Pa paguar haraç, nuk kryen asnjë punë në gjykata dhe në prokurori

  • 17 January 2019 - 08:00
Pa paguar haraç, nuk kryen asnjë punë në gjykata dhe në prokurori

Miftari: Pa shkëputjen e fuqishme të lidhjes së rrjetit kriminal, drejtësi politike nuk mund të vendoset e të stabilizohet shteti i vërtetë ligjor
 
 “Kësaj i thonë "Banana Republikë", sepse asgjë nuk funksionon. Funksionon vetëm ligji i të fortit, këtu nuk sundon fuqia e argumenteve, por fuqia e muskujve. Pra, kush e ka forcën fizike, sepse mendtë nuk u duhen, e fiton në fillim lekun e pastaj lekun dhe forcën i shfrytëzon për të kapur shtetin. Sundon i forti dhe jo i drejti. Asnjë rast i përfunduar, asnjë zyrtar  i suspenduar dhe larguar nga mospuna dhe nga mosefikasiteti. Largohesh e persekutohesh vetëm nëse nuk je me të "fortin", muskulozin, dhe atë që e ka lekun”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për “Kosova  Sot”
 

Duke u nisur nga të dhënat, sipas të cilave Prokuroria Speciale në Kosovë nuk ka arritur të zërë as edhe “një peshk të madh” nga krimi i organizuar, të cilët si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut rregullohen vetëm me ligje, njohësit e fushës së sundimit të ligjit konsiderojnë se kjo gjendje dëshmon më së miri se sa i kapur dhe jofunksional është i tërë sistemi i drejtësisë kosovare. Po ashtu kjo gjendje, sipas njohësve të kësaj fushe, tregon se si në Kosovë nuk ka shans që pa paguar haraçin të marrësh as leje ndërtimore , as licence aktiviteti në asnjë veprimtari ekonomike, e as përgjigje apo vendime administrative nga administrata, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këtë zyrtarët në administratën publike të shtetit. Lidhja e ngushtë e rrjeteve të krimit me sistemin e drejtësisë, sipas njohësve të fushës, ka bërë që deri më sot nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar në administratën komunale dhe atë qendrore e as të mafio-oligarkëve te lidhur me ta, që veprojnë dhe janë pjesë e “nëntokës kriminale dhe krimit të organizuar" që funksionon para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë as ex-officio dhe as pas kallëzimeve penale nga qytetarët ose shoqëritë tregtare, duke u dalë në mbrojtje dhe duke bërë avokatinë e të inkriminuarve dhe nuk ngritin fare aktakuza kundër tyre për vite të tëra! Sipas analistëve, gjendja është e tillë dhe tepër skandaloze, pavarësisht që shteti vazhdon të paguajë prokurorët nga buxheti që mblidhet prej taksave të qytetarëve, ndërsa ata nuk duan ta bëjnë punën e tyre të detyrueshme, të përcaktuar me ligj e Kushtetutë, duke mos iu nënshtruar ligjit, por vetëm “Maliqit“, prej të cilit mbahen të sunduar nga frika se mund të shkarkohen e zëvendësohen!

 Prokuroria, dështim i madh
 
Sipas prof. Blerim Burjanit, një gjendje e tillë është pasqyra me besnike e fytyrës së Prokurorisë së Shtetit, e cila nuk mund të mbulohet dhe të fshihet me asgjë.“Ky është një realitet i përkushtimit të dobët të prokurorisë së kapur, prandaj nuk mund të mendohet që me një prokurori të tillë të arrihet të ndalen krimi politik, zhvatja e buxhetit, sepse s’ka gatishmëri dhe nuk ka mundësi të luftohet korrupsioni, nepotizmi, keqpërdorimi i buxhetit të qytetarëve. Kjo çështje mbetet shumë larg, sepse pa ndryshim në qeverisje s’mund të flitet fare për prokurori efikase në ndalim dhe parandalim të krimit politik, sepse po ky krim politik e ka zhvatur edhe drejtësinë dhe e ka shantazhuar atë, nuk e lë të lirë fare për të funksionuar. E prokuroria është   “efikase” vetëm për rastet jo politike, pra jo edhe për ato raste që  ka të bëjë me njerëz që thonë se merren me politikë, sepse kur janë ata në pyetje prokuroria dhe gjyqësori zakonisht ‘dështojnë’ ose nuk ka prova”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”.
 
Miftari:  Ligjvënësit, dekor i mafisë

 
Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, mendon se pa shkëputjen e fuqishme të lidhjes së rrjetit kriminal drejtësi politike nuk mund të vendoset e të stabilizohet shteti i së drejtës, shteti i vërtetë ligjor. “Problemi i mosdënimit të krimit të organizuar në nivele të larta qëndron për atë arsye, pasi krimi i organizuar është integruar në politikë dhe në institucione dhe sidomos në vetë organet shtetërore që merren me sundimin e ligjit dhe sigurisë publike. Prandaj, sot edhe për t’u shkolluar duhet të japësh haraç, për t’u mjekuar po ashtu, e sa për çështje të punësimit dihet kaherë që pa korrupsion dhe pa lidhje politike mafioze lindesh… rritesh e plakesh dhe vjen koha të vdesësh si i papunë. Pra, arsyeja pse nuk janë luftuar veprimet e krimit të organizuar qëndron te shkaku se prokuroria, gjyqësia, këshillat e drejtësisë, policia, inteligjenca dhe avokaturat janë pjesë dhe lodra të bosëve politikë, e ata janë të njëjtit edhe bosët e krimit të organizuar, prandaj pa pastrimin e organeve të drejtësisë dhe pa pastrimin e organeve të sigurisë nga dora e mafiozëve politikë, në Kosovë ligji do të jetë vetëm i shkruar mirë, por kurrë i zbatueshëm. Përndryshe, edhe ligjvënësit do të shërbejnë vetëm si dekor ose si dorë e zgjatur e mafisë politike në Kosovë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

