Vala e re e ikjes kërcënon Kosovën, situata mund të eskalojë nga çasti në çast

  • 11 January 2019 - 14:44
Vala e re e ikjes kërcënon Kosovën, situata mund të eskalojë nga çasti në çast

Një vale e re ikjesh po kërcënon Kosovën për shkak të situatës së renduar ekonomike e sociale në vendin tonë.

Analisti politik, Florim Zeqa për gaztën “Kosova Sot”, thotë se pushtetarët  u pasuruan në kurrizin e popullatës së varfër.

"Të gjithë sundimtarët e paspavarësisë së 17 Shkurtit 2008 u pasuruan skajshmërisht mbi kurrizin e popullatës së varfër, nga hiçi brenda natës u shndërruan në milionerë, së fundmi nga haraçkërkues ilegalë u transformuan në zhvatës ilegalë të buxhetit të shtetit. Shkaku i kësaj situate, qytetarët e zhgënjyer në klasën politike, tërësisht të inkriminuar, 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës janë duke e pritur pa entuziazëm për festë me lajmet e përditshme për ndarje të pjesës veriore të Kosovës. Grevat e filluara në shëndetësi, në miniera, paralajmërimi i grevave në arsim, etj., janë duke e rënduar situatën deri në pikën e vlimit”, shprehet Zeqa për “Kosova Sot”.

Më tej, ai thotë se situata mund të eskalojë nga çasti në çast.

Image
Florim Zeqa

 

“Krejt papritmas, nga çasti në çast situata mund të eskalojë dhe vendi të gjendet para një kolapsi të përgjithshëm, nëse nuk adresohen me seriozitet shqetësimet e punonjësve të shëndetësisë, të arsimit, të minatorëve apo të punëtorëve të tjerë që mund t'u bashkëngjiten grevistëve të deritashëm kosovarë. Çfarëdo që të ndodhë ditëve e javëve në vazhdim në Kosovë, është në suazat e normales, për shkak se qytetarët janë lodhur nga ky sundim i egër dhe barbarë i oligarkisë politike, në të dyja nivelet e qeverisjes, dhe nuk e kanë asnjë arsye të durojnë më kusarët politikë dhe bandat kriminale që ua bënë jetën ferr. Arsye shtesë dhe tepër e dhimbshme për të protestuar fuqishëm kundër pushtetarëve të kriminalizuar të lidhur me mafinë politike e biznesore, këtyre sundimtarëve të tërbuar pas pushtetit dhe parasë së pistë, është fakti kur çdo ditë po vazhdojmë të dëgjojmë lajmë për "mbushje autobusësh" me të rinj që ia mësyjnë Perëndimit”.

“Vala e re ikjes së të rinjve nga Kosova, brenda pak muajsh mund ta lërë Kosovën të boshatisur dhe në gjendje mjeruese, pa rini dhe pa ardhmëri njëkohësisht. Prandaj, ka aq shumë arsye për të protestuar ndaj politikanëve te inkriminuar si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal, që na kanë sjellë në këtë gjendje kaotike. Shteti i Kosovës, nga një shtet me perspektivë zhvillimore pas përfundimit të luftës, degradoi në një shtet mafioz, para ndarjes territoriale pas gati 11 vjet pavarësi, në një shtet ku po qe se nuk ke lidhje me politikën apo me klanet kriminale, mbijetesa në punë, , biznes, e në çdo sektor është thuajse e pamundur!", përfundoi Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)