Paralajmërimi për Qeverinë e Kosovës: Ky është një skandal

  • 16 January 2019 - 18:48
Paralajmërimi për Qeverinë e Kosovës: Ky është një skandal

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 17.6 për qind e kosovarëve po jetojnë në varfëri, me nga 1.82 euro në ditë, ndërsa 5.2 për qind në varfëri ekstreme, me nga 1.30 euro në ditë. Shifrat e kësaj agjencie po ashtu na tregojnë se në Kosovë nga viti në vit po rritet papunësia.

E analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" thotë se këto të dhëna nga Agjencia e Statistikave të Kosovës janë përafërsisht të sakta dhe për këtë kjo është fillimi i një varfërie që do të bëhet nga ajo ekstreme në mega-ekstreme, nëse Qeveria e Kosovës nuk merr masa urgjente për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave në sektorin publik dhe atë privat.

Image
Dardan Grapci

 

"Papunësia në vend po rritet për shkak të politikës së keqe dhe të kriminalizuar nga mafio-oligarkët, të cilët po mendojnë vetëm si t'i mbushin xhepat e tyre. Premtimet për rritje të pagave në 1000 euro që janë bërë nga partitë politike, kanë qenë thjesht premtime gjatë një fushate iluzioniste, ku qytetarëve ua mbushën mendjen me gënjeshtra, prandaj ikja e qytetarëve drejt vendeve të BE-së për të gjetur një punë sa për të mbijetuar nuk është skandal, por skandal do të jetë kur në Kosovë do të jetojnë vetëm 50 për qind e popullit të Kosovës dhe ata janë shtresa e ulët e qytetarëve, të cilët mezi po mbijetojnë nga varfëria që po ndodh në Kosovë", theksoi Dardan Grapci për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)