Pushtetarët e zbritën Kosovën në pikën më të ulët

  • 19 January 2019 - 07:41
Pushtetarët e zbritën Kosovën në pikën më të ulët

 Qarri: Me kastën aktuale politike, të shantazhuar dhe të dështuar, Kosova ka rënë në pikën më të ulët të pozicionit ndërkombëtar

E gjithë klasa politike, pushtet dhe opozitë, mendjen nuk e kanë të shteti, por të pushteti (xhepi) dhe te milionat e paluar në parajsat fiskale. Kosova, gjegjësisht qytetarët e saj, po izolohen (pa)drejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare shkaku i kësaj klase politike, e cila është bërë objekt i studimit dhe analizës në shtetet e Perëndimit, se si arritën për një kohë relativisht të shkurtër të bëhen supermilionerë të përmasave botërore kundrejt një popullate skajshmërisht të varfër”, u shpreh analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analistët politikë, por edhe qytetarët e anketuar, vlerësojnë se Kosova aktualisht, në kohën kur pritet të shënojë përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë, është në pikën më të ulët në pozicionin e saj ndërkombëtar dhe madje po rrezikon të izolohet për pasojë të këtyre politikanëve që kanë marrë nam të keq jo vetëm në vend, por edhe në shtetet e Perëndimit dhe të gjithë e dinë se çfarë pasurish kanë bërë këta politikanë, si e kanë rrjepur popullin dhe vazhdojnë ta rrjepin edhe tutje, në bashkëveprim me nëntokën kriminale. Prandaj, sipas analistëve, edhe izolimi i politikanëve tanë është një alarm edhe për qytetarët se nëse votojnë këta politikanë do të izolohet Kosova, në vend se të izolohen politikanët. Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se të gjithë politikanët, pa dallim, pushtetarë dhe opozitarë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me nëntokën kriminale në Kosovë dhe sekserët e tyre në diasporë, në fokusin e tyre politik nuk e kanë pasur asnjëherë interesin dhe mirëqenien e qytetarëve, por sy e mendje i kanë si të pasurohen në mënyrë të paligjshme, duke e rrjepur popullin dhe zhvatur buxhetin e shtetit të Kosovës. “Pra, e gjithë klasa politike, pushtet dhe opozitë, mendjen nuk e kanë të shteti, por të pushteti (xhepi) dhe te milionat e paluar në parajsat fiskale. Kosova, gjegjësisht qytetarët e saj, po izolohen (pa)drejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare shkaku i kësaj klase politike, e cila është bërë objekt i studimit dhe analizës në shtetet e Perëndimit, se si arritën për një kohë relativisht të shkurtër të bëhen supermilionerë të përmasave botërore kundrejt një popullate skajshmërisht të varfër”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

 Zeqa: Këtë klasë të shëmtuar politike janë duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe sekserët

“Izolimi i politikanëve tanë në arenën ndërkombëtare duhet të shërbejë si alarm për qytetarët e vendit, se nëse përsëri i votojnë këta politikanë do të vazhdojë të izolohet Kosova, në vend se të izolohen politikanët! Këtë klasë të shëmtuar politike janë duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës, duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme për qindra persona, verëra dhe pije të shtrenjta në restorantet më luksoze, për ta kaluar më pas edhe natën me "luciolat" (dashnoret) e tyre në hotelet me 5 e 6 yje. Edhe përkundër fakteve dhe argumenteve të shumta për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit nga të gjitha qeveritë e deritanishme, Prokuroria e Shtetit ka rënë në gjumë dimëror”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

