Bislimi: Qytetari i dëshpëruar, i mllefosur e i revoltuar mendon vetëm si të ikë nga vendi

  • 21 January 2019 - 12:09
Bislimi: Qytetari i dëshpëruar, i mllefosur e i revoltuar mendon vetëm si të ikë nga vendi

Analistja Liridona Bislimi, për gazetën "Kosova Sot', thotë se duket se ky gjumë i gjatë dimëror për Qeverinë e Kosovës do të vazhdojë deri më 30 janar, por kjo Qeveri edhe në vazhdim të punës së saj nuk presim të sjellë ndryshime edhe shumë nga ajo që e kemi parë deri më tani, e cila ka qenë jofunksionale, e përlyer deri në fyt në krimin e organizuar që fatkeqësisht po e udhëheq shtetin e kapur të Kosovës.

Nepotizmi, tenderomania, klientelizmi, shantazhi, ryshfeti e kontrolli absolut mbi institucionet e pavarura të shtetit, që përmblidhen me një fjalë të vetme kapja e shtetit, e kanë shoqëruar qeverisjen në Kosovë dhe janë vlerësuar si tregues i shenjave të para të zhgënjimit, nga populli ynë". Bislimi theksoi se kryeministrin aktual Ramush Haradinaj, dikur si opozitar, deklaronte se PDK-ja dhe SHIK-u janë e keqja e Kosovës, por çuditërisht, për hir të postit të kryeministrit, Haradinaj i është bashkuar "kësaj të keqeje të Kosovës".

Në vend se ta ndryshojë këtë model të keqqeverisjes, ai e vazhdoi këtë qasje. Sot kushdo që e kritikon ose shfaq shqetësime për keqqeverisje e kapje të shtetit u drejtohet me një pyetje retorike "Ku po ju dhemb?" Kjo tregon se Haradinaj nuk e pranoi postin e kryeministrit për ta ndryshuar gjendjen, por që të bëhet edhe vetë hisedar i korrupsionit dhe i kontrollimit të institucioneve të pavarura shtetërore. Fatkeqësisht, kemi një politikë që funksionon në Kosovë të llojit: Ti mua këtë, ynë ty atë",thotë analistja Liridona Bislimi për gazetën "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)