Thaçi demanton Limajn e Ahmetin, konfirmon se me Serbinë do të ketë korrigjim kufijsh

  • 20 January 2019 - 15:21
Thaçi demanton Limajn e Ahmetin, konfirmon se me Serbinë do të ketë korrigjim kufijsh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se përpos korrigjimit të kufijve me Serbinë marrëveshja finale do të përfshijë edhe personat e zhdukur dhe tema të tjera. Ka garantuar se nuk do të ketë më luftë derisa ka thënë se edhe Rusia do ta përkrahë marrëveshjen e balancuar ndërmjet dy shteteve.

Në këtë mënyrë, Shefi i Shtetit ka demantuar Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, të cilët kanë thënë se nuk do të ketë bisedime për kufijtë me Serbinë.

“Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e kufijve, por edhe me aspekte të tjera. Kjo marrëveshje do të jetë gjithëpërfshirëse, e cila trajton edhe çështje të tjera, si çështjen e personave të zhdukur nga lufta e fundit, të cilët edhe më tutje nuk janë kthyer në vendlindje”, ka shkruar Thaçi, në një status në fb.

“Për Kosovën dhe Serbinë kjo do të mundësojë anëtarësimin në BE, derisa për Kosovën edhe në NATO. Nuk do të ketë kufij monoetnik dhe të dyja shtetet do të jenë shumetnike. Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, nënkupton që nuk do të ketë më kurrë luftë ndërmjet dy shteteve. Qytetarët do të kenë një jetë më të mirë, sepse nga jetësimi i marrëveshjes do të përmirësohet edhe gjendja ekonomike dhe do të krijohen më shumë vende të punës, derisa kufijtë do të largohen, duke u bazuar në modelin evropian”, ka shtuar ai.

“Rusia do të jetë në gjendje të pranojë marrëveshjen, nëse të dyja palët pajtohen. Prandaj, është me rëndësi që të shfrytëzohet ky momentum për të arritur një marrëveshje të balancuar, e cila merr parasysh interesat e dy vendeve. Në të kaluarën nuk ka pasur një gatishmëri të tillë”, ka shkruar Presidenti.

Ai ka thënë se nuk do të ketë Shqipëri të Madhe e as Kosovë të Madhe në marrëveshjen finale me Serbinë.

“Nuk do të ketë as “Shqipëri të madhe”, as “Kosovë të madhe”. Në vend të kësaj, ne synojmë integrimin e rajonit në Evropën e bashkuar. Në këtë intervistë kam folur edhe për ushtrinë e Kosovës. Ky ishte një vendim i duhur i një shteti sovran, i bazuar në vullnetin e popullit të Kosovës”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot)