Kërkohet urgjentisht shkarkimi i Behgjet Pacollit

  • 21 January 2019 - 11:49
Kërkohet urgjentisht shkarkimi i Behgjet Pacollit

Përveç që dështoi të anëtarësohet në UNESCO dhe INTERPOOL, Kosova tani po përjeton edhe tërheqje njohjesh nga shtete që e kishin njohur më parë. E krejt këto po ndodhin në kohën kur Ministër i Jashtëm është Behgjet Pacolli. Por, edhe pse kanë ndodhur të gjitha këto skandale, Pacollit vazhdon të mos i lëkundët posti i tij.

E lidhur me këtë, analisti politik Bislim Aliu thotë se është krejtësisht e pafalshme mënyra se si po tolerohet të veprojë një ministër i Jashtëm, pa llogaridhënie për dështimet e tij.

"Me të vërtetë është e pafalshme pse a thua nuk jep dorëheqje ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, për tërheqjen e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës, por edhe një varg çështjesh të tjera, në diplomacinë e dështuar, përfshirë edhe dështimin për anëtarësimin në Interpol. Dhe, për këtë, me të vërtetë, është skandaloze se pas këtyre dështimeve, Pacolli në një intervistë është treguar kritik ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, për të cilat ai thotë se nuk i kanë kryer punët e tyre në sigurimin e votave të shteteve që e kanë njohur Kosovën! Andaj, për fajin e vet dhe dështimet e veta, mundohet t'i kritikojë të tjerët”, është shprehur Aliu.

Image
Bislim Aliu

 

Ai thotë se Pacolli duhet të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm

“Të gjitha këto skandale janë sinjal real se Behgjet Pacolli duhet të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm. A thua, edhe sa dështime e tërheqje duhet të ndodhin që Behgjet Pacolli të shkarkohet nga posti i tij! Për këtë, rejtingu i Kosovës është në pikën më të ulët, pikërisht për shkak të dështimeve të diplomacisë së dështuar dhe ambasadorëve, që nuk dihet se çfarë pune bëjnë, përveç shpenzimit të parave të taksapaguesve kosovarë!", përfundoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)