Maloku: Padrejtësia ndaj kompanive u shtua

  • 17 January 2019 - 14:28
Maloku: Padrejtësia ndaj kompanive u shtua

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se edhe Shoqata ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës riaktivizimin e Bordit të Pavarur për shqyrtimin e ankesave nga bizneset. “Arsyeja kryesore e kërkesës për rikthimin e mandatit të Bordit të Pavarur është se shuarja e tij si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative ishte në kundërshtim me ligjin dhe pa bazë ligjore.

Madje, punën e këtij Bordi të Ankesave e kanë cilësuar të vlefshme edhe në raportin e Komisionit Evropian, ku e kanë vlerësuar punën e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime si efikas, të paanshëm dhe profesional. Raporti theksonte se nga koha kur ky bord nuk është funksional, ATK-ja dhe Dogana e Kosovës kanë rritur shkallën e padrejtësisë ndaj bizneseve dhe bizneset nuk kanë ku të ankohen, sepse e vetmja e drejtë e tyre për ankimim në shkallën e parë është ATK- Dogana e Kosovës dhe në Departamentin Fiskal- Gjykatën Themelore, ku këto lëndë presin trajtim me vite të tëra. Prandaj, ne si shoqatë iu kemi drejtuar disa herë edhe me kërkesa zyrtare Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të plotësuar këtë të drejtë për rithemelimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime.

Ndaj, një vendim i tillë është i mirëseardhur dhe nuk do t’i lërë bizneset tona që të sorollaten nëpër zyrat e gjykatave tona”, ka vlerësuar Maloku.

Lexo edhe këtë: Ribërja e Bordit shpëton bizneset nga kalvari gjyqësor

(Kosova Sot)