Ribërja e Bordit shpëton bizneset nga kalvari gjyqësor

  • 17 January 2019 - 07:53
Ribërja e Bordit shpëton bizneset nga kalvari gjyqësor

Qeveria e pranoi se shuarja e këtij mekanizmi ishte e gabuar

 “Me  këtë veprim të MF-së, biznesve po u kthehet një e drejtë që u ishte mohuar disa vjet dhe për moskënaqësitë e tyre ndaj vendimeve të Doganave dhe të ATK-së, ata janë sorollatur korridoreve të gjykatave tona, duke pritur me vite për një vendim në favor apo kundër tyre. Prandaj, për funksionalizimin e këtij bordi sa më parë duhet që të krijohet baza ligjore, në mënyrë që ky bord të jetë funksional, pasi, sipas ish-ministrit të MF-së, ndryshimet ligjore e kanë imponuar shuarjen e bordit”, ka theksuar Nehat Maxhuni për “Kosova Sot”

Themelimi apo më mirë të thuhet riaktivizimi i Bordit të Pavarur të Ankesave, që kishte ekzistuar më parë, por që ishte hequr nga Qeveria “Mustafa”, pritet se do të ndihmojë bizneset vendore që me vite mos të sorollaten nëpër gjykatat tona. Shumë kompani, në mungesë të këtij bordi, nuk kanë pasur se ku të ankohen për vendimet e padrejta të Doganave apo ATK-së në dëm të bizneseve. Përfaqësues të Odës së Afaristëve të Kosovës, si edhe analistët e ekonomisë, vlerësojnë se pas riaktivizimit të këtij bordi, ankesat e bizneseve ndaj vendimeve të këtyre institucioneve do të zgjidhen në afat se më të shpejtë, në mënyrë që bizneset të mos vuajnë nga padrejtësitë, si rezultat i vendimeve ‘ad- hock’ apo të qëllimshme qeveritare. Eksperti i kësaj fushe Skender Kolgeci, ish- kryetar i Bordit të Ankesave, për gazetën “Kosova Sot’ tha se për arsyen pse është shuar dhe pse nuk po i kthehet mandati ligjor i bordit, sipas kërkesës së komunitetit të biznesit të parashtruar në mënyrë publike, duhet ta kërkoni tek ata që kanë vendosur për një vendim të këtillë për shuarje. Kolgeci, po ashtu, konsideron se vendimi politik për shuarjen e bordit, që pastaj kaloi në ligj, nuk ka pasur bazë ligjore. Sipas tij, tatimpaguesve u mungon një shkallë e së drejtës ankimore në procedurë administrative që u garantohet po me Ligjin Nr.02/L-28’. Prandaj, sipas Kolgecit, riaktivizimi i këtij bordi është një vendim i mirëseardhur për bizneset dhe se në të njëjtën kohë edhe duhet përshëndetur vendimin e MF-së.

 Bizneset, të pakënaqura me gjykatën

Lideri i AKB-së Agim Shahini, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se me këtë vendim bizneseve vetëm se po u kthehet një e drejtë e garantuar edhe me Kushtetutë . “Kjo, ngase nga kontaktet e përditshme me pronaret e bizneseve, të cilët në vazhdimësi shprehin dhe paraqesin vërejtjet e tyre në efikasitetin dhe profesionalizmin e Divizionit Fiskal pranë Gjykatës Themelore, si dhe të Gjykatës së Apelit, si dhe bazuar në kërkesën e vazhdueshme për kthimin e mandatit ligjor të ish-Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, i cili si organ administrativ i shkallës së dytë është marrë me shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave kundër vendimeve të ATK-së dhe të DK-së ,që janë parashtruara deri me 30 nëntor 2012, AKB-ja që nga viti 2015, duke mbetur besnike kërkesave të komunitetit të bizneseve, ka parashtruar disa herë kërkesë zyrtare institucioneve relevante të Kosovës për rithemelimin e këtij bordi”, u shpreh ai. “Duke parë neglizhencën dhe hezitimin e vazhduar të institucioneve vendimmarrëse për inicimin e procedurës ligjore për rithemelimin e këtij bordi, me arsyetim se kundër është Komisioni Evropian, AKB-ja si rezultat i presionit të komunitetit të biznesit kosovar rifreskon kërkesën drejtuar këtyre institucioneve për domosdoshmërinë e rithemelimit të ish- BPR-së”, vijoi më tej Shahini. Sipas Shahinit,  duhet mirëpritur vendimin e Qeverisë për riaktivizimin e këtij bordi, ngase me këtë vendim Qeveria vetëm që po e plotëson të drejtën parimore të bizneseve të garantuara me Kushtetutë dhe mungesa e sigurisë juridike që po ashtu ishte edhe një vendim që i frikësoi deri më tash investitorët vendorë dhe të huaj.

Padrejtësia ndaj kompanive u shtua

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se edhe Shoqata ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës riaktivizimin e Bordit të Pavarur për shqyrtimin e ankesave nga bizneset. “Arsyeja kryesore e kërkesës për rikthimin e mandatit të Bordit të Pavarur është se shuarja e tij si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative ishte në kundërshtim me ligjin dhe pa bazë ligjore. Madje, punën e këtij Bordi të Ankesave e kanë cilësuar të vlefshme edhe në raportin e Komisionit Evropian, ku e kanë vlerësuar punën e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime si efikas, të paanshëm dhe profesional. Raporti theksonte se nga koha kur ky bord nuk është funksional, ATK-ja dhe Dogana e Kosovës kanë rritur shkallën e padrejtësisë ndaj bizneseve dhe bizneset nuk kanë ku të ankohen, sepse e vetmja e drejtë e tyre për ankimim në shkallën e parë është ATK- Dogana e Kosovës dhe në Departamentin Fiskal- Gjykatën Themelore, ku këto lëndë presin trajtim me vite të tëra. Prandaj, ne si shoqatë iu kemi drejtuar disa herë edhe me kërkesa zyrtare Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të plotësuar këtë të drejtë për rithemelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime. Ndaj, një vendim i tillë është i mirëseardhur dhe nuk do t’i lërë bizneset tona që të sorollaten nëpër zyrat e gjykatave tona”, ka vlerësuar Maloku.

