Zeqa: Nuk duhet lejuar që edhe më tutje të dëmtohet imazhi i shtetit

  • 21 January 2019 - 13:37
Zeqa: Nuk duhet lejuar që edhe më tutje të dëmtohet imazhi i shtetit

Sipas analistit politik Florim Zeqa, rejtingu i Kosovës ka rënë në pikën më të ulët, pikërisht për shkak të dështimeve të diplomacisë së dështuar dhe ambasadave që nuk dihet se çfarë pune bëjnë, përveç shpenzimit të parave të tatimpaguesve kosovarë në bashkëpunim me sekserët e instaluar në shoqatat dhe organizatat në diasporë, prandaj në një rast të tillë dorëheqja do të duhet të ishte minimumi i llogaridhënies nga ministri i Jashtëm.

“Për një ministër të përgjegjshëm mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe tërheqja e vetëm një njohje për shtetin do të ishin të mjaftueshëm për ofrimin e dorëheqjes para kryeministrit të vendit.  Mirëpo, ministrit Behgjet Pacolli tërheqjet e njohjeve të njëpasnjëshme të Pavarësisë së Kosovës dhe një varg çështjesh të tjera në diplomacinë e dështuar të Kosovës, përfshirë dështimin edhe në anëtarësim në INTERPOL, as që i bëjnë përshtypje! Injoranca e ministrit Pacolli shkon aq larg saqë, në një intervistë, është treguar kritik ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, për të cilat thotë se nuk e kanë kryer punën e tyre për sigurimin e votave të shteteve që veç e kanë njohur Kosovën! Kjo deklaratë dhe dështimet e njëpasnjëshme e skandaloze janë sinjal që Behgjet Pacolli duhet të shkarkohet sa më parë nga posti i ministrit të Jashtëm.

Nuk duhet lejuar që edhe më tutje të dëmtohet imazhi i shtetit të Kosovës me dështime e skandale të tjera të Behgjet Pacollit, për shkak se mbajtja e një injoranti në krye të diplomacisë shtetërore nuk i bën nder shtetit dhe as kryeministrit që e mban në qeveri”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Lexo edhe këtë: Pacolli të shkarkohet nga posti i ministrit të Jashtëm

(Kosova Sot)