Tronditëse, asnjë sinjal për zhbllokimin e arsimit

  • 19 January 2019 - 07:45
Tronditëse, asnjë sinjal për zhbllokimin e arsimit

 Rrahmani: Nisma e grevës po e tregon dështimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, të cilat deri më tani nuk kanë ndonjë plan konkret që ta zgjidhin këtë grevë

: “Nuk e di se Qeveria dhe MASHT-i a kanë plan B. Por, si duket, nuk e kanë, sepse po ta kishin, ata do ta zbatonin, ngase janë humbur pesë ditë, humbja e të cilave ka prodhuar dhe do të prodhojë efekte negative dhe parazitare të pakompensueshme, të drejtpërdrejta dhe kolaterale në cilësinë edhe ashtu skajshëm të ulët të edukimit dhe të arsimit në Kosovë”, thotë eksperti i arsimit, Halim Hyseni për “Kosova Sot” 

Njohës të rrethanave të arsimit në vend, analistë politikë dhe qytetarët vlerësojnë njëzëri se greva në arsim do të vazhdojë edhe për shumë kohe. Greva e filluar këtë javë po e tregon dështimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, të cilat deri më tani nuk kanë ndonjë plan konkret që ta zgjidhin këtë çështje. Me gjithë pyetjet  e dërguara në adresën elektronike të kësaj Ministrie, për të mësuar se çfarë thonë nga MASHT-i, se cili është plani i tyre që t’i rikthejnë nxënësit në bankat shkollore, për fat të keq, sipas traditës, zyrtarët nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. SBASHK-u, ndërkohë, mbetet i vendosur të vazhdojë grevën derisa të plotësohen kërkesat. Eksperti i Arsimit Halim Hyseni, për gazetën “ Kosova Sot’, tha se greva, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë. “Qeveria dhe MASHT-i si po duket nuk e gëzojnë autoritetin racional për të ndikuar në këtë strukturë entropike dhe të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi, për shkak se janë futur në pazare joparimore me ta për interesa elektorale”, shpjegon Hyseni.

 Hyseni: Protestë popullore

“Nëse SBASHK-u gjatë kësaj jave nuk tërhiqet nga greva bazuar në një 
debat konstruktiv dhe të shëndoshë për Ligjin për Pagat, që objektivisht është diskriminues, në skenë duhet të dalin shoqëria civile, prindërit e nxënësve, partitë politike, si ato të opozitës, duke organizuar protestë gjithëpopullore. Sipas Halimit, në këtë protestë do të duhej që kërkohej: 1. Ndërprerja menjëhershme e grevës, si dhe vendosja para përgjegjësisë vendimmarrësve për organizimin e grevës pa afat, me çka e kanë sjellë në pikëpyetje ekzistencën e Sistemit të edukimit dhe të arsimit në Kosovë. 2. Tërheqjen e propozimit për Ligjin e Pagave. 3. Organizimin e një debati  në Kuvendin e Kosovës për gjendjen në Sistemin e Edukimit dhe të Arsimit të Kosovës .4. Formimin e një Këshilli Nacional për Ndryshimin Radikal të sistemit të Arsimit. Pika e katërt do të duhej të miratohet me 2/3 e parlamentarëve. Nëse pika e 4-t nuk miratohet, atëherë Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare”, theksoi Halim Hyseni për “Kosova Sot”.

 Shkodra: Mësuesit meritojnë më shumë

Analisti Shefik Shkodra, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se për arsimin është gabuar që në start. “Një mendim është kundër grevës. Parimisht (dhe unë personalisht jam kundër grevës), dhe nuk do të duhej të ketë kurrë grevë në shkolla. Por, ky është gabimi i qeverive, përkatësisht i Ministrisë së Arsimit.  Që të mos organizohen greva të Sindikatave të Arsimit, duhet të mos mbeten punëtorët e arsimit në fund të listës për pagat e tyre, si klasë sociale. Sepse, nuk janë ata që duhet të kërkojnë lëmoshë. Ata nuk do të kurseheshin në rast nevoje. Por, s'bën të jenë më ulët se klasa e shoferëve dhe të disa nëpunësve administrativë. Qeveritë tona duhet ta dinë se, arsimi është sektor primar. Më në fund, paguaj dhe mbikëqyr punën e tyre”, theksoi ai.