 Çka të mbjellësh, do të korrësh

Sipas Hysni Aliut, Kosova ka problem të madh me identitetin e vet shtetëror, i cili identitet ende nuk është formuar, përveç në mënyrë të pjesshme dhe në letër. “Udhëheqësit tanë që 20 vjet janë duke konsoliduar dhe mirëmbajtur identitetin e vet, që në fakt është një identitet kriminal nëpërmes të cilit shtetin e përdorin si resurs për pasurim dhe popullin si skllav, i cili domosdo duhet të zgjedhë në mes të nënshtrimit dhe izolimit e vuajtjes. Thotë një fjalë popullore në Finlandë "atë që porosite e merr", pra ne i kemi zgjedh këta njerëz me vite të tëra, duke ditë paraprakisht që po investojmë në robërinë tonë intelektuale, njerëzore, kulturore, ekonomike, e jo në prosperitet, andaj i kemi. E keqja është që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përkrahur ndryshimet, por ka përkrahur njerëz që janë servilë ndaj tyre dhe të përshtatshëm për planet e tyre afatshkurtra dhe afatgjata. Ata i bllokojnë liderët tanë posa t’ua prishin planet atyre, e jo ashtu siç do të duhej që bllokimi të behej si rrjedhojë e korrupsionit dhe kriminalitetit që mbretëron në vend”, theksoi ai. Aliu shprehet shumë skeptik që ndryshimi do të vjen nga brenda, nëse nuk përkrahet edhe nga jashtë, edhe nga diaspora kosovare. “Unë besoj që diaspora kosovare duhet të jetë ajo që bën ndryshimin. Diaspora duhet të formojë një ‘qeveri në hije’, e cila do të ishte një hap i parë drejt ndryshimit, drejt dhënies së shpresës reale popullit se diçka e re me të vërtetë do të vjen në Kosovë. Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e ardhshme është e domosdoshme nëse duam ndryshimin, por jo pjesëmarrje për të votuar ato parti që janë në Kosovë, por për të votuar njerëzit që kthehen nga perëndimi dhe duan ta fitojnë luftën me robërinë moderne, e cila po bëhet pikërisht nga pushtetarët. Miqtë tanë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë që nuk shtyhen gjërat përpara duke i censuruar kriminelët aq sa të rrinë në binarët që ata dëshirojnë, duhet të bëhet e kundërta, duhet të përkrahen njerëzit që përdorin mendjen dhe shpirtin për të mirën e popullit dhe shtetin e vet. Një atdhetar i mirë është edhe një mik i mirë dhe e kundërta, këtë duhet ta dinë ndërkombëtarët”, tha Aliu për “Kosova Sot”.

Uniteti në krizë

Faktin që Kosova është në pozitë të keqe dhe të rëndë dhe se në këtë kanë ndikuar shumë faktorë, sikundër edhe vetë politika jopragmatike dhe tepër e dëmshme, e konstaton edhe prof. Muhamet Kelmendi. “Mendoj se janë disa faktorë që e kanë dobësuar pozitën e Kosovës, e  konkretisht këta: 1. Bisedimet e deritashme pa parime dhe tepër negative për Kosovën që bënë nënshtrimin dhe e vunë Kosovën në tryezë të bisedimeve me palën serbe. 2. Lërja pas dore nga udhëheqja e Kosovës në bisedimet me palën serbe të dhunës dhe të gjenocidit të bërë mbi popullin shqiptar, duke pranuar atë që Kosova është fajtore e jo shteti neofashist serbomadh që vrau, që bëri dëme dhe përdhunoi femrat shqiptare. 3. Frika e UE-së nga Rusia si mbrojtëse e shtetit kriminal serb në raport me Kosovën dhe shqiptarët në fushën politike, diplomatike, nëpër mekanizmat ndërkombëtarë, deri te armatosja e Beogradit. 4. Intensifikimi i krimit dhe i korrupsionit në pushtetin shtetëror, në ekonomi dhe në politike etj., duke ndërtuar sistem të drejtësisë së varur nga klanet e PDK-së dhe të LDK-së. 5. Ndryshimi i politikës së SHBA-së në Ballkan dhe në botë, kundruall shtetit serb, si dhe Rusisë, duke e futur në vorbull Kosovën si vend problematike dhe 6. Mosuniteti i faktorit politik shqiptar. Janë të gjitha këto disa prej fakteve që e kanë dobësuar dhe i kanë dhënë kahe të dëmshme Kosovës. Tash po përpiqet Qeveria për të ndryshuar kahun. Ka dalë me plan dhe ka formuar grupin punues. Por, nuk ka arritur të krijojë një unitet të përbashkët. Nuk po futem në natyrën e grupit punues, për të nxjerrë mendimet e mia për të. Dëshiroj që të jemi unikë dhe të mbrojmë Kosovë, e kjo arrihet vetëm me unitet”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

 Qarri: Bandat politike janë duke e çuar Kosovën në izolim total

Sipas analistit politik Gani Qarri,fatkeqësisht me kastën aktuale politike të shantazhuar dhe dështuar në të gjitha pikëpamjet, në krye të shtetit, Kosova ka rënë në pikën më të ulët të pozicionit ndërkombëtar, aq sa edhe izolimi i saj, tanimë sikur është shndërruar në gjendje ‘normale’, prandaj nuk do mend se skena udhëheqëse e vendit, para as pas lufte, kurrë nuk ka qenë më e shantazhuar politikisht dhe me njerëz më jokredibilë në krye të shtetit.“Kosova jo vetëm se përfaqësohet nga politikanë më të kriminalizuar dhe që kanë marrë namin më të keq në rajon, të cilët fatkeqësisht, përveç shqiptarëve, e gjithë bota demokratike po i sheh si elementët kryesorë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe izolimi i saj, është kthyer në favor të politikanëve të dështuar, si presidenti, kryeministri, ministri i jashtëm, kryeparlamentari etj., të cilët në bashkëpunim me nëntokën kriminale, për të ruajtur pozitat e tyre në politikë dhe pushtet, po e mbajnë gjithë vendin në geto totale. Ndaj ky duhet të jetë alarmi i fundit për të gjithë votuesit e Kosovës, se nëse ata vazhdojnë edhe më tej t’i votojnë këta politikanë të kriminalizuar, me të cilët edhe shtetet më të pasura të perëndimit po habiten se çfarë pasurish kanë krijuar, për mes krimit e korrupsionit, në kurriz të popullit dhe në një vend të varfër si Kosova, atëherë qytetarët dhe i gjithë vendi do të vazhdojnë të mbeten të izoluar, në vend të politikanëve të inkriminuar të cilët me votat e tyre, emërohen në postet më të larta shtetërore, shëtitën në veshje SHIK me paratë e taksapaguesve dhe pasaporta diplomatike në gjithë botën”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