 Kufizimi i mundësive për t’u ankuar

Deputeti i Kuvendit të  Kosovës nga opozita Salih Salihu(PSD), për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se që nga shuarja e tij, ekspertët e ekonomisë, por edhe përfaqësues nga komuniteti i bizneseve kanë kërkuar në vazhdimësi rifunksionalizimin e bordit. “Madje, këtë e kanë kërkuar edhe drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, bashkë me Odën Ekonomike të Kosovës. Ata kanë nxjerrë një qëndrim të përbashkët, përmes të cilit kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria që të rifunksionalizojë sa më shpejt që të jetë e mundur Bordin e Pavarur për Rishqyrtime, meqenëse ata kanë vlerësuar se duhet të ketë një organ të pavarur tek i cili adresohen të gjitha ankesat, të cilat komuniteti i biznesit ka ndaj ATK-së edhe Doganave”, theksoi ai.“Duhet thënë se riaktivizimi i Bordit të Pavarur të Ankesave, që kishte ekzistuar më parë, por që ishte hequr nga Qeveria ‘Mustafa’, pritet se do të ndihmojë bizneset vendore që me vite mos të sorollaten nëpër gjykatat tona. Kjo, pasi shumë biznese në mungesë të këtij bordi nuk kanë pasur se ku të ankohen për vendimet e padrejta të Doganave apo ATK-së në dëm të bizneseve”, vlerësoi Salihu. “Edhe unë, sikurse që e thanë edhe përfaqësues të bizneseve, ata të Odës së Afaristëve të Kosovës, si edhe analistët e ekonomisë vlerësojnë me të drejtë se pas riaktivizimit të këtij bordi, ankesat e bizneseve ndaj vendimeve të këtyre institucioneve do të zgjidhen në afat se më të shpejtë, në mënyrë që bizneset të mos vuajnë nga padrejtësitë, si rezultat i vendimeve ‘ad-hock’ apo të qëllimshme qeveritare”, ka potencuar ai.

OAK-u kërkon bord jopolitik

Në një përgjigje të dhënë  nga OAK-u, lidhur me Bordin e Ankesave të Bizneseve, është folur për atë se sa do të ndihmojë bizneset themelimi i Bordit të Ankesave, që kishte ekzistuar më parë, por që ishte hequr nga Qeveria. “OAK-u edhe më parë ka ngritur zërin për riaktivizimin e Bordit të Ankesave brenda ATK-së dhe formimin e një Bordi të Ankesave ndaj Inspektoratit të punës. Andaj, Oda e Afarizmit të Kosovës ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrit të Financave, z. Bedri Hamza, për të shtyrë përpara kthimin e Bordit të Pavarur të Ankesave, që të trajtojë ankesat e sektorit privat ndaj Administratës Tatimore dhe Doganës, që t’u krijohen lehtësira bizneseve dhe jo pengesa. Kjo, sepse shumë biznese, në mungesë të këtij bordi, nuk kanë pasur se ku të ankohen për vendimet e padrejta të Doganave apo ATK-së në dëm të bizneseve”, thuhet më tutje në përgjigje.“Kemi kërkuar nga ministri Bedri Hamza që të jetë shumë më afër kërkesave të problemeve të mëdha të bizneseve që janë duke u adresuar në mënyrë që të përmirësohet klima e të bërit biznes në vend. Oda e Afarizmit të Kosovës po kontribuon me profesionalizëm në këtë drejtim, andaj  ne si Odë shpresojmë se ky bord do të jetë profesional dhe jopolitik. Gjatë ditës së djeshme kemi zhvilluar një takim lidhur me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit edhe më shumë në mes të OAK-ut dhe ATK-së, me qëllim të ofrimit të përkrahjes së bizneseve në tejkalimin e sfidave të bizneseve, ku nga ana e ATK-së u premtuan lehtësira për bizneset”, thekson Oda.

  Abuzimi me ligjet

Ligjëruesi universitar Nehat Maxhuni, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se, është për keqardhje se si që nga viti 2015, kur është pezulluar puna  e këtij organi të pavarur, bizneset, të cilat kanë pasur konteste ligjore me Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nuk kanë pasur më ku të ankohen. “Kjo për shkak se Ministria e Financave asokohe pati marrë vendim të gabuar për shuarjen dhe marrjen e mandatit të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave (BPRA). Sepse para shuarjes të gjithë tatimpaguesit e pakënaqur me vendimet e ATK-së dhe DK-së kanë pasur mundësi ligjore t'i kontestojnë ato në dy shkallë në procedurë administrative dhe në dy shkallë në procedurë gjyqësore”, u shpreh ai. “Është i drejtë vendimi i ministrit të MF-së, Bedri Hamza, për rikthimin e mandatit të Bordit të Pavarur, pasi arsyeja kryesore e kërkesës për rikthimin e tij ishte se shuarja e tij si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative ishte në kundërshtim me ligjin dhe pa bazë ligjore”, potencoi Maxhuni.

(Kosova Sot)