Politikanët injorantë shkelën mbi gjakun e dëshmorëve

  • 17 January 2019 - 07:48
Politikanët injorantë shkelën mbi gjakun e dëshmorëve

 Shkodra: Në vend se të paditet Serbia për njerëzit dhe pasurinë e shkatërruar dhe të plaçkitur, Serbia doli sikur shqiptarët e kanë sulmuar

  "Politikanët kosovarë i injoruan tërësisht pasojat e luftës dhe hynë në dialog me Serbinë, shtetin armik dhe gjenocidal, pa asnjë kusht. Ndaj, duhet pyetur se si bëhet, vallë, që asnjëherë në bisedimet me Serbinë nuk u fol për krimet e pandëshkuara, masakrat si ajo e Reçakut, të pagjeturit, dëmet miliardëshe të luftës. Tani, në fund të procesit, kur po gatuhet marrëveshja e dëmshme me Serbinë, politikanëve tanë po u bie ndërmend, që të përmendin çështjet e injoruara kaq gjatë?!!! Ndaj, në vend që të kërkojnë nga Qeveria serbe shpagim për krimet, kemi ardhur në momentin që të diskutojmë për dhënie territori Serbisë vrastare, nacionaliste dhe fashiste, atëherë, sot e gjithmonë”, thotë analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike dhe qytetarët vlerësojnë se pushtetarët që dolën nga flakët e luftës, i harruan shpejt plagët e popullit, i përveshën mëngët për pasuri e luks, duke harruar se luftëtarët e vërtetë e lanë luksin e pasurinë, që të jepnin jetën për lirinë e vendit. Nga analistët shtrohet pyetja se përse në këtë dialog me Serbinë kurrë nuk u fol për krimet e pandëshkuara, masakrat si ajo e Reçakut, të pagjeturit, dëmet miliardëshe. Njohësit e rrethanave politike thonë se  tani në fund të procesit, kur po gatuhet marrëveshja e dëmshme me Serbinë, politikanëve tanë po u bie ndër mend të përmendin çështjet e injoruara kaq gjatë. Analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se politikanët tanë pa kurrfarë ndjesie, shpejt u dhanë me mish e shpirt pas një luksi e një jete të begatshme për vete e familjet e tyre. “Është interesant, në vend se të paditet Serbia për njerëzit dhe pasurinë e shkatërruar dhe të plaçkitur, Serbia doli sikur shqiptarët e kanë sulmuar dhe i kanë bërë të gjitha ato të zeza në popullin serb. Tash po thuhet se duhet të bëhet kompromis duke i dhënë një pjesë të Kosovës. Në të njëjtën kohë, për shqiptarët luftëtarë u vendos Gjykata Speciale. Krejt kjo vjen nga një padituri e kësaj politike”, shpjegoi Shkodra.

 Liderët u zhytën në luks

Analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se liderizmi politik i dalë nga lufta e harroi të kaluarën dhe u thellua nën petkun e luksit  dhe pasurimit individual, duke zhvatur çdo pjesë të mbetur të Republikës. “Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë zyrtarë të Qeverisë dhe analistë në Prishtinë. Por, kompensimi për dëmet e luftës deri më tash nuk është diskutuar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që është zhvilluar në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian”, u shpreh ai. “Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërkaq sipas analistëve, në agjendën e bisedimeve duhet patjetër të diskutohet edhe për dëmet e luftës. Zyrtarë të Qeverisë se Kosovë, ndërkaq, më herët patën deklaruar se padia do të ngrihej kur Kosova do të mund ta bënte këtë si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, vijoi  më tej Hertica. “Duhet kujtuar se në muajt e fundit ka pasur deklarime të krerëve të shtetit të Kosovës, të Serbisë, si dhe të përfaqësuesve të lartë evropianë, se dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel është në fazën përfundimtare. Ky dialog pretendohet të mbyllet me një marrëveshje paqësore mes dy shteteve, që do jetë e dhimbshme për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

 Kriminalizimi i politikanëve

Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se, fatkeqësisht, pushtetarët virtualë, deri në fund të luftës, dhe pushtetarët realë nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, nuk duhet të kenë pasur asnjëherë karakter fisnik, por neve po na ngjan, sikur ata u kriminalizuan vetëm kur mundën të ushtronin pushtet. “Njeriu me karakter fisnik nuk është konjuktural, herë fisnik e herë kriminel, por mbetet përherë fisnik! Prandaj, vetëm naivët shfaqin habi, përse na qenkëshin tjetërsuar, ta zëmë Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi. Përherë, që kur duhet t’i kenë rekrutuar shërbimet armiqësore, janë angazhuar siç i kanë komanduar eprorët, për hir të interesave të tyre egocentrike. Po të ishim të informuar e të ndërgjegjshëm, nga të tillët nuk është dashur të shpresonim se ndonjëherë do të mbajnë qëndrime konstruktive, parimore, sepse janë rekrutuar që t’u shërbenin pushtueseve serbë”, potencoi ai.