Edhe sipas njohësit tjetër të skenës politike kosovare, analistit Reshat Badallaj,është e vërtetë e madhe që Kosova është në pozicionin më të ulët ndërkombëtar dhe krejt me sherrin e këtyre banditëve të bandave politike që janë duke e çuar Kosovën në izolim total, e që nuk po e bëjnë rastësisht, por qëllimisht, sepse duan t’i ruajnë interesat e tyre kriminale.“Mirëpo, dua të them diçka që dikush nuk mund ta besojë dhe ndoshta i duket e pavend, mirëpo me besoni se këta banditë të organeve të larta shtetërore në Kosovë qëllimisht e bëjnë këtë, sepse këta ujqër lypin mjegull. Pra, me këtë sistem mafio-oligarkësh më lirë i kanë duart për të vjedhur dhe të mos i trazojë askush. Kanë formuar një sistem mafioz, që  dëshirojnë që askush mos të futet brenda, sepse kanë frikë se do të hetohen këta mafiozë, edhe pse dihet botërisht që në Kosovë më së shumti në Ballkan është hajnia. Këto banda mafioze që nga paslufta na kanë qitur hije të zezë në tërë botën e qytetëruar”, vlerësoi Badallaj.

Bojaj: Qytetarët nuk duhet të synojnë vetëm ikjen nga getoja, por të marrin vetë fatin në dorë

Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj vlerëson se shteti i Kosovës jo vetëm që është në pikën më të ulët në pozicionin ndërkombëtar, por edhe në fazën më të rrezikshme të ekzistencës së vet, sepse janë politikanët e kriminalizuar, mafiozë e hajdutë, të cilët udhëheqin pushtetin e Kosovës dhe me veprimet e tyre zhvatëse e primitive kanë rënë në greminën e injorimit ndërkombëtar, duke izoluar veten në të gjitha aspektet. “Një realitet i tillë e ka futur popullin e Kosovës në ‘geto’, duke i mohuar të drejtën e lëvizjes së lirë, zhvillimit ekonomik, arsimit më cilësor, drejtësisë më kredibile... për ta mbajtur peng një popull të tërë. E gjithë bota e ka kuptuar se në udhëheqësi nga bandat e forta mafioze, nga klanet e nëntokës e mbitokës, legale e ilegale, duke i sjellë mjerimin dhe varfërinë qytetarëve të pafajshëm. Andaj, klanet e tilla pushtetare shihen me skepticizëm nga bashkësia ndërkombëtare, duke mohuar çfarëdo bashkëpunimi të ndërsjellë. Duke injoruar politikanët mafiozë, pa legjitimitet e pa kredibilitet, izolimi ka prekur edhe popullin, duke i vendosur prangat e izolimit, varfërisë, mjerimit”, u shpreh ai.“Izolimi i politikanëve tanë është alarm edhe për qytetarët, të cilët duhet t'i largojnë nga pozicionet udhëheqëse klientelat sunduese e zhvatëse. Populli e bën edhe ligjin e mbretit. Andaj, qytetarët nuk duhet të synojë vetëm ikjen nga getoja dhe mjerimi që i sollën oligarkët e inkriminuar, por të marrin vetë fatin në dorë, t'i largojnë nga pushteti vrasësit e lirisë dhe shpresave të tyre, për të rizgjedhur një elitë më të mirë e më kredibile. Ata që na sollën prangat e izolimit, që na vodhën e varfëruan skajshmërisht, që na lënduan e na vranë shtetësinë, jo vetëm që s'mund të na nxjerrin nga gremina e mjerimit, por do të na copëtojnë edhe shtetin dhe do të na vrasin edhe të ardhmen”, potencoi Bojaj për “Kosova Sot”.

 Bislimi: Këta politikanë po e rrjepin popullin! 

