Kelmendi: Opozita pothuajse nuk ekziston

  • 21 January 2019 - 13:40
Kelmendi: Opozita pothuajse nuk ekziston

Analisti Ibrahim Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se tashmë duhet të jetë bërë edhe e vetëkuptueshme, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është pothuajse vetëm improvizim, për shkak të partive dhe parlamentarëve destruktivë. “Pushimi kaq i gjatë i tij është edhe një dëshmi më shumë, konkrete, për këtë gjendje jofunksionale që e ka përfshirë Kuvendin. Raportet pozitë- opozitë janë tepër fluide, sepse as pozita, as opozita nuk kanë shumicë, ato varen nga pozicionimi i parlamentarëve që përfaqësojnë minoritetet.

Që do të thotë, institucioni kryesor shtetëror është në duar të parlamentarëve minoritarë!” Ndaj, sipas Kelmendit, opozita pothuajse nuk ekziston, meqë ajo përbëhet vetëm nga LDK-ja dhe LVV-ja, më saktësisht nga raportet në mes të dy komandantëve të tyre, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, që vetëm taktizojnë, cili ta komplotojë tjetrin në rastin e volitshëm. “Në këtë gjendje, një këso opozite kaq labile nuk është në gjendje të imponohet, edhe pse ka përballë një pozitë, gjithashtu labile, që nuk ka as shumicë solide. Megjithatë, po funksionon bashkëpunimi klandestin i krerëve, që së bashku të zhvatin sa më shumë shtetin, qoftë si parlamentarë, qoftë si qeveritarë.

Fatkeqësia më e madhe është se këtë gjendje do të vazhdojmë ta vuajmë, meqë po mungojnë njerëzit e duhur për të ofruar zgjidhje konstruktive, duke e përkrahur shumica e qytetarëve.  Mbase jemi të dënuar të presim ndonjë mrekulli, edhe pse Burdushin e kemi në burg...”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot”, analisti Ibrahim Kelmendi.

Lexo edhe këtë: Pozita dhe opozita në Kuvend, në gjumë të thellë dimëror

(Kosova Sot)