 Kapiti: Ligji dhe e drejta në Shqipëri e në Kosovë janë në pazar dhe në ankand!
 
Sipas Skënder Kapitit, analist i kësaj fushe nga Durrësi- Shqipëri, një gjendje e tillë po mbretëron në të dy anët e kufirit ndërshqiptare, sepse ligji dhe e drejta në Shqipëri e në Kosovë janë në pazar dhe në ankand.“Kjo do të thotë dhe këtë e vërteton realiteti politik, shoqëror dhe ai juridik në të dy shtetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Kjo sepse për ta fituar të drejtën, për ta fituar tenderin, për ta marrë licencën, për të marrë leje ndërtimi, për të marrë një vend pune në qeverisjen qendrore, në administratën publike e shtetërore, si dhe në administratën komunale dhe në drejtësi, si gjyqtar e prokuror, dhe për ta fituar të drejtën në gjykatë, parakushti kryesor është se duhet të paguash dhe fitues gjithnjë dalin ata të cilët paguajnë më shumë”, theksoi ai.“Pra, gjithçka politike, publike, juridike e shtetërore, por dhe të drejtat qytetare nxirren në pazar dhe në ankand ku ligjin e bën korrupsioni, krimi dhe paraja e tyre. Dhe në një realitet të tillë as që mund të paramendohet se kemi një shtet ku funksionojnë ligji e drejtësia, as që të funksionuan patriotizmi e demokracia. Në shtetin ku vritet drejtësia, aty vritet shteti dhe vdes shpresa, prandaj duhet VETTING-u politik, juridik, shoqëror dhe patriotik, në mënyrë që të funksionojnë shteti dhe drejtësia, e që të çlirohet shteti e shoqëria nga prangat e mafio-oligarkisë politiko-juridike dhe prej korrupsionit dhe krimit të saj”, tha më tej analisti Kapiti për “Kosova Sot”.

 Preteni: Lëndët shtyhen e prolongohen deri në pafundësi
 
Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Hasan Preteni, në vendin tonë janë të përditshme rastet i këtij vendi të quajtur shtet dhe atë shtet i së drejtës, por që dëshmojnë se asgjë realisht nuk funksionon dhe as nuk vepron si duhet.“Edhe sot u shty seanca për rastin ‘Toka’ për arsye se nuk erdhën avokatët! Por, ky është cirk është marrëveshje në mes tri palëve (koalicionit joparimor): prokurori, gjykatë, avokati. I vetmi element që punon është koha, ajo kalon dhe lëndët shtyhen e prolongohen deri në pafundësi. Një ditë nuk vjen prokurori, një ditë nuk vjen gjyqtari, një ditë nuk vijnë avokatët... Palët mbrohen në liri, e kanë lekun dhe kohë të mjaftueshme t’i menaxhojnë të gjitha. Kështu ndodhi edhe me rastin "Stenda". Kësaj nuk i thonë drejtësi e këtij nuk i thuhet shtet”, potencoi ai.“Bota demokratike ngrihet në këmbë vetëm nëse një aktgjykim nuk vlerësohet i drejtë. Franca u ngrit në këmbë për 7 centë. E në Kosovë i varfëri nuk ka qëndrim, rreshtohet pas atij që mund t’i ndihmojë, e ai po i ndihmon kështu. Ja jep ndihmën sociale prej 75 eurove, e fut në listën e veteranëve edhe aty 170 euro dhe fukaraja hesht. Pasi që e kanë heshtur fukaranë, këta e heshtin edhe shtetin e së drejtës. Ua rrisin pagat jashtëligjshëm prokurorëve dhe gjyqtarëve, policëve hetues ua mundësojnë punësimin e grave & burrave, pastaj lakenjve të vet ua rrisin pagat gjithashtu, disave ua rritin pagat 100% e disave 300 euro në fund të vitit. Pasi që e sigurojnë mirë shpinën në mënyrë të pandershme, nuk lodhen as për grevën e punëtorëve arsimorë...shëndetësorë, e as të minatorëve. Këtyre asgjë nuk u intereson. Nuk u intereson as ajo se një avokat për t’i mbrojtur ata në Hagë u paguan nga 100 euro orën. Të pasurit dhe muskulorët  mbroji e ata të tjerët mbyti, nuk ka lidhje. Fëmijët e tyre shkollën e përfundojnë në kolegje private, për shëndetësi kujdeset Turqia dhe Gjermania e fukaranë mbyte”, shprehet  Preteni për “Kosova Sot”. Sipas tij, e gjithë kjo gjendje është pasojë e mosveprimit të gjyqësorit.

(Kosova Sot)