 Qeveria, deri tash, një dështim skandaloz

Ndërsa, analisti Bislim Aliu, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se është shumë e çuditshme se si kjo grevë e arsimit, ende po vazhdon dhe, si duket, ende nuk po dihet edhe se kur do të përfundojë. “Kjo çështje, sigurisht po na tregon dështimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit, të cilat deri më tani, as që kanë ndonjë plan konkret për ta zgjidhur këtë problem”, u shpreh ai. “Ndërkohë që orët po humbin vazhdimisht, kurse po e pësojnë më së shumti nxënësit, janë institucionet tona pra që sikur po flenë dhe kanë rënë në gjumë të thellë dhe sikur nuk mërziten shumë për zgjidhjen e këtij problemi tejet madhor. Kurse SBASHK-u, për t'i rikthyer nxënësit në bankat shkollore, kërkon rritjen e pagave të arsimtarëve”, theksoi Aliu. “Tani në këtë situatë kemi ardhur në mat pozicion. Duhet sa më parë të ulen Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u ta zgjidhin problemin. Vetëm me dialog zgjidhen problemet. Përndryshe humbja e orëve dhe e mësimit nuk tolerohen më”, vijoi më tej ai. Eksperti i shkencave juridike, Ardit Gërvalla për gazetën “Kosova Sot”,  ka disa pyetje për grevistët. Gërvalla pyet se a është e vërtetë, se:1. Nxënësit tanë mësojnë Gjuhën Shqipe 9 vjet dhe prapë nuk e dinë Gjuhën  Shqipe(të shkruajnë ashtu siç duhet, gramatikën dhe leximin)? 2. Nxënësit tanë mësojnë Gjuhen Angleze 9 vjet dhe prapë nuk dinë të flasin, shkruajnë dhe lexojnë anglisht? 3. Nxënësit tanë mësojnë Matematikë për 9 vjet dhe prapë nuk e dinë as Tabelën e shumëzimit? 4. Nxënësit tanë mësojnë Histori 9 vjet dhe prapë nuk dinë as gjërat elementare për Historinë tonë shqiptare? 5. Nxënësit tanë mësojnë Edukatë Qytetare dhe prapë nuk kanë edukatë? 6. Nxënësit tanë mësojnë Gjeografi dhe nuk dinë më kënd kufizohet Kosova? 7. E shumë të tjera”, u shpreh ai.  “Nëse rritja e pagës tuaj, na garanton ndryshimin e gjendjes më lart, unë jam për dyfishim të pagës tuaj. Por, assesi ta shantazhoni shtetin, duke shfrytëzuar mjetet ligjore”, ka potencuar Gërvalla.

 Qytetarët, të bllokuar nga greva

Krahas specialistëve të arsimit dhe analistëve politikë, edhe prindërit dhe qytetarët e anketuar thonë se janë tej mase të zhgënjyer me indiferencën e pushtetit ndaj grevës së mësimdhënësve. Sipas qytetarëve dhe prindërve, greva në arsim ende po vazhdon, dhe siç po shkojnë gjërat greva do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Prindi Rrahman Rrahmani nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ka shumë nipa e shumë mbesa që tash e një javë po qëndrojnë në shtëpi që nga nisma e kësaj greve.“Andaj, në cilësinë e gjyshit e them lirshëm se nisma e grevës po e tregon dështimin e Qeverise dhe Ministrisë së Arsimit, të cilat deri më tani nuk kanë ndonjë plan konkret që ta zgjidhin këtë grevë. Propozoj që greva të ndërpritet sa më parë me një kompromis të MASHT-i dhe SBASHK-u, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë javën tjetër dhe menjëherë ditëve të shtuna të kompensohen orët e humbura”, theksoi ai.

Ndërsa, qytetari nga Prishtina Albert Mirëdita, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se babai i tij ishte  punëtor arsimi në vitet e 60-ta e më pas gazetar, andaj edhe ka çdo respekt për punonjësit e arsimit. “Ndërsa, sa i përket  grevës, unë po pyes se ku mbeti humaniteti  i mësimdhënësve ndaj fëmijëve tanë që janë të pafajshëm. Sepse, në këtë rast duhet thënë troç se mësimdhënësit tanë i kanë pagat pak më të larta sesa në tërë rajonin. Prandaj, edhe duhet shtruar pyetjet tjetër se deri kur  me grevat do të përballen fëmijët tanë. Fundja, askund në botë në sektorin arsimi nuk mund të ketë grevë njëmujore ose kërcënime se do ta ndërpresim procesin mësimor”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër Ismail Hamiti, po ashtu nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pasi është greva me kërkesën për rritje pagash, greva duhet që të ndërpritet menjëherë në mënyrë që mos ta pësojnë fëmijët tanë, sepse mësimdhënësit dhe arsimtarët tanë nuk qëndrojnë keq me paga. “Me këtë rast më së shumti po e pësojnë fëmijët, që për një javë kanë humbur më shumë se dymijë orë mësimi. Së këndejmi, mësimi duhet që të fillojë menjëherë dhe greva të ndërpritet”, u shpreh ai. Sipas Hamitit, më pas bisedimet duhet të vazhdojnë në mes të MASHT-it dhe SBASHK-ut që duhet ta gjejnë një kompromis.

(Kosova Sot)