Avokati apo sekseromani?!

  • 11 January 2019 - 07:51
Avokati apo sekseromani?!

Aliu: Pa u pastruar drejtësia me një vetting, asnjëherë nuk mund të presim gjyqësi të drejtë

"Avokatët nuk janë engjëj, janë pjesë e trekëndëshit famëkeq, së bashku me prokurori dhe gjykata. Se janë më shumë sekserë sesa avokatë kjo nuk do koment, se po e gllabërojnë qytetarin edhe kjo është shumë e vërtetë. Tani, me ndalimin ose kufizimin e lëvizjes së tyre, nuk do të ndalet e keqja. Në vend të zyrave do të takohen dhe do të bëjnë marrëveshje nëpër dreka e darka. Çdo progres në luftën kundër së keqes duhet përshëndetur, por unë dyshoj shumë se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e interesit të përgjithshëm, kemi të bëjmë me luftënprishjen e hesapeve në mes individëve apo grupeve të interesit", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e shohin si shumë të dëmshëm vendimin e KGJK-së, i cili ka paralizuar gjykatat, punën e tyre, duke mos lejuar avokatët të futen në objektet e gjykatave pa ftesat e duhura, prandaj ata kërkojnë që sa më shpejt kjo përplasje të zgjidhet, por gjithsesi duke mos lejuar edhe avokatët që profesionin e tyre ta shndërrojnë në biznes, duke u shndërruar kështu në sekserë të korrupsionit mes klientëve të inkriminuar dhe gjykatësve të papërgjegjshëm, po ashtu që janë gati për t'u korruptuar. Ky shqetësim ngritët për faktin se nuk janë të pakta rastet kur janë ngjallur edhe dyshime të bazuara, sipas të cilave del se janë krijuar lidhjet gjyqtarëavokatë, ku avokati në raste të caktuara cakton agjendën e gjyqtarëve. Prandaj, për ty pastruar tërësisht kjo lojë korruptive në Gjyqësor nuk duhet të bëhet vetëm mbyllja e dyerve për avokatët, por edhe për gjyqtarët e korruptuar, sepse Gjyqësori nuk mund të pastrohet vetëm me mbylljen e dyerve për avokatët, por me një proces vettingu, ku gjyqtarët e korruptuar janë të parët që duhet të largohen.

Aliu: VETTING-i, i pashmangshëm Sipas analistit Bislim Aliu, dihet mirëfilli, madje fare mirë, se në gjykatat tona është paralizuar puna tej mase, edhe për shkak të KGJK-së, për të mos lejuar avokatët të futën në objektet e gjykatave pa ftesat e duhura, por edhe për atë, se janë krijuar lidhjet gjyqtarë-avokatë, ku avokati në raste të caktuara cakton agjendën e gjyqtarëve. Prandaj, sipas tij, me këto parregullsi akoma më shumë po bëhet i domosdoshëm pastrimi gjeneral i këtyre institucioneve me VETTING. "Për këtë, Gjyqësori nuk mund të pastrohet vetëm me mbylljen e dyerve për avokatët, por vetëm me një proces vetting-u, ku gjyqtarët e korruptuar janë të parët që duhet të largohen! Pra, pa u pastruar drejtësia me një vetting, asnjëherë nuk mund të presim gjyqësi të drejtë", potencoi Aliu.

" Dhe, për këtë, edhe ngritja e zërave nga disa avokatë, të cilët kanë ngritur shqetësimin, si ish- kryesuesja dhe anëtarja e Komisionit disiplinor, e cila pranon edhe publikisht, se në Kosovë ka avokatë sekserë, të cilët ia kanë humbur edhe emrin avokatisë", tha Aliu për "Kosova Sot". Bllokada sjell dëme Njohësi tjetër i kësaj fushe, prof. universitar, Blerim Burjani thotë se kjo gjendje duhet të tejkalohet sa më shpejt, sepse me këtë bllokadë e pësojnë të gjithë, kurse përfitues mund të jenë të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që edhe ashtu dëshirojnë t'i neglizhojnë e t'i zvarrisin rastet, por edhe avokatët që mund ta rrisnin çmimin e tyre për shërbimin ndaj klientëve. "Unë e kam thënë edhe më parë, që nga momenti i nxjerrjes së vendimit të tillë, se qëllimi i këtij vendimi është, ose duhet të jetë së pakut, që avokatët të mos kenë qasje kurdo që u teket nëpër institucionet e drejtësisë, pa i pranuar ftesat nga gjykatat, sepse nuk ka asnjë kuptim që ata të frekuentojnë kur të duan dhe sa herë të duan brenda këtyre institucioneve në cilësinë e personit fizik, derisa dihet që në cilësinë e avokatit të autorizuar nga pala ai asnjëherë nuk mund të ndalet", u shpreh ai. "Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë që të jetë e mundur, sepse nuk guxon të bllokohet funksionimi i institucioneve të drejtësisë, gjykatave, prandaj duhet analizuar dhe qartësuar me hollësisht vendimi i KGJK-së, duhet arsyetuar në mënyrë konkrete e transparente, se cilat janë arsyet e nxjerrjes së këtij vendimi në këtë formë.

