SHBA-ja ia refuzon vizën vajzës siriane me fytyrë të deformuar nga bomba

  • 19 January 2019 - 18:21
SHBA-ja ia refuzon vizën vajzës siriane me fytyrë të deformuar nga bomba

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë refuzuar vizën një vajze 16-vjeçare nga Siria, e cila ishte dëmtuar në fytyrë nga shpërthimi i një bombe në shtëpinë e saj. Ajo kishte aplikuar për vizë për t’u trajtuar në spitalet amerikane, ndërsa viza i është refuzuar për shkak të ndalesës së fuqizuar nga presidenti Trump.

Marwa al-Shekh Ameen ishte vendosur më herët me familjen e saj në Gjermani, por mjekët e këtij vendi e kishin këshilluar që të kërkojë trajtim më të sofistikuar mjekësor në Shtetet e Bashkuara, pasi vajza i ishte nënshtruar 13 operacioneve për shkak të djegieve të shkallës së tretë në fytyrë, duar dhe gjoks.

Një spital për fëmijë në Boston ia kishte caktuar terminin e kontrollit në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa një agjenci vullnetarësh kishte ofruar strehim të përkohshëm për të dhe babain e saj. Sidoqoftë, autoritetet amerikane ia refuzuan vizën me arsyetimin se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme që ajo do të kthehet në Gjermani.

Ky vendim i ka habitur të gjithë mbështetësit e saj, të cilët kanë thënë se Gjermania u ka ofruar strehim gjashtë anëtarëve të familjes së saj dhe ata tashmë janë vendosur në shtëpinë e tyre të re afër Nurembergut. Daja i vajzës ka thënë se askush që ka ndjenja dhembshurie nuk do t’ia mohonte trajtimin mjekësor mbesës së tij.

Megjithatë, qeveria amerikane e ka bërë shumë të vështirë hyrjen e qytetarëve nga vendet e caktuara, përfshirë Sirinë. Sipas Departamentit të Shtetit, nga 33 mijë aplikime për viza që kanë ardhur nga shtetet e përfshira në listën e ndalesës për gjashtë muaj, vetëm dy për qind e tyre kanë marrë përgjigje pozitive, shkruan “The Guardian”.

 

(Kosova Sot)