Kjo politikë kapitulloi, koha për gjeneratë të re

  • 16 January 2019 - 07:44
Kjo politikë kapitulloi, koha për gjeneratë të re

 Askush nuk u beson më politikanëve aktualë

 “Me korrupsionin, krimin e organizuar, pa respektimin e ligjit, vetë e kanë 'kurdisur' dështimin e plotë në qeverisje të vendit”, theksoi Shefik Shkodra për “Kosova Sot”

Nga një vend që dikur kishte admirimin e madh ndërkombëtar, në veçanti pas lufte, politikanët e katandisën Kosovën në një shtet të krimit të organizuar, që po i humb edhe miqtë ndërkombëtarë dita-ditës. Sipas analistëve, me të drejtë po thuhet se me këtë klasë politike tërësisht të inkriminuar imazhi i Kosovës ka rënë përtokë. Sugjerimi i tyre është se ka ardhur koha që këta politikanë përfundimisht të largohen nga skena politike. Analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot” tha se është një e vërtetë e hidhur, se nuk pritet asgjë prej tyre dhe se është shumë e vërtetë që Kosova vërtet nuk ka pasur politikan...  më të dobët e më të korruptuar. “Me korrupsionin, krimin e organizuar, pa respektimin e ligjit, vetë e kanë 'kurdisur' dështimin e plotë në qeverisje të vendit. Kjo sikur me qëllim. Mbështetje kanë kërkuar nga jashtë, derisa ata u 'kanë marrë erë' vetë”, u shpreh ai. Duke shtuar se aferat korruptive, nga vetë ata, kanë marrë dheun edhe në botë. “Kur ia shtojmë edhe injorancën e egoizmin e tyre për interesa parciale, me një mungesë guximi, e kanë humbur çdo aparencë e kredibilitet në sytë e botës”, vlerëson Shodra.

 Serbofilët në aksion

Analisti Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot” tha se fatkeqësisht pushtetarët marioneta e kuislingë, në mënyrë të organizuar, e kanë komprometuar shtetin e Kosovës, sepse ashtu duhet t’i i ketë komanduar Beogradi.“Për këtë arsye tani edhe serbofilët e Uashingtonit dhe Brukselit nuk po hezitojnë të mbajnë hapur dhe kategorikisht qëndrime pro Serbisë. Fajtorët kryesorë janë ata që kanë votuar pushtetarë marioneta, kuislingë, kriminelë”, u shpreh Kelmendi.

Politikë e konsumuar

Bislim Aliu, analist tjetër për gazetën “Kosova Sot” thotë se pa dyshim këta politikanë, pa ndjenja dhe pa farë dashurie për vendin, me veprimet e veta inkriminuese, e katandisën Kosovën, nga një vend që kishte admirim të madh ndërkombëtar, pas luftës dita-ditës e shndërruan në shtet të krimit të organizuar, që vazhdimisht po i humb edhe miqtë ndërkombëtarë. “Gjithsesi, kjo papërgjegjësi e tyre bëri që imazhi i Kosovës ka rënë përtokë me këtë klasë politike tejet të inkriminuar. Ndaj përfundimisht ka ardhur koha që këta politikanë të largohen sa më parë nga skena politike, apo në të kundërtën nevojitet një presion i madh nga populli, që të mos i dëmtojnë edhe më tej shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, theksoi ai.   

Duhen alternativa të reja

Analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot” thotë se klasa e konsumuar politike dhe plaçkitëse e mafisë oligarkike duhet të sfidohet nga një iniciativë e re, e dalë nga shtresa e mirëfilltë intelektuale dhe qytetare, të cilët e lulëzojnë shtetin dhe qytetarin.“Në këtë situatë është e domosdoshme dalja e alternativave të reja. Është e mirë të krijohen parti politike për qytetarin. Ato alternativa duhet të jenë të pastra, demokratike e liberale, pluraliste, që e respektojnë dhe që angazhohen për shtet ligjor, apo për shtet të së drejtës”, u shpreh ai.“Ne shqiptarët tashmë e dimë se kemi një klasë politike krejtësisht të kalbur dhe të mbushur nga lloj-lloj monstrash që dinë vetëm t’i shërbejnë pushtetit familjar, që fatkeqësisht është instaluar në çdo cep të këtij vendi. Tashmë jemi të bindur se në Kosovë është instaluar një sistem politik krejtësisht i kalbur, që është bërë pengesë për të sjellë ndryshime pozitive, që ka sjellë në Shqipëri një gjysmë demokraci, një sistem krejt të çuditshëm, që ne shqiptarëve na sjell vetëm varfëri. Për gjithçka negative të mbjellë gjatë këtyre 19 viteve në këtë Kosovën tonë fajtore e vetme është kjo farë klase degraduese politike që duhet zhbërë e gjitha”, shtoi më tej Hertica.“Kjo klasë politike paturpësinë e ka në themel të saj, ku fare nuk di se ku po shkon dhe si po e njollos tërësisht qytetarin e përvuajtur, ku vetëm mund të broçkullisë fjalë e shenja të pakuptimta, ndërsa ëndrra e qytetarëve është për demokraci moderne dhe europerëndimore, e jo për demokraci të bandave dhe oligarkëve që zhvatin pasurinë e shtetit”, potencoi ai.

 Qytetarët të zhgënjyer me pushtetin

Krahas analistëve, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me lidershipin e vendit pas lufte. Qytetari Reshat Salihu, nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, tha se vërtet me të drejtë po thuhet në opinion edhe nga miqtë vendorë, por edhe ata ndërkombëtarë, sikurse që e tha këtë ditë më parë edhe Uilliam Uoker, mik i shqiptarëve, se me këtë klasë politike tërësisht të inkriminuar imazhi i Kosovës ka rënë përtokë. “Janë pikërisht këta politikanët tanë të pasluftës që e kanë katandisur Kosovën në një shtet të krimit të organizuar, që dikur kishte admirimin të madh ndërkombëtar, në veçanti pas lufte, për ta bërë Kosovën një vend që po i humb edhe miqtë ndërkombëtarë dita-ditës. Prandaj, kërkesa ime është që kjo kastë politike t’u lërë hapësirë kuadrove tona të reja të shkolluara dhe të edukuara në Perëndim”, theksoi ai. Ndërsa qytetari tjetër po ashtu nga Prishtina, Aziz Salihu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se në cilësinë e një sportisti me famë ndërkombëtare që ka qenë, sugjerimi i tij është se tashmë ka ardhur koha që këta politikanë përfundimisht të largohen nga skena politike, kjo klasë politike, sepse ata tashmë janë harxhuar dhe Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politikanësh të shkolluar në Perëndim.“Sa më parë të largohet kjo kastë politikanësh të konsumuar aq më mirë do të bëhet për Kosovën dhe perspektivën e qytetarëve të saj në rrugëtimin për në BE”, vlerësoi Salihu.

(Kosova Sot)