Kapiti: Ligji dhe e drejta në Shqipëri e në Kosovë janë në pazar dhe në ankand!

  • 17 January 2019 - 12:28
Kapiti: Ligji dhe e drejta në Shqipëri e në Kosovë janë në pazar dhe në ankand!

Sipas Skënder Kapitit, analist i kësaj fushe nga Durrësi- Shqipëri, një gjendje e tillë po mbretëron në të dy anët e kufirit ndërshqiptare, sepse ligji dhe e drejta në Shqipëri e në Kosovë janë në pazar dhe në ankand.“Kjo do të thotë dhe këtë e vërteton realiteti politik, shoqëror dhe ai juridik në të dy shtetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Kjo sepse për ta fituar të drejtën, për ta fituar tenderin, për ta marrë licencën, për të marrë leje ndërtimi, për të marrë një vend pune në qeverisjen qendrore, në administratën publike e shtetërore, si dhe në administratën komunale dhe në drejtësi, si gjyqtar e prokuror, dhe për ta fituar të drejtën në gjykatë, parakushti kryesor është se duhet të paguash dhe fitues gjithnjë dalin ata të cilët paguajnë më shumë”, theksoi ai.

“Pra, gjithçka politike, publike, juridike e shtetërore, por dhe të drejtat qytetare nxirren në pazar dhe në ankand ku ligjin e bën korrupsioni, krimi dhe paraja e tyre. Dhe në një realitet të tillë as që mund të paramendohet se kemi një shtet ku funksionojnë ligji e drejtësia, as që të funksionuan patriotizmi e demokracia. Në shtetin ku vritet drejtësia, aty vritet shteti dhe vdes shpresa, prandaj duhet VETTING-u politik, juridik, shoqëror dhe patriotik, në mënyrë që të funksionojnë shteti dhe drejtësia, e që të çlirohet shteti e shoqëria nga prangat e mafio-oligarkisë politiko-juridike dhe prej korrupsionit dhe krimit të saj”, tha më tej analisti Kapiti për “Kosova Sot”.

Lexo edhe këtë: Pa paguar haraç, nuk kryen asnjë punë në gjykata dhe në prokurori

(Kosova Sot)