Dhjetori ishte muaji i vjedhjeve, ndodhën 451 raste

  • 20 January 2019 - 14:45
Dhjetori ishte muaji i vjedhjeve, ndodhën 451 raste

Vitin e kaluar hajnat kishin pasur cak bizneset, bankat dhe shtëpitë e banimit. Gjatë vitit te kaluar ishin 714 raste të vjedhjeve. Më së shumti pati raste gjatë dhjetorit, ku ishin raportuar në polici 451 raste

Mbrëmjen e së shtunës, në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë ka ndodhur një grabitje e armatosur. E raste të tilla, muajve të fundit janë shtuar shumë.

Vetëm gjatë vitit 2018, nga të dhënat për 11 muaj, kanë ndodhur 263 raste të vjedhjeve.

Ndërkaq gjatë muajit të dymbëdhjetë kjo shifër është rritur në mënyrë drastike.

Në statistikat që media ka siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se vetëm gjatë dhjetorit janë raportuar 451 raste të vjedhjeve.

Grabitjet më të shpeshta kanë ndodhur në banka, institucione mikrofinanciare e shtëpi,  por grabitësit nuk kanë kursyer as qytetarët të cilëve u kanë vjedhur në rrugë.

“Grabitja si vepër penale kryhet në rrethana të ndryshme. Grabitësit kanë pasur caqe të ndryshme si biznese, banka, shtëpi banimi e edhe grabitjen e gjësendeve nga dora apo krahu (grabitje të telefonave apo çantave të krahut)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të policisë.

Rajoni ku janë shënuar më së shumti grabitje është Prishtina, ku kanë ndodhur 77 raste. Ndërkaq 10 persona të dyshuar e të identifikuar gjenden në arrati.

Gjatë muajit nëntor, një person humbi jetën në shtëpinë ku kishte hyrë për të plaçkitur. Kujtim Krasniqi, së bashku me tre persona të tjerë – të gjithë të armatosur dhe me maska - po përpiqej të futej në shtëpinë e Ridvan Beqirit, kur i zoti i shtëpisë i vërejti dhe filloi të shtinte në ta.

E ngjarja që kishte zënë hapësirën më të madhe në media ishte ajo që ndodhi me 27 dhjetor në Istog, ku gjatë një grabitje të armatosur humbën jetën polici Izet Demaj dhe grabitësi Kamer Metaj, i cili kishte hyrë për të plaçkitur një bankë.

(Kosova Sot)