Haradinaj: SHBA-ja kërkoi heqjen e taksës, por ne nuk e heqim

  • 15 January 2019 - 14:56
Haradinaj: SHBA-ja kërkoi heqjen e taksës, por ne nuk e heqim

(E plotësuar) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar se zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar zyrtarisht heqjen e vendimit për taksën ndaj produkteve serbe. Por kreu i ekzekutivit thotë se vendimi për taksën nuk do të hiqet derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia

Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se një kërkesë e tillë i ka ardhur përmes ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Qëndrimi i departamentit vjen të unë përmes ambasadorit. Ambasadori ka shprehë qëndrimin e qeverisë amerikane për kërkesën për pezullim të taksës në mënyrë që me i hapë rrugë dialogut. Është kërkesë e tyre zyrtare. Mirëpo, ata duhet ta thonë vetë se nuk kemi fort të drejtë me i komentu qëndrimet e tyre. Po për hir të opinionit po”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve pas mbledhjes së Qeverisë.

Megjithatë, kreu i Qeverisë thotë se taksa do të qëndrojë, derisa të ketë ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse që si rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Ai dialogun e tri viteve të fundit në Bruksel e ka quajtur si cirk, dhe ka thënë se nuk ia vlen që të hiqet taksa për vazhdimin e një dialogu të tillë.

“Është kërkesë e tyre zyrtare. Sot e kishim pezulluar, sikur ta kishim një kontratë të dakordume, e pezullojmë. Se nuk është vendos tarifa për me e pengu një marrëveshje. Por para se të kemi një marrëveshje për njohje, për me e vazhdu një cirk që u quajt dialog si i këtyre dy tri viteve të fundit, nuk ka logjikë me u heq. Nëse shkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ua jap mundësinë e pezulloj, për aq ditë sa zgjat ajo mundësia me u nënshkru. Nuk është qëllimi që na me taksë me e blloku marrëveshjen për njohje”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Ai ka thënë se do të presin që të ketë një marrëveshje Kosovë-Serbi deri në vitin 2022, e nëse nuk do të ketë një marrëveshje për njohje, taksa do të qëndrojë.

“Serbia mendon me shkue deri me 22-in me zvarritje të proceseve, ne do ta mbajmë taksën deri me të 22-in. Nëse nuk ka marrëveshje, taksa rrin. BE-ja duhet me e ditë, që nëse nuk hyjmë të dyja vendet në të njëjtën ditë në BE, nuk është zgjidhë çështja e Ballkanit”, ka potencuar Haradinaj.

Dorëzohet Haradinaj, qeveria heq taksën ndaj Serbisë për këto produkte?

Të gjitha mallrat serbe që kanë hyrë në Kosovës para vendosjes së taksës prej 100% do t’i nënshtrohen taksës vetëm prej 10%.

Kështu ka vendosur kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur sot.

Qeveria më 21 nëntor e kishte vendosur taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë.

Por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë orientim të ndërrimit të kufijve apo territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se Kosova nuk mund të dalë nga ajo e 17 shkurtit dhe se kushdo që del nga Kushtetuta e Kosovës dhe vepron për ndryshim kufijsh duhet të përfundojë në burg.

“Ne kemi komunikim direkt me administratën e presidentit Trump. Nuk kanë orientim të ndërrimit të kufijve apo territoreve. Por na kanë thënë që mos u bëni paranoik prej frikës që u fol kjo temë e të bllokohen edhe opsionet pozitive. Kam si Kosovë respekt për Amerikën. E kemi shpallur veten shtet më 17 shkurt. Kjo Kosovë ka dashuri për Amerikën. S’mund të dalim nga vetja dhe nga 17 shkurti. S’ka logjikë të dalim nga vetja e të flasim atë temë vetë ne. Kushdo qoftë prej ne. Ne kemi kushtetutë. Nëse delegacioni del nga Kushtetuta, jo që duhet shkarkuar, por duhet t’i qojmë në burg”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka pranuar se në adresë të tij ka ardhur kërkesa nga administrata amerikane për tërheqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Kjo kërkesë Haradinaj ka thënë se ka mbërritur përmes ambasadorit amerikan Philip Kosnett. Megjithatë, Haradinaj ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi deri më 2022. Por, taksa do të hiqej sipas tij nëse do të kishte garanci për marrëveshje dhe njohje reciproke për një afat të caktuar.

“Qëndrimi i shtetit amerikan tek unë vjen përmes ambasadorit. Ai ka shprehur qëndrimin e Amerikës për kërkesën për pezullim të taksës që të hapet rruga për dialogun. Duhet ta thonë vet, por me këtë rast për hatër të opinionit po them që po”, ka thënë ai.

Duke folur për refuzimin e vizës nga Amerika, Haradinaj ka pranuar se nuk do të shkojë për Lutjet e Mëngjesit edhe pse thotë se e ka marrë ftesën. Sipas tij, “me klimën e shkaktuar për taksën, këtë herë nuk do të shkoj”.

E ka quajtur legjitime kërkesën e PSD-së për shkarkimin e ministrit Nenad Rikalo, ndërsa ka mohuar se Amerika mund të marrë masa kundër përkrahjes për Ushtrinë e Kosovës.

Haradinaj e pranon që ka telashe me vizë: Kësaj here nuk do të shkojë në Amerikë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se sipas të gjitha gjasave nuk do të mund të shkojë për Lutjet e Mëngjesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj ka konfirmuar se gjasat janë të mëdha që këtë vit të mos marrë pjesë në organizimin e Shtëpisë së Bardhë, që bëhet çdo vit në muajin shkurt.

“Qejf kom pasë edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, është shprehur Haradinaj gjatë konferencës për media, .

Al Jazeera e Ballkanit ka raportuar dje se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Një burim i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë Al Jazeera Balkans se ky sanksion vjen pasi që Haradinaj po refuzon të heqë taksën ndaj Serbisë.

(Kosova Sot)