Komuna me shpenzime të mëdha të luksit, zyrtarët nuk hanë më qebapë

  • 19 January 2019 - 16:59
Komuna me shpenzime të mëdha të luksit, zyrtarët nuk hanë më qebapë

Që nga ardhja në pushtet e LVV-së me kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka, zëri opozitar në vitin e parë të qeverisjes nuk ka qenë shumë kundërshtues. Këtë veprim të PDK-së, shumica e qytetarëve e kanë parë si të pashpjegueshëm, por zyrtarë të PDK -së pohojnë për "Kosova Sot" se këto veprime janë të matura, sepse nuk duam të fyejnë aspak institucionet, duke u arsyetuar se janë parti institucionaliste. Por, nga radhët e opozitës, më i zëshmi në këtë drejtim është kuvendari nga AAK-ja Ilir Baldedaj, i cili për 'Kosova Sot" theksoi se shpenzimet komunale nga qebapë po shndërrohen në mish qengji të pjekur në hell, peshq nga një kilogramë, ajran me litër etj. "Lëvizja 'Vetëvendosje' nuk i llogariti qebapët e Ramadan Mujës, sepse u dhimbsej paraja e taksapaguesve, i llogariti qebapët për të ardhur në pushtet e për të ngrëne mish viçi e mish qengji. Moralizuesit na dalin krejt të pamoralshëm. Mbi 1550 qebapë i hanë veç me një darkë, në të cilën i pinë 30 litra lëngje. Dhe, nuk u mjaftoi mishi i qengjit e peshku, por i morën edhe katër tosta me vete. Ndryshe, s'ka shpjegim, sepse tosti nuk hahet me mish peshku me mish qengji e mish viçi. Mytaher Haskuka dhe Lëvizja "Vetëvendosje" duhet t'u kërkojnë falje qytetarëve për gënjeshtrat, sepse del se ishin krejt të pamoralshëm kur i llogaritën shpenzimet e drekave me qebapë. Sepse kthyer në qebapë këto po e thyejnë rekordin. Mytaher Haskuka dhe VV-ja veç në një darkë i hëngrën 1550 e ca më shumë qebapë", theksoi Ilir Baldedaj, kur u pyet për shpenzimet komunale të luksit për këtë fillimvit.

Darka për delegacionin nga Turqia

Komuna e Prizrenit vetëm për një darkë ka shpenzuar mbi 170 euro vetëm për mish. Në këtë darkë që i ka kushtuar buxhetit të Komunës së Prizrenit 330 euro 50 centë. Në këtë darkë 104 euro janë shpenzuar për mish viçi me sos, 50 euro për dy lloje të peshkut si dhe 20 euro të tjera për mish qengji. Këtë ia kanë bërë publike edhe disa portale kryetarit Haskuka, por ai në "Facebook" ka thënë se fatura e publikuar ishte për darkën e shtruar nga Komuna për pritjen e dy delegacioneve nga Turqia, me të cilat kjo komunë ka bashkëpunim. "Në ditët e fundit të muajit maj të vitit 2018, Komuna e Prizrenit ka qenë nikoqire e delegacioneve nga dy qytete, Amasya dhe Beykoz, me të cilët jemi të binjakëzuar dhe kemi bashkëpunim të thellë. Shqetësimet e shfaqura nuk kanë vend, ngase në darkën e përfolur në medie ka pasur mbi 30 persona dhe ka qenë darkë e shtruar për iftar. Kjo përpjesëtuar me shumën e faturës jep një shumë të cilën e paguan secili qytetar që i viziton restorantet e qytetit", ka shkruar Haskuka.

Arsyetimet e Haskukës

Haskuka ka shkruar se Prizreni është qytet i bukur dhe mikpritës, por nuk është qytet i luksit. "Ne kujdesemi që paranë publike ta shpenzojmë në mënyrë racionale dhe me transparencë", ka shkruar Haskuka. Opozita pohon se vitin që shkoi për darka e dreka janë harxhuar 23 mijë e 414 euro, apo mesatarisht mbi 3 mijë e 900 euro për 1 muaj. Qytetari Arsim Berisha theksoi se këto gjëra si qytetar nuk i di, por i lexojnë në medie. "Ajo që mund të themi ne është se bora e javës që shkoi u duk se bllokoi komunën dhe kjo na ka shqetësuar,sepse ajo ishte për secilin". Ndërsa Ajnishahe Morina theksoi: "S'e di unë ata çka hanë e çka pinë, por ne kërkojmë të kemi më shumë siguri. Po shihni edhe vetë sa hajnia po rritet, e kjo po na pengon. Nuk e di a është fukarallëku i madh, apo se çka është, por po e shoh e po dëgjoj se shumë hajni po ndodhin. Aman i kisha lutur policinë e Komunën, e besa edhe njerëzit vullnetmirë, që të ndalet disi kjo hajni se qe besa po na shtyjnë në pasiguri të madhe", theksoi ajo për gazetë.

 

(Kosova Sot)