Pra, ekziston edhe një mundësi, arsye hipotetike, të cilën mund ta paragjykojmë ne që ky vendim të jetë marrë për shkak të fenomenit të biznesit që bëjnë avokatët me rastet e caktuara, të cilat i marrin përsipër në mbrojtje, dhe këtu mund të jetë një përpjekje e ndaljes së keqpërdorimit të cilësisë që kanë", potencoi Burjani

Preteni: Më shumë sekserë sesa avokatë 

Sipas Hasan Pretenit, njohës i kësaj fushe, pavarësisht çmimit, një rregull i mirëfilltë duhet të vendoset në raport të komunikimit dhe lëvizjes nëpër institucionet e drejtësisë edhe për avokatët, sepse ligji dhe drejtësia e pavarur duhet të zbatohen e të respektohen nga të gjithë. "KGJK-ja të vendosë për avokatët! Mos është një konflikt në vendimmarrje? Avokatët nuk janë engjëj, janë pjesë e trekëndëshit famëkeq, së bashku me prokurori dhe gjykata. Se janë më shumë sekserë sesa avokatë kjo nuk do koment, se po e gllabërojnë qytetarin edhe kjo është shumë e vërtetë.Tani, me ndalimin ose kufizimin e lëvizjes së tyre, nuk do të ndalet e keqja. Në vend të zyrave do të takohen dhe do të bëjnë marrëveshje nëpër dreka e darka. Çdo progres në luftën kundër së keqes duhet përshëndetur, por unë dyshoj shumë se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e interesit të përgjithshëm, kemi të bëjmë me luftën-prishjen e hesapeve në mes individëve apo grupeve të interesit", tha Preteni për "Kosova Sot".

Smaka: Disiplina, e domosdoshme 

Profesori i së drejtës Riza Smaka, këtë çështje të krijuar rreth kufizimit të qasjes për avokatët në gjykata e sheh nga dy aspekte, por gjithsesi duhet të jetë në funksion të disiplinimit të të dyja palëve, edhe të gjykatësve, por edhe të avokatëve, që sipas ligjeve dhe Kushtetutës duhet të jenë në shërbim të drejtësisë së paanshme e jo të luajnë lojën e sekserit . "Kjo temë mund të vështrohet dhe të komentohet nga dy kënde. Një, si masë për vënien e një rregulle të përditshme të nevojshme për punë të qetë e pa interferenca të shumta e të ndryshme nga avokatë të caktuar, si dhe sponsore të të njëjtëve. Dy, si pengim e kufizim i qarkullimit të rregullt të avokatëve gjatë ushtrimit të funksionit të garantuar me ligjin e aplikuar. Gjithsesi zgjidhje mund të jetë e mesmja e këtyre pikëpamjeve. Pra, avokatët do të duhej lejuar hyrje - dalje në e nga objektet e prokurorive dhe të gjykatave vetëm në funksion të trajtimeve të rasteve prokuroriale e gjyqësore konkrete. Për një disiplinë të tillë medoemos kërkohen edhe rregulla të caktuara referuar qarkullimeve në dhe nëpër objekte e lokale të prokurorive dhe të gjykatave. Disiplina e punës dhe krijimi i atmosferës së përshtatshme për punë është më se e nevojshme, veçanërisht në objekte e lokale të prokurorive dhe të gjykatave, ngase në të njëjtat kërkohet veprimtari profesionale dhe rregull i shtuar", tha prof . Smaka për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)