Taksa drejt shfuqizimit, Haradinaj drejt dorëzimit

  • 16 January 2019 - 07:39
Taksa drejt shfuqizimit, Haradinaj drejt dorëzimit

Taksa ndaj Serbisë, e cila në parim ishte masë e drejtë mbrojtëse, u vendos në befasi, pa asnjë analizë dhe pa propagandë paraprake

“Deklarimet fillestare të kryeministrit Ramush Haradinaj, se taksa 100 % ndaj produkteve serbe do të jetë në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, nga sot, jo vetëm që mbetën dëshira të parealizuara, por shpërfaqën mosqëndrueshmërinë dhe pafuqinë e Haradinajt në përballje me sfidat politike. Taksa e vënë për të rritur rejtingun e rënë përtokë të krerëve të shtetit, në prag të aktakuzave të Speciales, nga sot e baltosi akoma më tepër imazhin e pushtetarëve të inkriminuar”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Pas reagimeve të fundit nga SHBA-ja rreth taksës kundër Serbisë, të vendosur nga Qeveria e Kosovës, kërkesën për pezullimin e kësaj takse dhe  moslëshimin e vizës amerikane  ndaj kryeministrit Haradinaj, përfaqësues të partive politikë, analistë politikë, por edhe qytetarët janë plotësisht të sigurt se Qeveria  do të lëshojë pe me taksën 100%, siç lëshoi pe edhe për Demarkacionin, pasi iu refuzua viza amerikane. Vetë  kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se do ta pezullonte taksën ndaj Serbisë vetëm nëse ka garanci nga ndërkombëtarët, prandaj këtë ndryshim qëndrimi analistët dhe qytetarët e  shohin si  zbutje të madhe të  kundërshtimit të deritanishëm të kërkesave për tërheqjen e taksës që vinin kryesisht nga BE-ja. Sidoqoftë, porosia është që pezullimi i kësaj takse të bëhet pa koordinim dhe bashkëpunim e garanci nga faktori ndërkombëtar. Adem, Salihaj, ish- deputet nga radhët e LDK-së, mendon se që në fillim kur është vendosur kjo taksë nuk është menduar dhe planifikuar mirë, nuk janë bërë të gjitha analizat, prandaj pavarësisht se është  mirëpritur nga opinionin, tani me heqjen e saj politikisht do të fitojë Serbia, kurse pozita e Kosovës në bisedime ka rrezik të dobësohet. “Taksa ndaj Serbisë, e cila në parim ishte masë  e drejtë mbrojtëse, u vendos ne befasi, pa asnjë analizë dhe pa propagandë paraprake. Siç dihet, krerët e shtetit të Kosovës punojnë çobançe, në stilin "hajt hujt, prite, mule". Një masë e tillë do të duhej të analizohej mirë paraprakisht dhe të sensibilizohej opinioni ndërkombëtar. Unë e përkraha taksën që nga fillimi, por shpreha rezerva se a do të mund ta përballojë Kosova presionin ndërkombëtar për heqjen e saj. Siç e dini, bashkësia ndërkombëtare e kundërshtoi këtë taksë dhe Serbia luajti rolin e viktimës, përderisa e vërteta është krejt e kundërta.  Pra, politikisht fitoi Serbia”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Salihaj: Dobësohet pozicioni i Kosovës

“Tash, më e keqja është se heqja e taksës do të konsiderohet si kapitullim i Kosovës para Serbisë, kështu që pozicioni i Kosovës në bisedime po dobësohet edhe më tepër. Populli thotë " Një trimëri me njëqind mjeshtri". Këta po bëjnë trimëri me budallaki. Tash, Ramush Haradinajt iu bë edhe presioni i fundit, përfundimtar nga Qeveria e SHBA –së, duke ia refuzuar vizën, presion ky që ia humb çdo shpresë Kosovës për mbajtjen e taksës. Ne e dimë se Qeveria e tashme e SHBA-së ka një qëndrim ndryshe ndaj Kosovës, krahasuar me qëndrimin e mëparshëm tradicional. Këshilltari i presidentit Tramp, John Bolton, i cili ishte kundër pavarësisë së Kosovës, tash po e përkrah zgjidhjen me ndryshim kufijsh, e cila e favorizon Serbinë. Nga kjo rrjedh edhe presioni i SHBA-së për heqjen e taksës. Duhet thënë se pas heqjes së kësaj takse, pozicioni i Kosovës në bisedime do të jetë edhe më i dobët se deri më tash. Kosova nuk do të ketë në dorë asnjë mjet për të krijuar baraspeshë në negociata”, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

