhe pas asaj, 19 shtete e kishin pranuar Kosovën e tani u pengon nëse 12 shtete i kanë tërhequr njohjet. Atë dialog e kemi vazhduar duke kërkuar kompromis. Kam qenë në qendër të kritikave të opinionit serv sepse kam propozuar atë që kam menduar se është zgjidhja e vetme”, shtoi ai.

“Ushtria e Kosovës është dëshmi se shqiptarët kurrë nuk kanë dashur kompromis, dhe se pranë kësaj qëndrojnë SHBA dhe Britania e Madhe. Jemi të dëshpëruar me këtë, por për ne nuk paraqet risi”, theksoi Vuçiq i cili ka insistuar se Serbia i ka përmbushur të gjitha kërkesat ndaj saj të paraqitura nga BE-ja.

“Ne do ta ruajmë paqen, por nuk do të qëndrojmë në distancë. Nëse ata e sulmojnë veriun e Kosovës, Serbia do ta mbrojë popullin e saj”, tha ai. Në fund, Vuçiq i ka drejtuar një mesazh serbëve në Kosovë duke shprehur gatishmërinë e tij që të jetë gjithnjë në mbështetje të tyre. “Serbia do t’i ketë të gjitha forcat që t’ju mbrojë”, përfundoi ai.

 

(Kosova Sot)