Nga këndvështrimi i analistes politike Liridona Bislimi,  Kosova është në pikën më të ulët në pozicionin e saj ndërkombëtar dhe e gjitha është arritur falë politikanëve që në këto dy dekada në Kosovë kanë pretenduar se janë patriotët numër një, e që ata dihen me emër e mbiemër se kush janë.“Për shkak të frikës personale, Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, tre komandantët që shquhen si patriotët më të mëdhenj që dikur ishin në front për ta çliruar vendin tonë, tani, pas 20 vjetësh, po e fundosin përfundimisht shpresën e Kosovës për t’u bërë një shtet jo i izoluar, përmes liberalizimit të vizave, ose përmes çfarëdo rruge tjetër. Këta politikanë që kanë marrë nam të keq jo vetëm në vend, por edhe në shtetet e Perëndimit, pasi që të gjithë e dinë se çfarë pasurish kanë bërë duke e rrjepur popullin dhe vazhdojnë ta rrjepin edhe tutje, në bashkëveprim me nëntokën kriminale. Në vendin tonë termi patriot nuk e ka marrë kuptimin e vërtetë dhe i tëri është ironizuar dhe keqinterpretuar, sigurisht kjo ndodh kur politikani dhe shtetari e krijojnë pasurinë e tyre të shpejtë në kurriz të ‘arkës së shtetit’, kur vjedhin paratë publike, duke mbjellë pakënaqësi shoqërore, prandaj çdo muaj kemi vazhdimisht greva pakënaqësie nga policia, prokuroria, mjekësia, arsimi që kanë profesione të vështira dhe shoqëria në përgjithësi”, tha Liridona Bislimi për “Kosova Sot”.

Qytetarët, të zhgënjyer e të dëshpëruar

Duke përcjell situatën në të cilën gjendet vendi, edhe qytetarët e anketuar nga gazeta vazhdimisht po binden se Kosova po izolohet pikërisht nga veprimet e këtyre  politikanëve. Një fakt të tillë e pohon për “Kosova Sot” qytetari Hetem Maqedonci, që është kryetar i ekologëve të Kosovës. “Dihet mirëfilli që në të kaluarën, dikur para më shumë se 70 vjetësh, nëpër shumë vende me atë nivel të demokracisë së atyre kohërave njerëzve hajna e të korruptuar, kur i kanë zbuluar ua kanë varur për mbrapa njëfarë etikete të madhe, në të cilën ia kanë vendosur edhe mbishkrimin: Ky është hajn…ky është tradhtar… ky është spiun, apo çfarëdo të keqe tjetër me të cilën është kapur në flagrancë ia kanë shkruar dhe e kanë bërë që ta shohë krejt populli, si i kanë thënë atëherë krejt bota e mileti. Prandaj, edhe tash krejt kjo që po thuhet për këta njerëz po e bën të veten, sikur që po thuhet për Hashim Thaçin, për Kadri Veselin e për këtë ministër e atë zëvendësministër, njëri pas tjetrit. Prandaj, këtu me të drejtë ka pasur vërejtje edhe nga komisionari Hahn, edhe nga Parlamenti Evropian e nga të gjithë miqtë ndërkombëtarë, por po duket që kjo politikë akoma nuk po i merr seriozisht mesazhet për gjendjen në të cilën po e katandisin vendin”, tha Hetem Maqedonci për Kosova Sot. Të njëjtin mendim e ndan edhe qytetari tjetër, Selver Lenjani.“Është fakt që Kosova po mbetet akoma e izoluar, për shkak të padrejtësive të mëdha që po i bëhen këtij populli pikërisht nga njerëzit përgjegjës në institucionet relevante të nivelit qendror e lokal të Kosovës, duke filluar që nga kabineti i presidentit, si nga kryeministri me gjithë këta 20 e ca ministra e ata mbi 80 zëvendësministra që nuk po bëjnë gjë veçse po e shkatërrojnë këtë popull. Hiç pa përgjegjësi nuk është as kryeparlamentari Kadri Veseli me  ata bashkëpunëtorët e tij, sepse ata janë të njëjtit, argatët e Kadri Veselit janë edhe argatët e Hashim Thaçit, por nuk mbeten mbrapa në skandale as argatët e Ramush Haradinajt. Pra, ka ndoshta  pjesëmarrës në këtë valle të zhytjes në krim e korrupsion edhe pjesëmarrës nga partitë e tjera politike, por tani po shihet që edhe Evropa i kuptoi fare mirë se si janë dhe ku janë pushtetarët e Kosovës, se sa janë këta të aftë për të udhëhequr dhe angazhuar për luftimin e krimit e të korrupsionit që ka kapur të gjitha nivelet e institucioneve relevante shtetërore, e që koka e krimit dhe korrupsionit është në kabinetet e këtyre institucioneve”, theksoi Lenjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)