 Patriotizëm apo politikë antishtetërore

Analistit Florim  Zeqa tha  se  vërtet që pas çdo "patriotizmi" të liderëve shtetërorë dhe partiakë fshihen prapaskenat e akteve antishtetërore dhe antikombëtare, e këtë e  dëshmon heqja e taksës 100 % për produktet serbe. “Ashtu siç e kam cekur në fillim, taksa për produktet serbe 100 % ishte vetëm maskaradë mashtruese dhe veprim i pamatur, më shumë vendim populist dhe aspak pragmatik i Haradinajt. Mospërmbajtja ndaj taksës së vënë dhe dorëzimi i Haradinajt para hyrjes në ‘finalen’ e dialogut paraqet rënien më të madhe të Haradinajt në këtë 10 vjetshin e fundit. Kushtëzimet e Departamentit të Shtetit Amerikan ndaj kryeministrit të Kosovës, për marrje të vizës amerikane në këmbim të heqjes së taksës për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, bënë që Ramush Haradinaj të dorëzohet para kohe, madje për taksën lëshoi pe më lehtë dhe më shpejt sesa për Demarkacionin me Malin e Zi”, potencoi ai. “Deklarimet fillestare të kryeministri Ramush Haradinaj, se taksa 100 % ndaj produkteve serbe do të jetë në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, nga sot, jo vetëm që mbetën dëshira të parealizuara, por shpërfaqën mosqëndrueshmërinë dhe pafuqinë e Haradinajt në përballje me sfidat politike. Taksa e vënë për të rritur rejtingun e rënë përtokë të krerëve të shtetit, në prag të aktakuzave të Speciales, nga sot e baltosi akoma më tepër imazhin e pushtetarëve të inkriminuar. Nga sot, ekipit qeveritar të Haradinajt nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm se të përgatisë plaçkat për të ikur me kokën ulur nga Qeveria, ngase uragani i grevave dhe stuhia e protestave do të jenë akoma më të papërballueshme për Haradinajn dhe kabinetin që ai drejton. Kësaj Qeverie të rënë përtokë, presidentit të shantazhuar dhe deputetëve të korruptuar të  Parlamentit të Kosovës nuk i besojnë më qytetarët e vendit, e aq më pak bashkësia ndërkombëtare”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Qarri: SHBA-ja nuk mund të refuzohet

Analisti politik Gani Qarri i ka thënë gazetës se vënia e taksës 100 % kundër mallrave të Serbisë nuk kishte të bënte me vënie as heqje vizash, por me interes kombëtar dhe mbrojtjen e sigurisë nacionale, si hap i imponuar, për ndalimin e ofensivës agresive të Serbisë kundër vendit tonë dhe vendosjen e Kosovës në një pozicion më të favorshëm me rastin e rifillimit të bisedimeve me këtë shtet ish- pushtues fqinj.“Ndaj, pas kërkesës nga SHBA-ja për pezullimin e përkohshëm të taksës 100 %, Qeveria jonë duhet të koordinojë veprimet me miken tonë më të madhe ndërkombëtare, jo si ndryshim i qëndrimit të kryeministrit, për taksën ndaj Serbisë, por si reflektim pozitiv ndaj vetë kërkesës si të tillë, për faktin se edhe letra e SHBA-së lë të hapur mundësinë për rivendosjen e taksës, nëse nuk arrihet marrëveshje dhe dështojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet ish-okupator”, vlerësoi ai. “Nëse SHBA-ja konsideron se heqja e përkohshme e taksës është në interes të Kosovës dhe këtë e sheh si një shans për arritjen e marrëveshjes si dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, besoj se edhe z. Haradinaj dha sinjalet e para, se është i gatshëm të reflektojë, jo për shkak të vizës, siç po mundohet të spekulohet në opinion, por siç ceket edhe në kërkesën e parashtruar, për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ajo që duhet cekur me këtë rast, është fakti se Qeveria e Kosovës, pas vendosjes së taksës 100 për qind për prodhimet e Serbisë, që përkundër të gjitha shantazhimeve, në Kosovë hynin pa asnjë cent detyrim ndaj shtetit tonë, nuk u ballafaqua vetëm me shtetin serb, por edhe me mafiozët biznesorë shqipfolës, kamionët e parë të të cilëve, me mallra kontrabandë nga Serbia, nuk u kapën në veri siç pritej, por në Drenicë dhe krejt afër Skenderajt”, vijoi më tej ai. “Dhe, nuk është kurrfarë fshehtësie të thuhet hapur se jo vetëm biznesmenët mafiozë, por edhe ndonjëri nga ministrat pehlivan të Abelard Tahirit, nëse jo edhe ai personalisht, i cili herë jep dorëheqje e herë e tërheq vetë atë, si dhe pushtetarë të lartë, kanë përfituar miliona nga abuzimi në treg dhe janë përgjegjësit kryesorë që edhe dy dekada pas lufte, qytetarët e Kosovës të mos mund të konsumojnë pothuajse asgjë tjetër, përveç prodhimeve të Serbisë, që ofrojnë vetë ata. Të njëjtët, përveçse kanë shfrytëzuar taksën për rritje çmimesh, u kujdesën me përpikëri e përkushtim të pabesueshëm, që edhe pas vendosjes së taksës 100 %, ajo të mos e arrijë efektin e duhur, duke kontrabanduar në vazhdimësi mallra të Serbisë nga Mali i Zi, në mënyrë që konsumatorët të mos mësohen me mallra të shteteve të tjera, dhe tregu të ruhet për Serbinë e të dominohet përherë nga mallrat e Serbisë, vetëm e vetëm që ata të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të varfër dhe të pasurohen sa më shumë për vete. Ndaj, nëse pezullimi i taksës kërkohet drejtpërsëdrejti nga SHBA-ja, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka arsye të 100 për qindtë, të përgjigjet 100 % në mënyrën më të mirë të mundshme, jo si detyrim, por si reflektim pozitiv dhe ashtu si u bën nder më së miri SHBA-së dhe Kosovës, nëse me ndihmën e Amerikës kjo masë kthehet në shans për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha  Qarri për “Kosova Sot”.

Badallaj: Ku është Kulla, ku është Zhlebi, ku është Çakorri...?

Analisti politik Reshat Badallaj tha për “Kosova Sot” se ai edhe në shkrimet e tij të para në mbështetje të kësaj takse kishte tërhequr vërejtjen ndaj kryeministrit që të jetë i vendosur dhe të mos lëkundet, nëse për ta hequr këtë taksë i vijnë presione nga jashtë, gjë që tani po ndodh, sipas Badallajt, dhe ai, kryeministri ka dhënë shenja se do të dorëzohet. “Më datën 14 nëntor 2018, në gazetën më të lexuar në Ballkan, që quhet "KOSOVA SOT", në rubrikën Opinione kam thënë:"Ramush aga, tani mos luaj bisht!" dhe se kur vjen puna që e prek në pozitë dhe në para jo vetëm që do të lëshojë pe dhe sidomos kur fol Amerika, por, ky do të japë edhe Kullën me gurë të Gllogjanit, edhe pse është ndërtuar me djersën e huaj. Merreni me mend se sa naivitet, tamam si ata fëmija qurravecë, brenda javës se si filluan të lazdrohen se unë e bëra, jo ai po unë e bëra, duke menduar se kështu bëhet politika e shtetbërjes dhe a ka më budallallëk dhe idiotizëm të thuhet: Ne nuk e heqim taksen deri kur ta njohë Serbia Kosovën shtet..." dhe, këta vagabondë bashkë me ata vagabondët shkuar vagabondëve që i thonë vetit këshilltarë të paktën nuk mendojnë vetëm një gjë: Serbia fashiste,kriminele që vrau, preu, dogji dhe dhunoi mijëra femra shqiptare,  Kosovën do ta  njohë vetëm pse iu ndalohet ‘Plazma keks’ ose "Strudel",ju lutem a nuk janë hajvanë shkuar hajvanëve, a nuk lë të kuptojmë se kush e ka shtetin në dorë.... Ne jemi dëshmitarë të gjallë se ky i pafytyrë maltretoi shumë poshtër popullin duke u mërdhirë për të nënshkruar dhe me karrocë lypsari i futi në Kuvendin rrugaçësh, bile aq i poshtër u tregua që u përplas me policinë dhe po të kishte shtet ky do të ishte në DYZ dhe ç´ndodhi më vonë? Ku është Kulla, ku është Zhlebi, ku është Çakorri...? Pra, kur fol Amerika aspak nuk i duhet dyshuar se nuk i ndërrojnë fjalët këta matrapazë shkuar matrapazëve”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

