Sejdiu: Tashmë Kuvendi ka timonin e dialogut

  • 15 December 2018 - 19:45
Sejdiu: Tashmë Kuvendi ka timonin e dialogut

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, parti e cila i propozoi Kuvendit të Kosovës rezolutën për dialogun me Serbinë, ka folur pas miratimit të kësaj rezolute në seancën e jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se me këtë rezolutë, dialogu i kthehet Kuvendit ku sigurohen mekanizma mbikëqyrës në drejtim të dialogut.

“Dialogu më nuk është temë e një individi, por e deputetëve. Për PSD-në, është një kapërcim jashtëzakonisht i madh. Hera e parë që kemi prej nisjes Kuvendin në timon të dialogut. E kemi opozitën vendimmarrëse në dialog. Tash kemi monitorim prej fillimit të dialogut, dhe kemi zotim për një Ligj për dialogun”, theksoi ai.

Ai ka lutur sërish subjektet opozitare që të jenë pjesë e këtij dialogu.

“Tashmë ka mekanizëm me të cilin opozita e ka siguresën e vendimmarrjes”, tha ai.
Sejdiu tha se të hënën do të trajtohet tema e ligjit dhe se tashmë është çështje e formalizimit të punës së parë të ekipit.

“Delegacioni shtetëror është i vetmi që dialogon”, potencoi ai.

 

(Kosova Sot)