Të rinjtë kosovarë po blejnë më pak libra

  • 20 January 2019 - 15:23
Të rinjtë kosovarë po blejnë më pak libra

Ka shumë vite që punon si librashitës në kryeqytet, duke ofruar libra të rinj, të vjetër e të përdorur. Ani pse shpesh punon më shumë se dhjetë orë në ditë, Florim Beqiri thotë se në fund të muajit mezi fiton 100 euro nga shitja e librave.

Problem të ngjashëm po kanë edhe librashitësit tjerë në sheshin e Prishtinës, për shkak të rënies së numrit të blerësve të librit.Edhe pse në kryeqytet është i fokusuar numri më i madh i studentëve të Kosovës, del se këta të fundit më së paku po blejnë libra.Beqiri ka pohuar për KosovaPress se ka rënë numri i të rinjve që blejnë libra, e për këtë fajëson gjendjen aktuale në Kosovë.“Më tepër blejnë fëmijët e shkollës fillore se edhe bota e tyre, domethënë nuk është e kyçur direkt në këto problemet që i ka shoqëria, domethënë ata e jetojnë një jetë që ia mundësojnë prindërit, që nuk kanë përballje me gjendjen sociale, ekonomike e politike në të cilën është duke kaluar shoqëria jonë”, thotë Beqiri.

Ai thotë se është dashuria për librin ajo që e motivon të punojë në këto kushte.“Ne jemi shumë të gatshëm të punojmë edhe ne po punojmë në kushte ekonomike shumë mizore, nuk arrijmë të fitojmë as 50 ose 100 euro në muaj, edhe duke i ditur standardet, por këtë e bëjmë për shkak se e duam librin, e kemi një farë ideali për librin”, thotë Beqiri.

Ndërkaq, shtëpizën e librit të Mirasd Krasniqit del se e vizitojnë më shumë moshat e mesme, por jo edhe të rinjët.Krasniqi ka thënë për KosovaPress se interesimi i të rinjve për të blerë libra nuk është ai që do të duhej të ishte.“Megjithatë kjo grupmosha e mesme, pak edhe të moshuarit, e reja jo… Ky popull më nuk ka para, është i papunë, të rinjët nuk kanë të ardhura, edhe libri është pak i shtrenjtë, të jemi korrekt, dhe të gjitha po e bëjnë të vështirë shitjen e librit dhe ardhjen deri te lexuesi”, thotë Krasniqi.

Edhe Besian Zeneli nga libraria “Buzuku”, pohon se moshat e mesme por edhe fëmijët po blejnë më shumë libra në pikat e kësaj librarie.“Mundësia më e madhe për të blerë është tek mosha e mesme për shkak se e kanë standardin më të mirë, njëkohësisht janë edhe në marrëdhënie pune, kështu që padyshim që mosha e mesme, mund të themi lirisht 25, 30 e deri te 40-tat është mosha që preferon të lexojë më shumë, mirëpo, gjithmonë pa lënë anash edhe moshën e re ku vlenë të potencohet që prindërit po investojnë jashtëzakonisht shumë në fëmijë”, thotë Zeneli.

Kurse lexuesi Agon Rexhepi, i cili është maturant në shkollën “Ahmet Gashi”, thotë se kryesisht huazon libra, pasi që çmimet e librave janë të larta krahasuar me mundësitë e nxënësve dhe të studentëve.“Librat që në përgjithësi unë i lexoj, janë bukur shumë të kushtueshme, sidomos librat në gjuhën angleze janë gjithmonë më të kushtueshëm dhe ndoshta ne si nxënës përderisa nuk punojmë, e kemi pak problem për të blerë libra vazhdimisht ose konstant. Për të lexuar, huazimi mund të bëhet prej bibliotekës që është me një çmim shumë simbolik edhe që mund ta përballojnë të gjithë, por në rast se duam ta kemi bibliotekën tonë personale, domethënë ato libra t’i kemi tonat, nuk është lehtë e përballueshme ekonomikisht”, thotë Rexhepi.

Bibliotekat komunale të Kosovës po shihen si mundësi e mirë, sepse regjistrimet për një vit kushtojnë rreth një deri në pesë euro. Por furnizimi i pakët me libra të rinj, prapë po i detyron lexuesit të kërkojnë zgjidhje te libraritë dhe tregjet e librave.Ndërkaq, lidhur me rënien e shitjes së librave, sipas librashitësve, kjo gjendje ka ardhur kryesisht si pasojë e kushteve ekonomike në Kosovë, zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe përkrahjes së pamjaftueshme të Ministrisë së Kulturës ndaj librit.

(Kosova Sot)