 Masa mund të shfuqizohet

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, është e sigurt që  në vazhdën e presionit që po bëhet ndaj Kosovës, si dhe në bazë të garancive ndërkombëtare, në veçanti të SHBA-së, mund të ndodhë që të suspendohet masa e tillë për taksën 100%. “Se a është i domosdoshëm  ky suspendim duhet të sillen në analizë disa çështje. 1. Bisedimet për marrëveshje veç janë në zhvillim, 2. BE-ja  ka bërë dhe po bën presion të madh mbi Qeverinë për të suspenduar këtë taksë, 3. Shtetet mike të Kosovës, kryesisht SHBA-ja, Anglia dhe Gjermania kanë kërkuar këtë suspendim për t’i dhënë mundësi bisedimeve ndërmjet shteteve  dhe 4. Presioni i brendshëm mbi taksën. Unë, pra, i theksova disa fakte që mendoj se duhet të suspendohet për një afat maksimalisht një a 2 muaj. Nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja me njohje të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, duhet që kjo taksë vetvetiu të futet në fuqi. Jo vetëm kjo, por ka edhe masa të tjera, të cilat duhet të aprovohen. E, aty mendoj në regjistrimet e automjeteve, të shkollës, të diplomave, të pasaportave, të çdo çështje, deri edhe te të drejtat dhe detyrat e minoriteteve, qoftë në Luginë, qoftë te ne.  Minoritetet duhet të jenë ura lidhëse midis shteteve. Por kurrë në disproporcion me të drejta. Shqiptarët në Serbi nuk kanë  asnjë të drejtë nacionale dhe të tjera. Ndërsa në Kosovë mbi çdo masë matëse të lirive nacionale. Pra, lypset një masë e përkohshme e suspendimit për t’i dhënë mundësi politikës. Por, jo kjo masë, nëse nuk arrihet suksesi që të mos rikthehet. Rivendosja duhet të jetë e domosdoshme. Pa këto nuk ka ecje përpara”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

 Qytetarët shohin zmbrapsje të kryeministrit

Qytetarët e anketuar rreth këtyre zhvillimeve të fundit, presionit amerikan ndaj Qeverisë për pezullimin e taksës kundër  prodhimeve të Serbisë, janë shumë të sigurt  që ky pezullim, tërheqje do të ndodhë, por në mënyrë graduale dhe  duke gjetur edhe arsyetimin adekuat që të mos  humbet besimi i Qeverisë në opinionin publik. Qytetari Shyqyri Thaçi tha për “Kosova Sot” se  që në deklarimin e parë pas publikimit të letrës në medie, kryeministri ka dhënë shenja se do të tërhiqet shpejt taksa ndaj Serbisë, por duke pritur edhe garanci nga ndërkombëtarët që  marrëveshja të arrihet dhe Kosova të përfitojë nga ajo marrëveshje ato që ka kërkuar. “Z. Haradinaj ka presion të madh nga  amerikanët, por edhe nga evropianët, për të hequr taksën, të cilën ia ka vënë qeverisë së Serbisë, taksën 100%, dhe unë kur e dëgjova Haradinajn  dje apo pardje e pashë që e ka zbutur qëndrimin. Ai ka mundur të thotë se do ta pezullojmë nëse kemi garanci nga BE-ja, që Serbia do ta nënshkruajë marrëveshjen dhe do ta njohë Kosovën. Pra, po duan të kenë një zbutje dhe presioni është i madh, dhe besoj që taksa do të hiqet, ndoshta jo aq shpejt, menjëherë, por pas pak ditësh apo javësh mund të pezullohet taksa përkohësisht. Pra, mund të pezullohet njëherë, ndoshta për një kohë që të vazhdojnë bisedimet....Unë nuk mendoj që me këtë mund të humbet besimi te kryeministri, sepse taksa kur është vënë, taksa është vënë pak si me inat, për  shkak se Serbia bënte propagandë të madhe kundër Kosovës,  kundër anëtarësimit të Kosovës në   Interpol, në UNESKO etj., prandaj këta e morën këtë vendim”, tha  Thaçi, sipas të cilit taksa ka dhënë edhe efektet e veta pozitive dhe tani duhet të testohet pezullimi i taksës për t’i hapur rruge bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë që, sipas tij, mund të jetë e gatshme në pritje të zyrtarizimit. Edhe  qytetari Rexhep Hyseni mendon se  deri më tani taksa e ka dhënë një efekt mjaft të dobishëm për ta detyruar Serbinë që  të ndryshojë qëndrimin e saj karshi Kosovës dhe kjo pritet të ndodhë tani gjatë bisedimeve. “Unë mendoj që taksa deri tani  ka dhënë një efekt të mirë pozitiv në atë këndvështrimin  e shikuar nga  Kosova, sidomos për shkak që  ka qenë në këtë kohën rreth vitit të ri, prandaj  sa u përket tani këtyre  reagimeve  të tjera,  nga miqtë dhe shtetet bashkëpunëtore  karshi Kosovës, ne nuk duhet të biem në atë nivel dhe të konfrontohemi me SHBA-në apo me BE-në, por gradualisht duhet ta gjejmë një gjuhë të përbashkët, nëse është nevoja edhe ta tërheqim taksën, por me kushte të caktuara. Kushte duhet t’i qiten Serbisë, por edhe duhet të garantojnë këta ndërkombëtarët që ato kushte do të përmbushen dhe Serbia do t’u përmbahet atyre’, potencoi Hyseni.

(Kosova Sot)