 Aliu: Si bëhet që asnjëherë në bisedimet me Serbinë nuk u fol për krimet e pandëshkuara,  të pagjeturit, dëmet miliardëshe të luftës?!

Bislim Aliu, po ashtu analist politik,për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje se sa shpejt i harruan pushtetarët tanë, që dolën nga flakët e luftës, plagët e popullit. “Ndërkaq, e tëra kjo ndodhi, ngase pushtetarët tanë i përveshën mangët, për pasuri dhe luks, si sheikët, duke harruar se luftëtarët e vërtetë e lanë luksin dhe pasurinë, që të jepnin jetën për lirinë e vendit. Politikanët kosovarë i injoruan tërësisht pasojat e luftës dhe hynë në dialog me Serbinë, shtetin armik dhe gjenocidal, pa asnjë kusht. Ndaj, duhet pyetur se si bëhet, vallë, që asnjëherë në bisedimet me Serbinë nuk u fol për krimet e pandëshkuara, masakrat si ajo e Reçakut, të pagjeturit, dëmet miliardëshe të luftës. Tani, në fund të procesit, kur po gatuhet marrëveshja e dëmshme me Serbinë, politikanëve tanë po u bie ndërmend, që të përmendin çështjet e injoruara kaq gjatë?!!! Ndaj, në vend që të kërkojnë nga Qeveria serbe shpagim për krimet, kemi ardhur në momentin që të diskutojmë për dhënie territori Serbisë vrastare, nacionaliste dhe fashiste, atëherë, sot e gjithmonë”, vlerësoi ai. 

Qytetarët, të irrituar me pushtetin

Krahas analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë tej mase të indinjuar me mënyrën se si po bëhet dialogu me Serbinë. Qytetari nga Prishtina Enver Begolli, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet ajo që e ka bërë delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë është një rast i turpit dhe për keqardhje. “Të bësh disa vjet bisedime me serbët dhe prej tyre mos të kërkohet asnjë llogari për identifikimin e autorëve të masakrave të llojit të Reçakut dhe që të zbardhen dhunimet e mbi 20 mijë femrave shqiptare, e veç saj të mos bisedosh e të mos kërkosh asnjëherë dëmet serbe të luftës me miliarda euro para dhe për të pagjeturit, këtë mund ta bëjnë vetëm pala kosovare, e asnjë delegacion në botë tjetër. Janë pushtetarët tanë ata që nga flakët e luftës i harruan shpejt plagët e popullit, i përveshën mëngët për pasuri e luks, duke harruar se luftëtarët e vërtetë e lanë luksin e pasurinë, që të jepnin jetën për lirinë e vendit”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Islam Velija, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se është e çuditshme dhe trishtuese ajo çfarë  ndodhi pas lufte nga komandantët tanë, që shpejt i harruan ato krime, ato masakra, të pagjeturit dhe dëmet miliardëshe. “Kjo çka ka ndodhur te ne është shqetësuese, sepse në këto bisedime asnjëherë nuk u fol për masakrat, si në Reçak e në Makofc të Prishtinës, ku u vranë për një ditë mbi 130 veta. Veç saj, në këto bisedime me Serbinë nuk u fol kurrë për dhunimet e nënave e motrave tona, nuk u fol për mijëra të pagjetur dhe për miliardat e dëmeve të luftës, me të cilat delegacioni shqiptar nuk merret fare. Sjellja e pushtetarëve tanë të pasluftës është tmerruese dhe kam frikën se me këtë klasë politike nuk do të bëhet kurrë mirë në Kosovë”, vlerësoi ai. Sipas Velisë, si rezultat i tërë kësaj keqqeverisjeje të tyre, sot po t’u hapësh derën qytetarëve tanë, shumica do të iknin menjëherë jashtë vendit.

(Kosova Sot)